Ka dështuar të votohet për të gjashtën herë radhazi Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Pro këtij projektligji kanë qenë vetëm 58 deputetë. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.
Për të gjashtën herë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Në seancën e fundit morën pjesë në votim vetëm 58 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj ishte bartur për seancën e sotshme.
Edhe sot pro këtij projektligji kanë qenë vetëm 58 deputetë.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim.
“Janë vetëm 58 vota, rrjedhimisht nuk ka vendimmarrje për këtë projektligj”, ka thënë nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.
Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë as në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.
Përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar që ky Projektligj të miratohet sa më parë, pasi sipas tyre, ka rritje të shpenzimeve të familjeve dhe bizneseve.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Lexo edhe këtë: Shpresa e fundit për ligjin për rimëkëmbje ekonomike të Kosovës
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën prej 385 milionë eurosh. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, të ndihmohen bizneset, pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Shumica e bizneseve në Kosovë, gati në të gjithë sektorët, kanë raportuar vlera të mëdha të humbjeve financiare dhe zvogëlim të kapaciteteve prodhuese, nga masat e marra nga qeveria më 13 mars për parandalimin e pandemisë.
Humbjet ekonomike që janë evidentuar deri më tani kanë të bëjnë me të hyrat tatimore dhe doganore.
Sipas të dhënave të dy institucioneve, Administratës Tatimore dhe Doganave të Kosovës janë mbi 232 milionë euro më pak të hyrat buxhetore për këtë vit, si pasojë e pandemisë se shkaktuar nga koronavirusi.
Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon emergjente fiskale, në vlerë rreth 180 milionë euro. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbusë problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, nga qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti. Kurse, disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.