Ditën e sotme, më 2 prill, nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u zhvillua një mbledhje e posaçme e Byrosë së Kuvendit të Shqipërisë. Byroja vendosi që, në kuadrin e masave për të lehtësuar përballimin e situatës së pandemisë, krijuar nga koronavirusi COVID-19, në shenjë solidariteti me qytetarët dhe bizneset e prekur nga masat ndaluese të koronavirusit, paga e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të përgjysmohet për një periudhë tremujore.
Në këtë kuadër, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u është drejtuar me një letër drejtuesve të tridhjetë të institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të krijuara me ligj, të marrin të njëjtën nismë, për përgjysmimin e pagës së tyre për një periudhë tremujore, si kontribut në lehtësimin e përballimit të nevojave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi të rrezikshëm.
Përveç Bankës së Shqipërisë dhe AMF që kanë pavarësi financiare në vendosjen e pagave, drejtuesit e institucioneve të tjera paguhen me 60 % të pagës mujore të presidentit që arrin në nivele të pagës ministrit dhe deputetit, ose neto rreth 150 mijë lekë në muaj.
Në një llogaritje të thjeshtë numri personave që do japin gjysmën e pagës për tre muaj përfshin rreth 170 persona përfshirë 12 antarë të qeverisë, mbi 120 deputetë dhe rreth 30 drejtues të institucioneve të pavarura. Në total kursimi buxhetit nga përgjysmimi pagave për tre muaj arrin rreth 38 milionë lekë të reja.
Gjithashtu qeveria nuk do të paguajë personat e administratës që janë antarë të Borde dhe Këshilla Mbikëqyrës për një periudhë tremujore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.