Në Komisionin për Buxhet dhe Transfere ka dështuar votimi i projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2021 dhe projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Ky projektligj pas thuajse 7 tentimeve ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo problem për votimin e tij është hasur në komisione.
Në mungesë të kuorumit në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, votimi i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021 dhe raporti me rekomandime për Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike ka mbetur për një mbledhje tjetër.
Deputeti i LDK-së, Shkelzen Hajdini, ka kërkuar që votimi për këto dy pika të shtyhet për një mbledhje tjetër.
“Dy projektligjet të mos hidhen në votim sot, të shtyhen në një ditë tjerët”, tha ai.
Kurse, deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, ka thwnw se si parti i bëjnë thirrje qeverisë që të merr parasysh rekomandimet e tyre, e nëse ato merren parasysh ai tha se do ta votojnë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
“Jemi në një situatë shumë të palakueshme ku ky ligj është bërë një problem ditor i qytetarëve. Unë po i bëj thirrje partive në pushtet, qeverisë, që të ulet me grupin tonë parlamentar dhe të marrë parasysh rekomandimet, në momentin që ato merren parasysh, PDK do ta mbështesë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike”, tha ai.
Hajdini, u ka premtuar se do të merren parasysh të gjitha rekomandimet që janë në harmoni me ligjin.
“Ne kemi bërë ftesë vazhdimisht, unë premtoj se krejt çka është në harmoni me ligjet në fuqi premtoj se do të merren parasysh”, tha ai.
Ndërkaq, Gashi, tha se po kërkojnë që të mos jetë retorikë por kryeministri të ulet dhe me opozitën që t’i merr parasysh amendamentet që i kanë propozuar.
“Po kërkoj që të mos jetë retorikë, por kryeministri si propozues të ulet edhe me opozitën që t’i merr parasysh se amendamentet që i ka propozuar PDK janë të thjeshta. Jemi të gatshëm edhe sot të ulemi dhe t’i japim rrugë, por këtë duhet ta bëjë kryeministri i Kosovës” .
Lexo edhe këtë: Dështon sërish seanca për votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike
Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.