Për herën e tretë ka dështuar votimi në lexim të parë i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.
Partitë opozitare kanë kritikuar propozimin e Qeverisë, me PDK-në që ka thënë se nëse bëhet fjalë vetëm për ndihmën nga tërheqja nga Trusti, kjo mund të bëhet edhe përmes një amendamenti në Ligjin për Fondet Pensionale.
Ka dështuar për të tretën herë votimi i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike në mungesë të kuorumit. Vetëm 60 deputetë kanë marr pjesë në votim.
Kjo pikë e rendit të ditës kaloi për në seancën e radhës.
“60 deputetë kanë marrë pjesë në votim, rrjedhimisht do të duhet të provojmë sërish në seancën e ardhshme”, tha kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, tha sot në Kuvend se ky Projektligj nuk e ka qëllim vetëm tërheqjen e 10 përqindëshit të trustit.
“Ka në vete disa nene që e bëjnë të mundshme implementimin e programit qeverisës për rimëkëmbje ekonomike”, tha ajo.
Sipas saj, njëra është hapja e 10 dritareve të reja në kuadër të fondit kosovar për garanci kreditore deri në shumën 100 milionë.
Bajrami tha se me këtë projektligj jep mundësinë që edhe fermat e vogla që nuk janë fare të regjistruara si biznese, të marrin kredi nën ombrellën e fondit.
“Projektligji mundëson që 100 milionë euro nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit të mund të shfrytëzohen për transfere dhe subvencione për t’iu ndihmuar ndërmarrjeve në sektorin privat.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që duke u bazuar në nevojën e bizneseve për veprim të shpejtë për zbatimin e masave të rimëkëmbjes ekonomike, të arrijnë konsensusin e nevojshëm që do të mundësonte krijimin e legjislacionit përkatës për zbatimin e këtyre masave.
“Duke qenë të vetëdijshëm që përmbajtja e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike ka nevojë për plotësim të mëtejmë me dispozita të tjera që adresojnë vështirësitë e sektorit privat, në fazën aktuale, por edhe në fazë afatgjatë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane u kërkojnë deputetëve që në seancën e sotme të aprovojnë në lexim të parë projektligjin e proceduar nga ekzekutivi, duke hapur mundësinë e plotësimit të mëtejmë të tij deri në leximin përfundimtar”.
Në mungesë të kuorumit javën e kaluar deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish kishin dështuar të miratojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Në seancë kishin marr pjesë në votim vetëm 41 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj është bartur për seancën e radhës.
Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë as në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë, ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.
Projektligji parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10-përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensinonale (Trusti).
Në anën tjetër, ky Projektligj parasheh zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike.
Sipas këtij programi, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite, duke themeluar Fondin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19.
Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon emergjente fiskale, në vlerë rreth 180 milionë euro. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbusë problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, nga qeveria e udhëhequr nga ish -kryeministri Albin Kurti.
Kurse, disa nga masat e saj janë duke u zbatuar pas ardhjes së Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.