Kuvendi ka kërkuar në një projektrezolutë për Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare që ky i fundit të ndjekë më vëmendje pagesat që duhet të bëhen nga Byroja Shqiptare e Sigurimit duke mos lejuar akumulimin e detyrimeve të prapambetura. Në një pikë të veçantë të kësaj projektrezolute kërkohet që AMF të japë të dhëna çdo katër muaj mbi situatën.
“Të kryhen periodikisht verifikimet nëpërmjet inspektimeve në shoqëritë e sigurimit dhe BSHS-së për dëmet objekt Fond Kompensimi. Të verifikohet saktësia e të dhënave të raportuara dhe korrektësia në kryerjen e pagesave. Të monitorohet në veçanti shlyerja e detyrimeve të prapambetura. Të raportohet në Kuvend me bazë 4-mujore” thuhet në dokument.
Në vitin 2019 u paguan rreth 604 milionë lekë dëmshpërblime me objekt Fondin e Kompensimit. Pagesat e detyrimeve të prapambetura u bënë problem pas një vlerësimi nga FMN në vitin 2015 që konstatoi se kishte një akumulim në vlerën 1.3 miliardë lekë dhe që mund të vinte në vështirësi tregun nëse kjo nuk shlyhej. Për këtë u caktua një plan tre vjeçar shlyerjeve duke u kërkuar kompanive që paralelisht të paguanin shumën e nevojshme për Fondin e Kompensimit të vitit korrent si dhe një pjesë për detyrimet e prapambetura.
Për vitin 2020 AMF vendosi që Fondi i Kompensimit të depozituar nga kompanitë e sigurimit të ishte 446 milionë lekë dhe kjo mund të rishihej në baza tremujore. Lidhur me dëmet pezull AMF do të raportonte në atë kohë se në total ato në proces trajtimi dhe në proces gjyqësor me datë 30.11.2019 ishin në vlerën 829,202,848 lekë, vlerë e cila përfshin provigjonin për shpenzim sipas vendimit të Bordit nr. 260, datë 28.12.2018.
Kuvendi në projektrezolutë ka vënë theksin edhe tek shëndeti financiar i kompanive të sigurimeve duke theksuar se AMF të mbikqyrë plotësimin e detyrimeve ligjore të kompanive që operojnë në tregjet e sigurimit.
“Të gjitha kompanitë duhet të përmbushin detyrimet ligjore të ushtrimit të veprimtarisë dhe marrjes së licensës, përfshirë dhe kriteret për plotësim të kapitalit minimal dhe të mbulimit të provigjoneve teknike” thuhet në projektrezolutë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.