Plani i Serbisë për te inskenuar krizë humanitare në veri ka dështuar. Kjo pasi nga sot do të hapen dyqanet të cilat ishin mbyllur para dy dite për të paraqitur kinse gjendje të rëndë të jetës së komunitetit serb, në mungesë të produkteve elementare nga Serbia. Ndërsa, pasi u mbyllën lokalet, Qeveria e Kosovës atje hapi pika shitëse me artikuj ushqimorë, në mënyrë që të furnizoheshin qytetarët.
Shoqata e afaristëve serbë në veriun e Kosovës bëri te diur se të mërkurën do të rihapen dyqanet, që qëndruan të mbyllura për dy ditë në atë zonë.
Mbyllja e dyqaneve ishte pjesë e protestës ndaj tarifave prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës u vuri mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërvënieje, siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.
Kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve, Radosh Petroviq, ka thënë se dyqanet, farmacitë e restorantet që ishin mbyllur do të hapen.
“Ne kemi treguar forcë, unitet me mbylljen e tyre. Ata nuk mund të na thyejnë dhe se ne nuk do të vuajmë nga sulmet e tyre. Çdo përpjekje e mëtejme e Prishtinës do të kthehet me përgjigje edhe më të fortë”, ka thënë ai.
Derisa ai u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kuptojnë situatën në veri dhe t’i përgjigjen asaj, para se të ndodh ndonjë incident.
Kurse, në një njoftim të shoqatës së afaristëve serbë thuhet se “protesta paralajmëruese dëshmoi fuqinë, bashkimin dhe gatishmërinë për luftën e serbëve në veriun e Kosovës. Dëshmuam fuqinë dhe bashkimin që nuk mund të na thyejnë dhe nuk do të durojmë që të qëllojnë dhe të sulmojnë ata që bëjnë furnizimin me mallra jetike”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se çdo përpjekje e mëtejshme e Prishtinës do të përballet me përgjigje edem ë të fuqishme.
“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që përfundimisht të kuptojë situatën dramatike dhe të reagojë për të qetësuar Prishtinën, para se të ndodhë ndonjë incident që mund t’i sjellë hesapet në pikën pa kthim”, thuhet në njoftim.
Qeveria e Kosovës shpërndau kamionë me mallra në veri për të mbushur boshllëkun e krijuar nga protesta, por përfaqësuesit e serbëve thanë se askush nuk ka blerë prej tyre. Mediet në veri, ditë më parë kishin publikuar një urdhëresë të organizatës së afaristëve serbë” që bënte thirrje që askush të mos blejë në dyqanet në pjesën jugore të Mitrovicës të banuar me shumicë shqiptare, e madje as në lagjen e boshnjakëve që është me popullsi të përzier në veri.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha të martën se qeveria do të mbështesë dhe mbrojë qytetarët e saj në veri. Ai është takuar me ambasadorët e shteteve kryesore euro-perëndimore dhe shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, siç tha për t’i informuar për angazhimin e qeverisë për sundim të ligjit dhe rendit në veri, si dhe për veprimet e ndërmarra për furnizim të qytetarëve të asaj ane me artikuj të nevojshëm”.
Në një postim në rrjetin twitter ai i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që “të mos e zbatojë skenarin mashtrues për të destabilizuar veriun e Kosovës. Kriza e rreme ‘humanitare’, nuk do të shërbejë kurrë si mburojë për qëllimet tuaja të destabilizimit, dhe ju do të mbaheni përgjegjës”, shkroi ai.
Para tarifave, Serbia eksportonte në Kosovë rreth 500 milionë euro në vit dhe autoritetet në Serbi janë ankuar për humbje të mëdha të kompanive serbe që nga nëntori i vitit të kaluar.
Beogradi akuzon Prishtinën se ka bllokuar procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me tarifat duke kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin për kushtëzim bisedimesh./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.