Dështimi i madh, Kosova nuk e siguroi vaksinën as në muajin shkurt

01/03/2021 12:00 PM 0 komente

Këtë muaj bëhen një vit që nga data kur në Kosovë u konfirmuan rastet e para të infektuarve me COVID-19. Pavarësisht se ka kaluar kohë shumë e gjatë dhe thuajse të gjitha vendet e botës kanë vaksinuar shumicën e popullatë së tyre, ardhja e vaksinës në Kosovë ka mbetur vetëm fjalë. Nga 13 marsi i 2020 e deri më tash 1 mijë e 599 qytetarë kanë vdekur.

Derisa vendet e rajonit kanë filluar vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19, në Kosovë ende nuk ka arritur vaksina kundër kësaj sëmundjeje.

Serbia ka nisur vaksinimin e popullatës së saj kundër koronavirusit më 24 dhjetor 2020, duke përdorur vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech. Deri më tani ky shtet ka marrë, 1.9 milion doza të vaksinave kundër COVID-19.

Shqipëria ka administruar deri tani, sipas burimeve të saj zyrtare rreth 11 mijë doza, ose vetëm  0.23 doza për 100 mijë banorë.

Në Maqedoninë e Veriut vaksinimi ka nisur më 17 shkurt me 4.680 dozat e vaksinës së Pfizer/BioNtech, që i janë dhuruar nga Qeveria e Serbisë.

Ngjashëm edhe Mali i Zi ka nisur vaksinimin në muajin shkurt me vaksinën ruse kundër koronavirusit, Sputnik V, që e ka përfituar si donacion nga Serbia. Ky shtet deri më tani ka marrë 7.000 doza të Sputnik V.

Por, kjo nuk po ndodh edhe me Kosovën. Qytetarët e Kosovës tashmë janë në pritje të vaksinës që ishte premtuar.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj vazhdonte të deklaronte se vaksina arrin gjatë muajit shkurt, e madje deklarohej i bindur për këtë një gjë e tillë ishte vetëm gënjeshtër.

Tashmë muaji shkurt përfundoi, e tek ne po bëhet një vit i plotë pandemik.

Jo vetëm Zemaj, premtimit për vaksinën iu bashkua edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Lexo edhe këtë: Zemaj: Këtë muaj vaksina anti-covid do të jetë në Kosovë

Pikërisht më 6 janar, Hoti pati deklaruar hapur se vaksinat e para antiCOVID arrijnë në muajin shkurt, ndërsa sipas parashikimeve pritet që të vaksinohen afro 20 mijë qytetarë brenda ditës.

“Dje janë konkretizuar bisedat për 535 mijë vaksina, janë konkretizuar bisedat më Austrinë për 600 mijë vaksina. Kemi siguruar edhe buxhetin dhe janë ndarë 40 milionë euro për vaksinën anti-COVID. Presim që vaksinat e para të vijnë në shkurt”, pati deklaruar Hoti.

Lexo edhe këtë: Kryeministri i Kosovës: Janë siguruar gati dy milionë vaksina anti-Covid, të parat vijnë në shkurt

Në po të njëjtën ditë, ministri në detyrë, Armend Zemaj deklaroi se gjatë muajit janar do të finalizohej marrëveshja mes Ministrisë dhe kompanisë Pfitzer në mënyrë që vaksinimi të fillojë në muajin shkurt.

“Gjatë kësaj jave MSH dhe kompania Pfizer do të finalizojë marrëveshjen dhe në muajin shkurt do të fillojë vaksinimin. Me qëllim të vaksinimit të suksesshëm Instituti ka përcaktuar edhe grupet për vaksinim, të gjithë qytetarët që duhet të vaksinohen do të vaksinohen dhe tanimë kjo është e siguruar, vaksina do të jepen falas për popullatën”, pati thënë Zemaj.

Por përpos kësaj ende nuk ka një zyrtarizim të marrëveshjes për sigurimin e vaksinës antiCOVID nga kompania Pfitzer, ndërsa nuk ka datë nga Qeveria e Kosovës as se kur do të vijnë vaksinat nga prodhuesi COVAX.

Premtimet për vaksinën antiCOVID, Zemaj nuk i ndali asnjëherë duke deklaruar se ato do të arrijnë në muajin shkurt.

“Jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Gjatë muajit shkurt, vaksina antiCOVID do të jetë në Kosovë. Përgatitjet janë më intensive në qendrat e mjekësisë familjare”, deklaroi ai.

Pavarësisht gjithë kësaj, Kosova ende mbetet peng i këtyre premtimeve për vaksinim, por që një gjë e tillë nuk po bëhet.

Lexo edhe këtë: Në fund të shkurtit, Kosova do të marrë 100 mijë vaksina nga COVAX

Organizata Botërore e Shëndetësisë më 15 shkurt pati dhënë dritën jeshile për përdorimin emergjent të një vaksine kundër COVID-19, të prodhuar nga kompania farmaceutike AstraZeneca, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Kjo ishte vaksina e dytë që OBSH-ja autorizoi, pas vaksinës Pfitzer/BioNTech në muajin dhjetor.

Kosova pritej të marrë falas vaksinën e AstraZencas, përmes programit të OBSH-së, COVAX, që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinës në vende të varfra.

Madje në një raport të publikuar më parë u bë e ditur se Kosova do të marrë nga COVAX, 100.800 doza nga kjo vaksinë.

Deri më tani në Kosovë kanë arritur vetëm frigoriferët të cilët shërbejnë për ruajtjen e vaksinave.

Siç duket fjalët e mëdha të Armend Zemajt dhe Avdullah Hoti për sigurimin e vaksinës mbetën premtime të politikës, derisa qytetarët vazhdojnë të përballen me situatën e rënduar nga ky virus.

Kosova hyn në vendet me një ekonomi të pazhvilluar. Buxheti i saj për vitin 2021 kap vlerën e 2.4 miliardë eurove.

Nga ky buxhet, janë ndarë 40 milionë euro për blerjen e vaksinave dhe për nevoja që lidhen me pandeminë e koronavirusit.

Që prej 13 marsit, 2020 e deri më 28 shkurt, 2021, Kosova ka regjistruar 69.230 raste me koronavirusin e ri. Prej tyre, 1.599 raste kanë përfunduar me fatalitet, ndërkaq, 59.849 pacientë janë shëruar. Raste aktive janë 7.782.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of