Deri në 300 euro nata! Sa kushton të pushosh në Shqipëri

20/07/2019 10:11 PM 0 komente

Durrësi është sot për sot bregdeti më i frekuentuar, kjo falë kontratave të parapaguara që agjencitë e huaja kanë me disa struktura akomoduese. Hyrja në treg e disa hoteleve të reja ka rritur mesatarisht çmimet me 1-2 euro në këtë zonë gjatë këtij viti. Velipoja, nga ana tjetër, mbetet sot plazhi më i lirë në të gjithë Shqipërinë me çmime minimale, që nisin nga 25 euro për dhomat dyshe standarde. Dhërmiu dhe Jali ofrojnë çmime “të çmendura” deri në 300 euro nata për suitat. Për disa të huaj, si italianët, Shqipëria është ende e lirë, për shtetasit e Kosovës dhe polakët ajo po shtrenjtohet çka po reflektohet në ulje të numrit të turistëve nga këto vende.

 

Nga Nertila Maho

 

Një dhomë standarde me pamje nga mali, 160 euro nata, një dhomë standarde me pamje nga deti 180 euro nata, një dhomë delux me pamje nga deti, 200 euro nata. Akomodimi në suitë, 300 euro nata. Nuk jemi në Nicë, në Francë. Kjo ishte një nga ofertat me të cilën u përball një familje austriake në Jug të Shqipërisë, saktësisht në Dhërmi. Prej dy vitesh, ata pushojnë në këtë zonë, duke marrë me vete edhe miq të tyre. Për verën 2019, kanë zgjedhur sërish Shqipërinë, por duke ndryshuar hotelin ku kanë qëndruar dy vitet e mëparshme. Shkaku i ndryshimit? Nuk janë të kënaqur me shërbimin që iu ofrohet në hotel krahasuar me çmimin që paguajnë. Për t’ju kthyer edhe një herë ofertës së parë, ata zgjodhën një hotel më të lirë, me 110 euro nata. Duke pasur parasysh Austrinë dhe standardin e tyre të jetesës, sigurisht që një pjesë mund të mendojë që ata e përballojnë, ndaj s’kanë pse ankohen. Kjo është e vërtetë, edhe 300 euro nata mund ta përballojnë, por ndërsa hoteli justifikon çmimin brenda mureve të tij, ambienti përreth e zbeh këtë.

Na u desh ta shihnim me sytë tanë Dhërmiun dhe rrugën e dytë të aksesit, në pjesën e sipërme, për të kujtuar edhe një herë se sapo mbyllet një kantier, hapet një tjetër. Vitin e shkuar, Dhërmiu ishte në pushtetin e pluhurit dhe betonit për shkak të shëtitores që po ndërtohej. Këtë vit nuk kemi ç’të themi për shëtitoren. E shtruar me kalldrëm, e pastër, e pajisur me stola dhe me ndriçim. Estetikisht duket shumë bukur. Por nëse të duhet të kalosh me makinë në rrugën e hapur për automjetet ndryshon sërish mendim.

Rruga është tërësisht e pashtruar, gropat mund t’i gjesh fare lehtë tek-tuk dhe duhet të bëhesh gati që në mos një herë, herën tjetër do ta godasësh makinën, pluhuri që ndihet pastaj gjatë ditës është qershia mbi tortë. Janë të gjitha këto që i bëjnë të huajt të mos duan të paguajnë shtrenjtë për Shqipërinë. Janë shumë 300 euro nata për t’u zhytur në pluhurin dhe gropat që gjen në çdo cep të bregdetit nga Velipoja në Ksamil. Shqipërinë e zgjedhin se është e lirë e nëse shtrenjtohet, gjasat janë që ta braktisin ashtu sikurse po bëjnë polakët apo kosovarët.

 

Durrësi, vështirë të gjesh dhoma, çmimet rriten me 2 euro

Durrësi, falë numrit të madh të të huajve, që vijnë nëpërmjet agjencive, po përjeton vitet e fundit shkëlqimin e tij, pas viteve të tëra braktisje. Nëse do të kërkoni rezervimin e një dhome në fundjavë praktikisht do ta keni të pamundur, flasim këtu tek grupi i hoteleve që konsiderohen relativisht të mirë. Një dhomë standarde për tre veta, me mëngjes, ishte e pamundur të gjendej në disa hotele ku pyetëm dhe që konsiderohen me 3 apo 4 yje, ndërkohë që tek ato ku kishte mundësi të gjeje, çmimi varionte nga 80 euro me mëngjesin të përfshirë, në 70 euro personi (210 euro dhoma) me katër vakte të përfshira në të.

Polakët, çekët, gjermanët, nordikët kanë vite që pushojnë në zonën e Golemit, nga maji e deri në fund të shtatorit me kontrata të parapaguara nga agjencitë, çka i ka rritur vlerën zonës, ka nxitur investime të reja në struktura akomoduese dhe si rrjedhojë ka sjellë edhe rritje graduale të çmimeve.

Arbër Shahu, ortak pranë “Sandy Beach Resort”, shprehet se pavarësisht fluksit që e karakterizon Durrësin vitet e fundit, 2019-a pati një lloj luhatje për shkak të politikës dhe situatës së rënduar të protestave.
“Ne u ndikuam pak nga situata politike dhe protestat në tërësi si sektor, por hotelet e mirë e kapën sërish ritmin. Më së shumti efekti është ndier te hotelet me 3 yje e poshtë të një niveli disi më të ulët dhe ku operimi nuk është me agjenci, por përzgjidhet nga vetë pushuesit e paorganizuar. Për hotelet e mëdha, shifrat mbeten njëlloj pasi kanë funksionuar me rezervim dhe parapagim”, – shprehet Shahu. Lidhur me rënien e polakëve, gjë që u konfirmua edhe nga shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve, ai shprehet se kjo ka ardhur për shkak të rritjes së menjëhershme që u bë në vitet e para dhe kur tregu shqiptar nuk ishte ende gati.

“Vihet re rënie e numrit të turistëve polakë dhe kjo ishte e pritshme, sepse ky treg u rrit në mënyrë të menjëhershme por ne nuk ishim gati. Nga ai ‘bum’ turistësh i pak viteve më parë biznesi është nxitur që të bëjë investimet dhe të krijojë përvojë në këtë lloj turizmi, përfshi paketat. Sigurisht që jemi në proces mësimi. Pavarësisht rënies që ka pasur, mendoj se do të vijnë sërish por do të kemi një rritje më të ngadaltë, por më të qëndrueshme. Strukturat që po ndërtohen tani janë struktura të mira me 100 dhoma, me më shumë hapësira e lehtësi. Mendoj se për 3-4 vite do të kemi një sektor tërësisht të strukturuar dhe me struktura më të mira”, shprehet Shahu.

Vihet re rritja e lehtë e çmimeve për zonën e Durrësit, kryesisht Golemit, që vjen si efekt i hyrjes në treg të strukturave të reja akomoduese. “Janë biznese të reja që po hyjnë në treg. Një pjesë e tyre kanë rritur çmimet mesatarisht me 1 apo 2 euro për dhomë pasi kanë bërë investime të mëdha, por kjo mendoj është e pranueshme, sepse duhet të kemi parasysh që në raport me rajonin ne jemi ende të lirë. Ai konfirmon se nordikët kanë vijuar të rriten, çka tregon për një ecuri pozitive. Ndërkohë gjermanët mbeten njëlloj me shifra. Ashtu sikurse ka pasur tkurrje të numrit të polakëve, vihet re hyrja e tregjeve të reja si Letonia apo Sllovakia.

Në zonën e Durrësit, numri i strukturave që punojnë me kontrata të parapaguara dhe paketa ‘all inclusive’ (të gjitha të përfshira) është rritur edhe më shumë këtë vit dhe operatorët nuk shohin më probleme sa i takon menaxhimit të tyre. Ata nënvizojnë se vit pas viti është krijuar një lloj përvoje dhe menaxhimi dhe janë korrigjuar ato probleme që janë vërejtur në vitin e mëparshëm.

 

Saranda, nordikët e “pushtojnë” nga Korfuzi e Janina, çmimet deri 150 euro

Teksa jemi mësuar që nordikët të përqendrohen në zonën e Golemit duket se Saranda është një tjetër destinacion që përzgjidhet prej tyre. Arbër Shahu, i cili njeh mirë sektorin, thekson se ardhja e tyre në Sarandë është bërë kryesisht nga Janina. “Udhëtojnë tre orë e gjysmë sepse janë kureshtarë për vendin tonë. Gjithsesi, Saranda është në pikën ku ishte Durrësi pak vite më parë. Duhet të rrisin me shpejtësi standardet e shërbimit dhe akomodimit ose, në të kundërt, do të dështojnë shumë shpejt. Një tjetër problem është mungesa e një aeroporti në Jug. Duhet me patjetër për të shkurtuar distancat dhe për t’i dhënë mundësi gjithë vijës bregdetare në Jug për t’u zhvilluar. Përgjithësisht, lidhur me nordikët, tregu i Sarandës po operon me half board (mëngjes dhe darkë) dhe bed and breakfast (mëngjes dhe shtrat)”, thotë ai.

Edhe Rrahman Kasa, nga “Happy Tours”, shprehet se Saranda është e dyta që operon me turizëm të organizuar pas Durrësit. “Turistët vijnë përmes Janinës dhe Korfuzit dhe ka nordikë e polakë. Në shifra, vihet re reduktimi i këtyre dy grupeve në raport me vitet e mëparshme, pasi fokusi është vendosur në Durrës. Dikur Saranda ka qenë shumë më shumë sesa Durrësi në shifra, flasim këtu para tre vitesh. Apollo dhe Itaka preferonin këtë zonë si fillim”, nënvizon Kasa. Lidhur me çmimet, ai nënvizon se janë të ndara në dy lloj çmimesh. Çmimet e para nisin nga 50 euro deri në 150 euro për qytetarët kurse të dytët që janë të fiksuar me kontrata paraprake për turizmin e organizuar dhe që përfshijnë edhe elemente të tjera.

 

Shtetasit e Kosovës braktisin Shëngjinin, 20% më pak se vjet, problem informaliteti

Shëngjini, në këtë sezon veror, paraqitet më dobët sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Të paktën deri në mes të korrikut operatorët raportojnë një numër më të ulët të turistëve sidomos nga Kosova. Mark Gjini nga “Rafaelo Resort” në Shëngjin, struktura më e madhe akomoduese e kësaj zone, thotë se edhe kriza politike e dha një lloj efekti në tkurrjen e rezervimeve.

“Është më dobët se një vit më parë. Të paktën deri tani. Ndoshta ka ndikuar edhe situata politike që ishte pak e tensionuar. Pushuesit e huaj kanë ulur numrin dhe ndaj mendoj që është disi efekt i krizës politike. Janë më pak çekë, polakë apo gjermanë. Kur them ulje, e krahasoj me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ne kemi vijuar të operojmë me paketat ‘all inclusive’ (të gjitha të përfshira) ashtu sikurse edhe vitet e shkuara dhe kemi parë edhe hyrjen e tregjeve të reja. Kemi pasur hungarezë, italianë dhe rusë që sipas përshtypjeve kanë qenë të kënaqur me paketat. Numri i shtetasve nga Kosova, nga ana tjetër, është ulur dhe në raport me një vit më parë, është 20% më pak. Ajo që na frenon si sektor ka të bëjë me infrastrukturën e dobët. Ky është një shqetësim që e kemi edhe nga turistët.

Ata preferojnë që kur vijnë këtu të bëjnë edhe udhëtime të tjera në destinacione të ndryshme nëpërmjet paketave që u vihen në dispozicion. Një prej tyre, që është më afër për shembull, është rruga e Komanit, e cila le për të dëshiruar. Sidomos në udhëtim me autobus, ajo është një rrugë e rrezikshme”, nënvizon Gjini. Sipas tij, problem mbetet trafiku, sidomos në fundjavë. Nga kthesa e Shëngjinit deri në Ranën e Hedhun është e pamundur të lëvizësh. Lidhur me çmimet, ai shprehet se nuk kanë ndryshuar ndërkohë që problem mbeten strukturat informale. “Duhet të vendoset një raport i drejtë mes atyre që janë tatimpagues të rregullt dhe atyre që ushtrojnë këtë aktivitet në informalitet të plotë pasi kështu dëmtojnë rëndë konkurrencën.

Ne ndeshemi çdo vit me këtë fenomen kur dhënia e apartamenteve për pushime bëhet me çmime minimale nga individë të caktuar dhe që nuk paguajnë asgjë në arkën e shtetit. Sot në Shëngjin i gjen dhomat edhe 20 euro në mënyrë informale”, thotë Gjini. Këtë herë, thekson ai, Tatimet kanë pasur një qasje disi më pozitive në aspekt me bizneset duke organizuar fushata sensibilizimi për kuponët tatimorë apo aspekte të tjera të formalizmit dhe pagesave.

 

 

Nga Veriu në Jug, Velipoja më e lira, Jali më i shtrenjti

Operatorët turistikë vlerësojnë se këtë vit ka pasur një qëndrueshmëri të çmimeve në raport me një vit më parë. Bregdeti ka ruajtur prirjen e vet tradicionale ku zonat e konsideruara të lira e shoqërojnë këtë jo vetëm me pjesën e akomodimit por edhe të shërbimeve të tjera restorante, bare dhe shezlongë ashtu sikurse janë të njëjtat zona që konsiderohen të shtrenjta prej vitesh. Sipas operatorëve të tregut, Velipoja mbetet vija bregdetare më e lirë në gjithë vendin me struktura akomoduese që ofrojnë çmimet që nisin nga 2000 lekë deri në 4000 lekë për person.

Një pjesë e mirë e këtyre hoteleve po ofrojnë menu të tipit half board (mëngjes dhe darkë) dhe strukturat janë të kategorisë 1 deri në 3 yje që kryesisht i frekuentojnë turistët nga Kosova. Shëngjini është pak më i shtrenjtë nga 10-20% më shumë se Velipoja. Fillimisht ai ishte destinacioni i parë i polakëve dhe çekëve, por së fundmi ka humbur këtë klientelë. Operatorët nënvizojnë se vetëm fundjavave ka ngjallëri të përgjithshme në gjithë vijën bregdetare, ndërsa gjatë javës gjysma e shezlongëve janë bosh.

Për të zbritur më poshtë në Durrës, shkëlqimi i zonës së Golemit lidhet ngushtë me faktin që preferohet për shkak të afërsisë që ka me Aeroportin e Tiranës. Turistët nordikë, polakë dhe gjermanë preferojnë të udhëtojnë me charter dhe të kalojnë pak kohë në autobusë. Distanca nga Tirana në Durrës është e tillë që tolerohet.

Divjaka, përmes disa strukturave të veçanta, ka nisur të ofrojë shërbimet all inclusive kundrejt paketave 50 euro personi ndërkohë që vetëm hoteli për një dhomë standarde dyshe luhatet mes 20 dhe 50 euro. Për të zbritur më tej në Vlorë. Kjo e fundit në raport me një vit më parë mbetet në të njëjtat nivele, por në raport me Durrësin më e shtrenjtë, sidomos kur merr parasysh përfshirjen e Jalit apo Dhërmiut. Zonat me çmime më të përballueshme në Vlorë janë Radhima dhe Orikumi ku mund të gjesh edhe dhoma me 30 euro. Gjithsesi, ka një lloj diference për dhomat afër detit dhe për ato më të distancuara, që sigurisht janë më të shtrenjta. Ashtu sikurse ka një diferencë mes dhomave në struktura akomoduese të regjistruara dhe ato që ushtrojnë aktivitetin në informalitet.

Jali dhe Dhërmiu, edhe pse ofrojnë ekstremet e sipërme me çmime deri në 200 euro nata, ofrojnë edhe mundësi të lira. Por ajo që sërish i bën të shtrenjta si destinacione janë shërbime të tjera që lidhen me shezlongun që në disa raste shkon edhe 10 mijë lekë të reja, apo baret dhe restorantet. Frekuentues të Vlorës dhe Jugut janë kryesisht kryeqytetasit, emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë apo italianët, gjermanët dhe polakët por në mënyrë të paorganizuar. Arsyet pse ende nuk kemi një masivizim në këtë zonë është çështja e transportit.
Saranda është e dyta pas Durrësit për turizmin e organizuar. Lidhur me strukturat akomoduese, çmimi mesatar minimal është 40 euro nata ndërsa ai mesatar maksimal, është 110 euro nata.

 

Çmimet në rritje po largojnë polakët, po hedhin sytë nga Greqia dhe Turqia

Numri i turistëve polakë ka rënë gjatë këtij viti. Shifrat zyrtare tregojnë se për periudhën janar-maj 2019 kanë hyrë në vend 13 mijë shtetas polakë, me rënie 4.2% me bazë vjetore.

Tkurrja ishte më e lartë në maj, kohë që përkon me fillimin e sezonit turistik. Sipas INSTAT, në muajin maj polakët, shënuan rënie me gati 13% në raport me majin e kaluar, jo vetëm për shkak të krizës politike, por edhe problemeve që ka Shqipëria me shërbimet, infrastrukturën. Në një intervistë për “Monitor”, Maciej Sokalski, Koordinator i Shitjeve për “Rego-Bis” në Poloni, nënvizonte se një nga arsyet pse polakët po largohen është rritja e çmimeve. “Nga viti 2015, kur kam ardhur për herë të parë këtu, Shqipëria ishte një bum i madh. Ne filluam të shisnim çdo vit e më shumë paketa për këtë destinacion. Nisëm me një avion dhe një autobus në javë. Më pas, në 2016-n, kishim dy avionë dhe një autobus. Në 2017 dhe 2018, kishim tre avionë në javë dhe një autobus. Pak a shumë ishin bashkë 800 njerëz në javë. Këtë vit, kemi vetëm dy avionë dhe një autobus sepse Shqipëria tashmë është shumë e shtrenjtë për ne.

Mund të blejmë të njëjtat pushime në Greqi ose në Turqi, edhe në hotele me katër yje. Ndryshimi në çmime erdhi vitin e kaluar dhe ishim në një pikë ku Shqipëria mund të krahasohej me Turqinë. Shumë njerëz nga Polonia zgjedhin Greqinë dhe Turqinë, sepse kanë imazh më të konsoliduar turistik. Unë vetë përpiqem t’iu shpjegoj dhe iu flas shumë për anën pozitive të Shqipërisë. Por opinioni që mbizotëron është ai i një vendi të ndotur. Mund të shohësh fare mirë që rreth hoteleve, mjedisi vuan shumë nga plehrat dhe nuk ka kosha”, shprehet Sokalski.

 

Tabela: Çmimet për Divjakën edhe pse rezultojnë më të ulëta sesa Velipoja nuk shërbejnë si referencë për operatorët e tregut pasi ka kapacitet të ulët akomodues.

Trafiku në Jug, një tmerr që nuk merr fund prej vitesh, pavarësisht Bypass-it të Fierit

Erjolës dhe shoqeve të saj ju desh të mbërrinin në Tiranë në orën 03:00 të mëngjesit të së hënës pavarësisht se kishin lënë Dhërmiun që në orën 17:30 pasdite. Do të përballeshin me trafikun që niste nga ngjitja e Llogorasë e vazhdonte deri poshtë në Orikum, më pas në Radhimë e deri në hyrje të Vlorës. U dorëzuan në orën 00:00 në hyrje të Vlorës për të pirë një kafe dhe për të pritur që situata të kalonte teksa një autobus i mbetur në mes të rrugës u desh të hiqej me vinç për të zgjidhur kaosin që shkaktoi në datën 7 korrik.

Vargu i gjatë i makinave nuk është diçka e re për këtë zonë, pasi çdo mëngjes për të dalë nga Vlora e për të shkuar drejt Radhimës të duhen minimalisht 40 minuta pasi kalimi tek tuneli tek Uji i Ftohtë përkufizohet një mish-mash. E gjithë kjo ndodhi teksa një javë më parë, kryeministri dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë inspektuan Bypass-in e Fierit i cili është hapur me një kalim për automjetet, duke shkurtuar distancën me Vlorën me 35 minuta. Pra ju mbërrini në trafikun e Vlorës 35 minuta më parë sesa përpara hapjes së këtij Bypassi. Por cila është zgjidhja për trafikun e Vlorës?

Është pikërisht Bypassi i këtij qyteti. Ky aks ka një gjatësi të projektuar 29 km dhe fillon nga rreth-rrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga zbret poshtë në drejtim të Orikumit afërsisht 12 kilometra. Deri në fund të majit në këtë Bypass ishin kryer vetëm 12% e punimeve ndërkohë që parashikohet që e gjithë vepra të jetë e aksesueshme në fillim të vitit 2021. Bypass-et e Vlorës dhe Fierit janë dy vepra që shoqërohen prej vitesh me problematika. Kompania e mëparshme që fitoi tenderin u largua duke i braktisur punimet. Në nëntor të vitit të shkuar, kompania “CGC, Combined Group Contracting” nënshkroi kontratën për Fierin, me vlerë 37.9 milionë euro.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of