Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj, mori pjesë në punimet e Konferencës Shqipëri-Hungari “Sjellim së bashku profesionistët e biznesit të ujit”, ku tha se në 4 vite janë investuar rreth 200 milionë euro, në ujësjellës të rinj.
Ministri tha se nuk është nevojshme të ketë rritje të tarifave të ujit.
“Bashkë me donatorët si Qeveria Gjermane me KFW, Banka Botërore, Bashkimi Europian etj., i kemi kushtuar një vëmendje sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, ku kemi investuar së tepërmi. Vetëm javën e kaluar kemi përuruar ujësjellësin e ri të Sarandës me vlerë 6,7 milionë euro, ndërsa kemi përuruar më parë edhe ujësjellësin e Beratit, Lushnjës, Peshkopisë etj. Investimet në sektor në 4 vite shkojnë deri në 200 milionë euro, një pjesë me buxhet dhe donatorët. Kemi shtruar qindra kilometra me rrjet të ri në gjithë vendin.
Është rritur dukshëm mesatarja e furnizimit me ujë në të gjithë vendin, ku Qeveria Shqiptare ka investuar rreth 60 milionë euro në 4 vite.
Tejet i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë me donatorët ndërkombëtarë, ku në 4 vite janë përfituar dhe investuar 140 milionë euro, ndërsa në fushën e kanalizimeve 20 milionë euro”, tha ministri Dervishaj.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të qeverisë hungareze si ministri i Shtetit për Diplomacinë Ekonomike Levente Magyar, dhe përfaqësues të tjerë nga biznesi dhe shoqatat e ujit në Hungari.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ne fakt kete gje e vendos Bashkia dhe Enti Rregullator i Ujit z. Minister. Nuk eshte kompetece e MTI te ule apo ngreje tarifa e sherbimit.