Ndërsa dhjetori po fillon dhe ju përgatiteni për të hequr nga kalendari juaj 31 ditët e fundit të vitit, mund të tundoheni për të lënë mënjanë pasaportën dhe ta shkëmbeni dëshirën tuaj për aventura me netët e qeta brenda në shtëpi.
Por mos u ndalni tani! Dhjetori është i mbushur me aventura plot adrenalinë në majat e maleve dhe lumenjtë e rrjedhshëm; me disa arrati të vogla drejt destinacioneve ku nuk mungon vera e zier (Vin brulé) koktejet e rumit dhe ushqimet pikante në rrugë; ecje në botën e egër me krijesa shumëngjyrëshe dhe gjigantë fluturues; dhe festime të panumërta sezonale që ju çojnë nga dielli i Karaibeve te qyteti i Babagjyshit.
Këtë vit, udhëtimet e dhjetorit do të jenë më të ndërlikuara nga pandemia COVID-19 dhe rritjet e rasteve të reja të infektimeve, së bashku me kufizimet për udhëtimet. Mundësia për të udhëtuar do të varet nga vendi ku jetoni dhe vendi ku dëshironi të shkoni. Por nëse jeni duke kërkuar për destinacionet e dhjetorit që do të nxisin dëshirën tuaj për të udhëtuar, mund t’i gjeni këtu.
Cilat janë vendet më të mira për t’u vizituar në dhjetor për aventura?
Patagonia, Amerika e Jugut
Vishni çizmet tuaja për një aventurë të fundvitit në skajet e egra të tokës. Dhjetori është koha ideale për të eksploruar parkun kombëtar mahnitës të Patagonisë, Torres del Paine. Ndërmerrni një udhëtim epik përgjatë qarkut tetëditor, ose bëni udhëtimin katërditor “W” për të shijuar pamjet nga Los Cuernos (“brirët”), majat ikonike të thepisura prej graniti të këtij rajoni.
Ishujt Similan, Tajlandë
Eksperienca të ngjashme befasuese mund të përjetoni edhe nga zhytja në shkëmbinjtë koralorë nënujorë përreth Ishujve Similan të Tajlandës. Nën sipërfaqen vezulluese të oqeanit do të gjeni peshkaqenë, barrakuda, si dhe breshka të gjelbra dhe ato skifter – është me të vërtetë përjetësimi i filmit të animuar “Finding Nemo”.
Tasmania, Australi
Adhuruesit e adrenalinës duhet të vizitojnë parkun kombëtar Franklin-Gordon Wild Rivers të Tasmanisë për rrugët ujore të gjëmueshme dhe rafting në lumenj të klasit botëror. Organizojeni udhëtimin tuaj për të eksploruar peizazhin përreth, nga grykat shkëmbore e malet, deri te pyjet në ngjyrë smeraldi.
Alta, Juta, SHBA
Në Alta, bora ka mbërritur, por turmat e turistëve ende jo, prandaj shkoni shpejt për të lënë gjurmën tuaj në disa nga terrenet më të bukura në SHBA për ski.
Cilat janë vendet më të mira për t’u vizituar në dhjetor për kulturë?
Talin, Estoni
Nëse jeni duke ëndërruar për një Krishtlindje të bardhë, shkoni në Talin për të parë qytetin mesjetar të zbukuruar me një batanije dëbore, të kompletuar me qirinj vezullues që përshkojnë rrugët, si dhe tregjet të cilat ofrojnë veҫoritë tipike të Krishtlindjeve dhe ëmbëlsirat festive.
Rovaniemi, Finlandë
Dhe nëse kjo nuk ofron mjaftueshëm bukuri sezonale për ju, mendoni për Rovaniemi në Laplandën finlandeze, “shtëpia zyrtare” e Babagjyshit. Pasi të keni plotësuar listën e dhuratave me vetë të zotin e punës, ofrojini vetes një safari me renë (drerët e veriut) për të eksploruar plotësisht rajonin.
Edinburg, Skoci
Teksa viti po mbaron, festat sa vjen e shtohen, e më shumë sesa kudo kjo ndodh në kryeqytetin e Skocisë, ku festimet e Hogmanay me pishtarët flakërues, shfaqjet e fishekzjarreve dhe festat gjatë gjithë natës duket se pushtojnë rrugët zakonisht të qeta me kalldrëm.
Trinidad
Ishulli më jugor i Karaibeve, Trinidad, i cili është paksa më i qetë, zien me performanca muzikore të stilit spanjoll, ndërsa vendasit bëhen gati për fillimin e sezonit të thatë.
Cilat janë vendet më të mira për t’u vizituar në dhjetor për jetën e egër dhe natyrën?
Jukkasjärvi, Suedi
Nëna Natyrë është dhurata që vazhdon të ofrojë mrekulli edhe këtë dhjetor. Në fshatin suedez me dëborë të Jukkasjärvi, errësira gjatë gjithë ditës ofron sfondin për shfaqjen më magjike të dritës në botë, aurora borealis vorbulluese, si dhe mundësitë për t’u shoqëruar me Rudolfin, për lëvizje në dëborë dhe ski përreth të gjithë vendit.
Rezerva Kombëtare Tambopata, Peru
Ndërroni batanijen e bardhë me një kaleidoskop me ngjyra në Rezervën Kombëtare Tambopata të Perusë. Tani është koha ideale për të shijuar botën verbuese të shpendëve, veçanërisht makaut me pendët në ngjyrë ylberi që vijnë për të përtypur argjilën e pasur me minerale.
Mikronezia
Këtu mund të shkoni për jetën ujore dhe ishujt pak të njohur të Mikronezisë, të shpërndara në Oqeanin Paqësor, të cilët shërbejnë si baza çiftëzimi për gjallesat ujore gjigante “manta ray”. Me hapjet e krahëve që mund të arrijnë deri në 5 m, nuk duhet humbur mundësia për t’u zhytur përkrah këtyre gjigantëve kërcimtarë.
Sierra Leone
Nga hipopotamët gjigantë e deri te ato xhuxha, të lezetshëm, të rrallë (dhe shumë të dashur), të gjitha llojet mund të gjenden në Sierra Leone, pasi të jeni ngopur duke pushuar në plazhet e rrethuara me palma. / Lonely Planet