Sektori i ndërtimit duket më optimist për këtë vit që sapo ka nisur. Një nga faktorët që do të ndikojë më shumë pozitivisht është nisja e shlyerjeve të borxheve nga ana e qeverisë për bizneset, ku kryesisht përfshihen ato të infrastrukturës.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishi, thotë për revistën “Monitor” se problemi i borxheve pritet të marrë zgjidhje, pasi qeveria ka premtuar që brenda 3 muajve të parë do të shlyejë detyrimet dhe kjo do të krijojë premisa që biznesi të ecë para.
Ndërtuesit thonë se paratë që do të vilen nga borxhet do të orientohen së pari drejt shlyerjes së kredive bankare, pagimit të borxheve ndaj të tretëve, ndërsa pjesa tjetër do të investohet. Kjo do të sjellë zhbllokim nga ana e bankave private për lëvrimin e kredive të reja. Në total, përllogaritet se qeveria i detyrohet sektorit të ndërtimit 150 milionë euro.
“Nga ana tjetër, investimet publike janë të zvogëluara dhe nuk do të ketë rritje të madhe dhe ndërkohë, fondi i parashikuar për të mbyllur projektet e nisura është i pamjaftueshëm. Por çlirimi i këtyre parave do të japë ndikim pozitiv.
Është një lajm i mirë nga ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, e cila deklaroi se qeveria mund t’i drejtohet tregut privat për të blerë apartamentet për të pastrehët dhe kryesisht kjo kërkesë do të orientohet në zonat e stokut, sidomos në ato periferike. Në zonat periferike, kjo do të sjellë impakt pozitiv. Kryesisht në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë, etj. Nëse kjo do të ndodhë, do të sjellë efekt pozitiv në këtë drejtim”, thotë z. Dervishi.
Nga ana tjetër, pezullimi i kredive të buta nga ana e qeverisë pritet të japë efekt negativ në tregun e apartamenteve sepse gjatë vitit të fundit kanë dhënë impakt pozitiv në shitblerjen e tyre, sidomos në zonat periferike.
Ndërtuesit, sakaq, e shohin me pozitivitet bllokimin e ndërtimeve e reja në Komuna sepse kjo u jep fund ndërtimeve pa kriter dhe pa leje, sidomos në bregdet.
“Shqetësues është fakti se nga Bashkia e Tiranës ende nuk kemi zhbllokim të lejeve të ndërtimit që të mund të nisin investimet brenda vijës së verdhë të kryeqytetit”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.