Shqipëria është aktualisht në një fazë vlerësimi të nevojave pas tërmetit. Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara thanë se sot në terren po bëhet një vlerësim i dëmtimit të hoteleve dhe nevojat e tyre. Në fund të shkurtit sipas tyre do të prezantohet edhe strategjia e rimëkëmbjes. Por, teksa vijon puna në terren, sytë janë kthyer tek agjencitë ndërkombëtare turistike, që e kanë futur Shqipërinë në hartën e tyre të promovimit. Fillimisht polakët e më pas nordikët e gjermanët e kthyen zonën e Golemit por jo vetëm në zonën më të frekuentuar në Shqipëri e për rrjedhojë zonën me më shumë kontribut. Por si e shohin sot këto agjenci Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit. Dirk Burneleit nga Der Touristic REWE Group shprehet se ajo që duhet t’iu ofrohet së pari turistëve është siguria. “Kur më thanë të vija në Shqipëri dhe të flisja për turizmin global, ajo që ne e cilësojmë si kryesore është siguria që duhet t’u ofrohet turistëve. Kjo duhet të jetë e para që ofrohet për turistët. Është e rëndësishme të jemi të shpejtë efikase dhe të sinqertë me njerëzit që punojmë. Në pjesën më të madhe të botës booking (rezervimi) bëhet online. Rreth 65 për qind e gjermaneve rezervon përmes agjentit dhe çdo informacion e merr prej tij. Ndërkohë vetë agjenti e merr nga operatori turistik. Ne jemi me parimin që duhet te marrim informacion të dorës së parë. Është bërë një komunikim i shpeshtë dhe ka qenë shumë i mire. Pas elementit të sigurisë ne mbledhim informacion për kushtet mbi shëndetin, logjistikën, aeroportin. Ne kemi kontakte të drejtpërdrejta me hotelierët. Jam informuar në datë 26 nëntor mbi tërmetin dhe po diskutonim çfarë reagimesh do bënim. Ideja është të mos mendosh për tu larguar por si të kthehesh. Shtatë dite pas këtij tërmeti erdha në Shqipëri me partnerët tanë për të marrë informacion për vete por dhe për t’iu treguar partnerëve që do ta fusim Shqipërinë më shumë në hartë. Rezervimet në tregun e Europës Lindore janë rritur me 40 për qind, që tregon se nuk ka pasur prekje të rezervimeve dhe vera 2020 do të jetë e suksesshme” tha ai.
Nordikët janë një tjetër grup turistësh që kanë njohur rritje në vendin tonë viteve të fundit. Të vendosur në zonën e Golemit nga maji në tetor, ky segment turistësh cilësohet si grupi që shpenzon më shumë. Përfaqësuesja e Apollo Nordic Nina Hornewall u shpreh se në një rast të tillë, si ky i tërmetit, agjencitë ndërkombëtare vënë në zbatim praktikat e përgjegjshmërisë sociale. Sipas saj një vend nuk shfrytëzohet dhe i merren më të mirat në kohët e qeta, por edhe ndihmohet me strategji të qëndrueshme dhe afatgjatë në ditë të tilla si këto të post-tërmetit.
“Apollo nisi bashkëpunimin në Shqipëri për herë të parë para 7 vitesh në zonën e Sarandës. Para dy vjetësh, në 2018-n, ne dërguam 4 chartara në Tiranë dhe pastaj në Durrës. Kjo është një histori suksesi. Tani ne jemi në Shqipëri dhe kemi 35 mijë pasagjerë, që rrinë në Shqipëri minimalisht 7 ditë. Klientët tanë e kanë vlerësuar destinacionin në Shqipëri njëlloj siç kanë bërë me vende të tjera në vendet e Mesdheut dhe kjo tregon një progres të mirë. Nuk është e lehtë të jesh operator turistik në ditët e sotme. Klientët janë kureshtarë të dinë dhe kanë kërkesa të shumta, tregu është i vështirë, pra ka një axhendë dhe tematikë të re gjithmonë dhe ka një nevojë dhe emergjencë për të punuar me strategji qëndrueshmërie. Të gjithë ne duhet të kemi kërkesa dhe të punojmë gjithmonë të përmirësohemi. Ne përfaqësojmë turizmin, ju përfaqësoni agjencitë tuaja. Ju për shembull mund të keni kërkesa ndaj meje si operatorë turistike, pra që unë do vij në këtë destinacion dhe nuk duhet të pretendoj se do përfitojmë nga dielli nga plazhi pa e vrarë mendjen. Gjithçka duhet të na i kërkoni neve që të zhvillojmë strategji afatgjata me partnerët dhe aktorët e interesit.
Apollo është e certifikuar dhe ka nivelin e artë dhe do të doja që të gjithë së bashku të shohim këto gjëra me shumë ndjeshmëri sepse nuk mundet të pretendojmë që s’kemi përgjegjësi në industrinë e turizmit. Duhet të kemi më shumë vëmendje ndaj problemeve të mjedisit, duhet të tregojmë që destinacionet tona janë me një atmosferë solidariteti dhe përgjegjshmërie. Këtë gjithë duhet ta bëjmë bashkërisht” tha Hornewall
Mesazhi
Apollo është e certifikuar dhe ka nivelin e artë dhe do të doja që të gjithë së bashku të shohim këto gjëra me shumë ndjeshmëri sepse nuk mundet të pretendojmë që s’kemi përgjegjësi në industrinë e turizmit. Duhet të kemi më shumë vëmendje ndaj problemeve të mjedisit, duhet të tregojmë që destinacionet tona janë me një atmosferë solidariteti dhe përgjegjshmërie.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.