Kuvendi i Kosovës ka dështuar edhe një herë që ta miratoi në lexim të dytë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimi i Pakos në vlerë prej 365 milionë euro, ndërsa ky projektligj parasheh edhe plotësimin e një sërë ligjesh.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të mbahet seanca e paraparë për votimin në shqyrtim të dytë të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike COVID-19.
Osmani ka thënë se në mungesë të kuorumit kjo seancë nuk do të mbahet.
Ndërsa ka bërë thirrje që të ketë më shumë deputet në seancën tjetër që pritet të fillojë nga ora 12:00, në të cilën do të votohen pikat e mbetura nga seancat e kaluara.
Kujtojmë, që në këtë seancë pritej të votohet Ligji për Rimëkëmbje Ekonmike e cila pritet të kalojë në leximin e dytë.
Ky ligj u votua shtatë herë derisa kaloi në leximin e parë, ndërsa për të kaluar duhet të votohet edhe sot në leximin e dytë në Kuvend nga deputetët.
Kjo pako është mekanizëm shtetëror si përpjekje e stabilizimit të ekonomisë e cila është goditur nga pandemia COVID-19.
Lidhur me këtë, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka sqaruar se kur qytetarët mund të aplikojnë për t’i tërhequr kursimet e tyre nga ky institucion.
“Besojmë se ne jemi gati, sikurse e kemi deklaruar edhe disa herë, që sapo të jetë kjo e mundur ligjërisht, ne do të mundësojmë aplikimin për tërheqjen e 10 përqindëshin”.
Pas aplikimit nga ana e qytetarëve, mjetet në një kohë të shkurtër do të dalin në llogaritë bankare të tyre.
“Kalimi i mjeteve nga llogaria e Fondit Pensional në llogarinë bankare të përfituesit, është çështje e procedurave, por ne mendojmë se do të duhej të kryhej brenda disa ditëve, e në skenarin më të keq mund të jetë çështje javësh”.
Ndryshe, para një muaji ky projektligj i cili është vënë në votim për herë të shtatë me radhë në Kuvend, pas gjashtë dështimeve, ka kaluar në parim me 64 vota pro të deputetëve, me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Ligji dërgohet tek presidenti për shpallje. Ndërkaq, ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
PDK bojkoton Kuvendin për një javë
Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës, deri në javën tjetër dhe ka ftuar edhe liderët e institucioneve dhe partive politike që t’i bashkohen kësaj nisme.
Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, në një konferencë për media, tha se PDK-ja nuk synon të ndërhyjë në punën e drejtësisë dhe as të komentojë punën e Dhomave të Specializuara, porse vendimin e ndërlidhi me nevojën për “reflektim për zhvillimet e fundit”.
Partia Demokratike e Kosovës është partia e tretë për nga numri i deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Vendimi i saj për të mos marrë pjesë në punën e legjislativit ndodh në ditën kur është planifikuar mbajtja e një seance të Kuvendit. Në rend të ditës është votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
“PDK-ja nuk do të marrë pjesë në agjendën e Kuvendit të Kosovës. Ky hap nuk lidhet me zhvillimet që i përkasin drejtësisë, por me nevojën tonë për sensibilizim, sepse ne konsiderojmë se para se të sillemi me agjendën tonë të zakonshme, siç rëndom ndodhë, neve na duhet reflektim dhe unitet përballë këtyre zhvillimeve të pazakonshme”, tha Tahiri.
PDK-ja aktualisht po udhëhiqet nga Enver Hoxhaj, që është emëruar ushtrues detyre i kësaj partie, pasi kryetari i deritashëm, Kadri Veseli po përballet me aktakuzë për krime lufte nga Prokuroria e Specializuar e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Tahiri vlerësoi se ato kanë pas pasur efekte të rënda në rrafshin socio-politik dhe atë institucional.
“Ato kanë prekur edhe rrafshin e kujtesës tonë kolektive si provokim për shtrembërimin e të vërtetës që e dijmë të gjithë. PDK beson fuqishëm në luftën e drejtë të UÇK-së dhe kauzën e e saj për liri”, shtoi Tahiri.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.