Komisioni Europian i ka dhënë rekomandime Shqipërisë për të rritur konkurrueshmërinë, çka do e ndihmojë atë të përballojë presionin e tregjeve që po hapen me vendet e Bashkimit Europian.
Sa i përket kapacitetit të vendit për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda Bashkimit Europian, në një raport të fundit, Komisioni Europian nënvizon se Shqipëria ka bërë njëfarë përparimi, por ka ende mangësi në mungesë njohurish sipërmarrëse dhe nivel të ulët të arsimit.
“Shqipëria ka njëfarë niveli të përgatitjes në kapacitetin e saj për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së. Energjia, transporti dhe infrastruktura dixhitale janë përmirësuar. Megjithatë, aftësia konkurruese e Shqipërisë pengohet nga mungesa e njohurive sipërmarrëse dhe teknologjike, si dhe nga niveli i ulët i arsimit.
Kjo pengon edhe integrimin e Shqipërisë në rrjetet ndërkombëtare të tregtisë. Eksportet dhe integrimi rajonal janë nën potencial. Përpjekjet për të përmirësuar arsimin dhe trajnimin kanë rezultuar në disa përmirësime, por reformat duhet të vazhdojnë për të mbyllur hendekun e madh në aftësimin profesional. Kapaciteti i Shqipërisë për kërkim shkencor, zhvillim dhe inovacion mbetet i ulët”, -thuhet në raport.
Për të përmirësuar konkurrueshmërinë dhe rritjen ekonomike afatgjatë, sipas KE, Shqipëria duhet në veçanti:
• Të shtojë shpenzimet për arsimin dhe kërkimin shkencor, si raport i PBB-së dhe të zbatojë reformat e parashikuara për arsimin dhe aftësimin profesional;
• Të përmirësojë planifikimin dhe realizimin e investimeve publike;
• Të përmirësojë shërbimet e mbështetjes teknike, në nivel lokal për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, për t’i ndihmuar ato të investojnë, të jenë novatore, si dhe të eksportojnë.
Ndërsa si një panoramë e fushës ekonomike të vendit, raporti i KE-së thekson se Shqipëria ka bërë njëfarë përparimi dhe është mesatarisht e përgatitur për zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale.
“Rritja ekonomike shënoi rritje të mëtejshme dhe papunësia është reduktuar, edhe pse mbetet në nivel të lartë. Eksportet u rritën në mënyrë të qëndrueshme dhe deficiti i llogarisë korrente u ngushtua. Raporti i borxhit publik relativisht të lartë ndaj PBB-së vijoi trajektoren rënëse. Stabiliteti i sektorit financiar u përmirësua, si pasojë e reduktimit të kredive me probleme nga bankat”, -thuhet në raport.
Megjithatë, thekson KE, huadhënia ndaj korporatave private mbeti në nivele relativisht të ulëta dhe përdorimi i monedhës së huaj në tregun e brendshëm vijoi të mbetet i lartë.
Ka pasur zhvillime në tregun financiar jobankar si rezultat i masave të ndërmarra. Reforma gjithëpërfshirëse gjyqësore përparoi mirë, por mangësitë në sundimin e Ligjit vazhduan të pengonin bizneset dhe të dekurajonin investimet.
Sipas KE, mjedisi i biznesit ka shënuar përmirësime në disa prej fushave dhe ndërsa rritet punësimi formal, informaliteti mbetet ende i lartë. Liberalizimi i sektorit të energjisë ka përparuar, megjithëse me disa vonesa.
Për të përmirësuar funksionimin e ekonomisë së tregut, Shqipëria duhet në veçanti:
• të vijojë me konsolidimin fiskal dhe të zhvillojë një plan për mobilizimin e të ardhurave;
• të bëjë adresimin e informalitetit;
• të sigurojë monitorimin dhe kontrollin e detyrimeve fiskale, që rrjedhin nga PPP-të dhe borxhet e prapambetura;
• të përmirësojë aksesin në financa nëpërmjet forcimit të zbatimit të kolateralit dhe rritjes së përfshirjes financiare;
• të forcojë rëndësinë e tregut të punës, cilësinë dhe adresimin e politikave aktive të tregut të punës, duke përfshirë dhe aftësimin të rriturve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.