Detaje ekskluzive: Pse u mbyll kompania INSIG në Kosovë

16/05/2019 9:39 AM 0 komente

 Ditë më parë Bordi Ekzekutiv i BQK-së ka marrë vendim që kompanisë së sigurimeve “Insig” dega Kosovë, t’i revokohet Licenca. Në vendimin që kishte marrë BQK nuk kishte dhënë shumë detaje. Kurse, tashmë kur kanë kaluar disa ditë nga ky vendim, në Bankën Qendrore të Kosovës kanë folur për këtë çështje. Në BQK kanë dhënë detaje për mbylljen e kompanisë dhe borxhet që ka ajo. Bëhet e ditur se aksionarët e kompanisë nuk kishin vepruar në kuadër të kërkesave ligjore.

 

Kompania e Sigurimeve “Insig” nga muaji i kaluar nuk ka licencë për të vepruar në Kosovë.  Bordi Ekzekutiv i BQK-së kishte marrë vendim që kësaj kompanie t’i revokohet licenca për shkak të telasheve financiare.

Në Bankën Qendrore të Kosovës kanë treguar detaje nga vendimi për marrje të licencës dhe gjendjes në të cilën është tani kompania “Insig”.

“Në bazë të raportit financiar të periudhës 31 dhjetor 2018 borxhi i kompanisë ndaj palëve tjera  që nuk lidhet direkt me procesin e marrjes në sigurim dhe me policëmbajtësit në përgjithësi është 0.4 milion euro”, kanë thënë në BQK për Monitor.

Në këtë institucion tregojnë se bazuar në raportet financiare të dorëzuara në BQK për periudhën 31 dhjetor 2018, kompania Insig ka qenë josolvente pasi që vlera e gjithsej detyrimeve, në masë të konsiderueshme ka qenë më e lartë se vlera e aseteve të saj.

“..si e tillë ka paraqitur paaftësi për përmbushjen e detyrimeve të saj, pjesa më e madhe e të cilave ka qenë ndaj policëmbajtësve dhe kreditorëve të tjerë”.

Në Bankën Qendrore të Kosovës thonë se aksionari i Kompanisë “Insig”  nuk i është përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi.

“Bazuar në raportet financiare, siguruesi Insig nuk ka siguruar pajtueshmëri me kërkesat ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi, sa i përket kërkesave për kapitalin minimal dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike. Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për të përmirësuar gjendjen financiare të siguruesit Insig. Megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, Bordi dhe Menaxhmenti i Siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të Kompanisë”, thuhet në përgjigjet e BQK-së për Monitor.

Kompania “Insig” sipas BQK ishte e renditur si kompania e nëntë në tregun e Kosovës.

“Bazuar në raportet financiare të dorëzuara në BQK për periudhën 31 dhjetor 2018 primet e shkruara bruto janë në vlerë prej 5.9 milionë euro, prej te cilave 4.8 milionë euro ose 81.2% janë prime të shkruara nga sigurimet e detyrueshme të autopërgjegjësisë (MTPL) dhe  1.1 milion euro ose 18.8% janë prime të shkruara nga sigurimet vullnetare.  Pjesëmarrja e kompanisë në treg me gjithsej primet e shkruara ishte  6.6% dhe renditet e 9-ta për sa i përket primeve të shkruara bruto. Raporti i shpenzimeve operative neto/Primet e fituara neto ishte  64.4% (2017 ishte 71.61%), ndërsa raporti i humbjeve Loss Ratio/Primet e fituara neto është 41.1%. Ndërkohë që raporti i kombinuar ishte 105.5%”.

BQK ka treguar se ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm të kompanisë, duke treguar se tashmë ka emëruar edhe likuidatorin, i cili do të jete përgjegjës për drejtimin e  Kompanisë së Sigurimit “Insig” drejt likuidimit

“BQK-ja ka hapur procedurat e likuidimit të detyrueshëm, sipas Kapitullit 18 të Ligjit nr. 05/L-045 për Sigurimet duke emëruar Likuidatorin, i cili do të jete përgjegjës për drejtimin e  Kompanisë së Sigurimit “Insig” drejt Likuidimit. Likuidatori është përgjegjës që të sigurojë trajtim të drejtë të barabartë dhe korrekt për të gjithë policëmbajtësit dhe kreditorëve tjerë, gjithmonë në pajtim me kërkesat ligjore në fuqi”.

Kompania e sigurimeve “ INSIG “ është themeluar në vitin 1991 me pronësi 100 % të Parlamentit Shqiptar për të ushtruar veprimtarinë e sigurimeve dhe ri sigurimeve në Republikën e Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Më 1 Mars 2000 Kompania e sigurimeve “ INSIG “ është licencuar për të operuar në tregun Kosovar të sigurimeve si degë e kompanisë amë “ INSIG “ Shqipëri.

Në vitin 2015 “ INSIG “ sh.a ndryshon pronësinë e aksioneve, të cilat zotërohen në masën 100 % nga Ministria e Financave. Gjatë vitit 2016, Kompania e Sigurimeve “ INSIG “ sh.a me seli ne Tiranë ka shitur 100 % të aksioneve të zotëruara nga shteti, duke ndryshuar pronësinë e aksioneve të cilat tani zotërohen ne masën 100 % nga Shoqëria e Sigurimeve “ EUROSIG “ sh.a me seli në Tiranë, me pronar Kadri Morina./ Fatos Shala për Monitor.al/.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of