Ritmi i disbursimeve të detyrimeve të prapambetura do të bjerë për pjesën e mbetur të vitit, për shkak se, qeveria ka alokuar deri në fund të qershorit rreth 75 për qind e të fondit prej 20 miliardë lekësh të planifikuar për këtë vit.
Në kuadër të strategjisë, deri më datë 10 qershor 2015, ministria e Financave ka alokuar në total rreth 14.62 miliardë lekë detyrime të prapambetura, ku për investimet publike u disburesuan 5.8 miliardë lekë, për shpenzimet korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.3 miliard lekë, për rimbursim TVSH-je janë alokuar rreth 4.7 miliardë lekë.
Rreth 3.8 miliardë lekë janë alokuar për detyrimet “Vendimet gjyqësore”, në disfavor të shtetit, 1.6 miliardë lekë janë alokuar për “Shpronësimet” dhe rreth 1 miliard lekë për “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet”.
Por krahas shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, qeveria ka shtrënguar standardet për frenimin e krijimit të detyrimeve të reja.
Që nga janari 2014, të gjithë urdhrat e prokurimit për mallrat, shërbimet dhe investimet e nxjerra gjatë vitit, përveç blerjeve emergjente me vlerë nën 10,000 lekë, duhet t’u përmbahen regjistrit të prokurimeve të dorëzuar në thesar dhe do të vulosen nga dega e thesarit të rrethit nëse ka fonde buxhetore në dispozicion të institucionit, përpara procedimit sipas rregullave të prokurimit publik.
Për mallrat, shërbimet, për të cilat ka nisur procesi i tenderimit përpara hyrjes në fuqi të strategjisë, do të paraqitet kontrata në degën e thesarit, për t’u kontrolluar kundrejt fondeve disponibël.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.