Pavarësisht rënieve të fundit, dërgesat vjetore në vitin 2022 ishin shumë më lart se nivelet para pandemisë
Sipas rezultateve paraprake të International Data Corporation (IDC) – Worldwide Quarterly Personal Computing Device Tracker – dërgesat globale të kompjuterëve tradicionalë (PC) ishin më të ulëta se pritshmëritë në T IV 2022, me 67.2 milionë PC, në rënie me 28.1% krahasuar me një vit më parë.
Dërgesat në T IV 2022 janë të krahasueshme me ato të T IV 2018, kur tregu ishte i kufizuar për shkak të vështirësive të furnizimit të Intel.
Duket qartë se bumi i pandemisë ka përfunduar për tregun e PC-ve. Megjithatë, pavarësisht rënieve të fundit, dërgesat vjetore në vitin 2022 ishin shumë më lart se nivelet para pandemisë, me 292.3 milionë njësi. Kërkesa mbetet shqetësuese, megjithatë, pasi pjesa më e madhe e përdoruesve zotërojnë një PC relativisht të ri dhe ekonomia globale po përkeqësohet.
“Çmimet mesatare të shitjes (ASP) në shumë kanale ranë, edhe për shkak të inventarit të tepërt në kanale, që në muajt e fundit shkaktoi ulje çmimesh, në një përpjekje për të nxitur kërkesën” – tha Jitesh Ubrani, drejtues i kërkimit për IDC’s Mobility and Consumer Device Trackers.
“Pavarësisht këtyre përpjekjeve, menaxhimi i inventarit të përfunduar të PC-ve, si dhe komponentëve, do të mbetet çështje kyçe në tremujorët e ardhshëm dhe mund të ndikojë më tej tek ASP-të”.
Lenovo kryeson në T IV me 15.5 milionë PC të dërguar, ndjekur nga HP, me 13.2 milionë njësi. Dell renditet e treta, me 10.8 milionë sisteme të dërguar në tremujorin festiv, ndërsa Apple shiti 7.5 milionë Mac në të njëjtën periudhë.
Të gjitha kompanitë regjistruan rritje negative krahasuar me T IV 2021. Në analizën e fundit mbi blerjet e fundvitit, Adobe vuri në dukje se në T IV, shitësit me pakicë bënë zbritje për të nxitur kërkesën. Sektori i PC-ve nuk ishte imun, pasi çmimet mesatare të shitjes (ASP) në disa kanale ranë me shpresën për të lëvizur inventarin e tepërt.
Microsoft përfundoi azhurnimin për Windows 7 dhe Windows 8, gjë që mund të nxisë shitjet në një afat të shkurtër. Sipas StatCounter, pjesa e tregut global të Windows 7 ishte 11.2% në dhjetor 2022, ndërsa Windows 8 ishte i instaluar në 0.66% të pajisjeve në botë.
Edhe Windows 10, me pjesë tregu thuajse 68%, nuk është larg arritjes së statusit “të fundit të jetës”. Microsoft ka përcaktuar datën e “daljes në pension”, më 14 tetor 2025.
/ IDC