Detyrimet ndaj OBT, Shqipëria pranon importet zero për produktet e teknologjisë së informacionit

26/01/2017 12:21 PM 0 komente

Për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë, Shqipëria ka bërë gati një projektligj që bën zero tarifat për qindra produkte që kanë si qëllim përdorimin e tyre për shërbimet e teknologjisë së informacionit. Ministria e Ekonomisë ka bërë gati projektligjin, i cili shumë shpejt pritet të kalojë për miratim në qeveri.

Projekt-marrëveshja parashikon efekt financiar për vitin 2017 në vlerën 9, 202, 822 lekë dhe për vitin 2018 në vlerën 17,867,265.

Shqipëria është anëtare e Organizatës Botërore të Tregtisë nga shtatori i vitit 2000 dhe politika tregtare ndjek parimet dhe rregullat e kësaj organizate. Një nga marrëveshjet e OBT-së, në të cilat Shqipëria është palë që nga çasti i anëtarësimit është edhe ajo e Teknologjisë së Informacionit (ITA).

Sipas marrëveshjes ITA për produktet që përdoren në teknologjinë e informacionit vendet anëtare të kësaj marrëveshjeje nuk aplikojnë tarifa doganore në import. Kjo qasje e përdorur nga vendet e zhvilluara është e nxitur dhe kushtëzuar nga zhvillimet që ka teknologjia e informacionit, e cila ka pasur avancime thelbësore në dekadën e fundit.

Ky proces ka filluar që në vitin 2012, kohë në të cilën me kërkesën nga Bashkimi Europian, një ndër liderët e këtij procesi, Shqipëria iu bashkua iniciativës së BE-së (co-sponsor) si pjesë e detyrimeve të Shqipërisë për përafrimin e politikës tregtare me Politikën e Përbashkët Tregtare të BE, në zbatim të MSA-së.

Në relacionin përkatës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka zhvilluar konsultimet midis institucioneve shqiptare. Për këtë, Ministria e Financës dhe Ministria përgjegjëse për Inovacionin dhe Teknologjinë kanë rënë dakord për t’u bërë pjesë e kësaj liste. Pas pranimit nga institucionet përgjegjëse është dhënë përgjigje pozitive kërkesës së Bashkimit Europian nëpërmjet Misionit tonë në Gjenevë.

Shqipëria ka mbështetur listën e propozuar nga Bashkimi Europian duke e zgjeruar atë edhe me produkte të tjera, të cilat do të ndikojnë në teknologjinë e informacionit. Ja lista e plotë e produkteve që tarifohen me zero që nga ky vit, pasi projektligji të jetë miratuar (http://www.ekonomia.gov.al/files/userfiles/skeduli_shqip.pdf).

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of