Festat e fundvitit kanë kthyer kolonat dhe pritjet e gjata në kufijtë e Kosovës. Shumë mërgimtarë ia kanë mësyrë atdheut kryesisht përmes pikave kufitare me Serbinë, teksa kolonat në këtë pjesë kanë shkuar deri në tri kilometra.
Mërgimtarët që janë nisur për t’i kaluar festat e fundvitit në vendlindje nga vende të ndryshme Perëndimore, po vazhdojnë të përballen me pritje të gjata nëpër kufij.
Përpos që po u duhet të presin me orë të tëra nëpër kufij të shteteve të ndryshme derisa arrijnë në pikëkalimet kufitare në Kosovë, edhe këtu po i pret gjendje njëjtë.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar bëjnë me dije se radhët e automjeteve për të hyrë nga Serbia në Kosovë, në pikëkalimin kufitar të Merdarit, shkojnë deri në 1.5 kilometra.
Po ashtu, edhe në pikëkalimet tjera mes Serbisë dhe Kosovës, në Muçibabë e Jarinje, kolonat e automjeteve shkojnë deri në 1.2 kilometra.
Ndërsa, pritjet si pasojë e këtyre kolonave shkojnë deri në 3 orë në Merdar, kurse në Muçibabë deri në 2 orë. Kurse në Jarinje, ndonëse kolonat e automjeteve shkojnë deri në gati 1 km, pritjet janë vetëm 15 minutëshe.
Policia e Kosovës ka thënë se faji për këto pritje të gjata mbetet tek pala serbe, duke thënë se “ata po punojnë me intensitet të vogël”.
Sipas reagimeve të shumë mërgimtarëve në rrjetet sociale, u raportua që kolona të automjeteve dhe pritje të gjata të mërgimtarëve kosovarë janë regjistruar mëngjesin e djeshëm edhe në vendkalimin kufitar mes Hungarisë dhe Serbisë.
Nën temperatura të ftohta secili autobus në kthim për në Kosovë në këtë pikë kufitare u është nënshtruar kontrolleve të rrepta dhe të gjata.
Gjendje e tillë është krijuar edhe më parë në prag të festave tjera. Për çdo 17 Shkurt, për 28 Nëntor, për festat e Bajramit, si dhe gjatë sezonit të verës shtohen pritjet në këto pika kufitare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.