Tërheqja e 10% të pensioneve nga qytetarët e Kosovës varet nga miratimi i ndryshimeve ligjore në Kuvend. Por, deputetët aktualisht janë në pushim deri me 15 shtator.
Qytetarët e Kosovës duhet të presin edhe disa ditë që të marrin lajmin e fundit lidhur me tërheqjen e parave të tyre nga Trusti.
Shpresën e vetme qytetarët e kanë tek deputetët e Kuvendit, të cilët tani janë në pushim dhe pritet të kthehen në punë me 15 shtator.
Tërheqja e 10 për qind të kontributeve pensionale në Trust nga qytetarët varet nga miratimi i ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Kosovës.
Deputetët nuk arritën të kalojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në gusht.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, ka thënë se seanca e radhës pritet të jetë pas 15 shtatorit. Por, ai ka treguar se nuk është e sigurt nëse do të nis seanca me çështjen e Trustit, sipas tij kjo varet prej vendimit që do ta marrë Kryesia e Kuvendit.
Kurse, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka treguar se ka autorizuar menaxhmentin e Trustit për tu bërë gati që të mundësohet tërheqja e 10% të pensioneve nga qytetarët.
Megjithatë, sipas saj ende ka edhe një kusht që duhet të arrihet.
“Ligji duhet të kaloj në Kuvend në lexim të dytë. Për momentin mos miratimi i ligjit është e vetmja pengesë. Afate kohore nuk mund të japim, sepse nuk varet nga ne. MF ka kërkuar që Trusti të bëjë të gjitha përgatitjet, që tërheqja të filloj menjëherë pas aprovimit të Ligjit”.
Edhe në Trust në një njoftim për media kanë thënë se janë duke pritur këto ndryshime ligjore.
“Trusti është duke pritur miratimin e ndryshimeve ligjore në Kuvendin e Kosovës që do t’i mundësonin kontribuuesve aplikimin për tërheqjen e 10 %-shit. Deri më tani Kuvendi nuk e ka diskutuar ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale në Kosovë. Kujtojmë këtu se edhe nëse miratohen ndryshimet ligjore nga Kuvendi, Trusti është i obliguar të pres derisa ligji të hyjë në fuqi (nënshkrimin e ligjit nga Presidenti dhe publikimin në Gazetën Zyrtare)”, është thënë në njoftimin e Trustit, duke u shtuar se aktualisht Trusti është duke punuar në përgatitjen e infrastrukturës që do të mundësonte realizimin e aplikimit përmes internetit për tërheqjen e 10%-shit. Kontribuuesit do të njoftohen me kohë për të gjitha detajet dhe për fillimin e këtij procesi”, thuhet në fund të njoftimit të Trustit Pensional të Kosovës.
Ndryshe, sapo të hyjë në fuqi ndryshimet ligjore, do t’i hapet rruga mundësisë që secili kontributdhënës t’i tërheq 10% të kursimeve nga Trusti.
Por jo të gjithë qytetarët do të përfitojnë vërtetë nga kjo mundësi.
Gjysma e kontributpaguesve apo mbi 312 mijë persona kanë më pak se një mijë euro të kursyera. Rreth 27% e kontributpaguesve apo afër 167 mijë persona mund të tërheqin mesatarisht 9 euro.
10% e kontributpaguesve (65,756 persona) mund të tërheqin mesatarisht 37 euro. 7% e kontributpaguesve (afër 51 mijë persona) mund të tërheqin mesatarisht mbi një mijë euro kursime.
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri gjatë një vizite që i kishte bërë Trutit pati thënë se për tri javë, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të tërheqin 10% të kursimeve pensionale. Kjo do të bëhet pasi të votohet Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike.
Tahiri ka treguar se rreth 200 milionë euro pritet të tërhiqen nga Trusti, ndonëse sipas tij, rreth 50% e qytetarëve kanë pak mjete.
Ai kishte treguar se janë mbi 630 mijë persona pjesë e kësaj skeme e që mund të tërheqin mjetet e tyre, të cilat kapin vlerën e mbi 200 milionë eurove.
“Kemi mbi 630 mijë persona, pjesë e kësaj skeme. Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike është në Kuvend, do të diskutohet deri në fund të javës, komisioni do ta dëgjojë për miratim, shpresoj që të kalojë shpejt. Ajo që dimë është se janë mbi 200 milionë euro që mund të tërhiqen nga ky fond dhe ky do të jetë një stimulin në ekonominë e Kosovës”, tha Tahiri.
Kurse, Ardian Zalli pati thënë se Trusti është duke pritur miratimin e ndryshimeve ligjore në Kuvend do t’i mundësonin kontribuuesve aplikimin për tërheqjen e 10%
Sipas tij, aktualisht Trusti është duke punuar në përgatitjen e infrastrukturës që do të mundësonte realizimin e aplikimit përmes internetit për tërheqjen e 10%.
Nëse miratohen ndryshimet ligjore nga Kuvendi, Trusti është i obliguar të pres derisa ligji të hyjë në fuqi, pra me nënshkrimin e ligjit nga Presidenti dhe publikimin në Gazetën Zyrtare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.