Dhoma Amerikane publikon sot indeksin: Të gjithë treguesit për klimën e biznesit në përkeqësim

31/05/2016 2:26 PM 0 komente

Indeksi i biznesit të Dhomës Amerikane e Tregtisë 2015-2016 që pritet të publikohet nesër, mësohet se ka rezultuar me një përkeqësim të ndjeshëm te të gjithë indikatorëve që masin klimën e biznesit në vend. Indeksi tregon kthim mbrapa në klimën e biznesit pas një përmirësimi për periudhën 2014-2015.

Sipas raporteve të mëparshme, indeksi mat elementët e rëndësishëm të tilla si politikat e qeverisë, nivelin e taksave, korrupsionin, informalitetin, zbatimin e ligjit dhe gjithashtu elementë lidhur me performancën e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare, të cilat kanë rezultuar më rënie së fundmi. Ky indeks është i rëndësishëm pasi hartohet me pyetësorët që u drejtohen mbi 100 bizneseve anëtare të Dhomës, ndër më të mëdhatë në vend.

Ky indeks lejon AmCham-in të identifikojë dhe të masë problemet që has komuniteti i biznesit dhe i jep mundësinë Dhomës të punojë me qeverinë dhe aktorë të tjerë, për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.

Mësohet se në përkeqësim janë tregues të rëndësishëm si ai i taksave, korrupsionit, monopoleve dhe konkurrencës së pandershme etj.

Indeksi dhe raporti i tij publikohen çdo vit dhe gjetjet e tij janë ndarë me anëtarët e AmCham-it, qeverinë dhe institucione të tjera. Indeksi i parë i Biznesit të AmCham-it u publikua në maj të vitit 2013 në bashkëpunim me Konsort.

Pak ditë më parë zëvendësambasadori amerikan, David Muniz, në një takim të organizuar nga FIAA tha se “investitorët që kanë dashur të investojnë në Shqipëri janë frikësuar dhe kanë ikur”. “Procedurat gjyqësore janë të thjeshta, detyrimet e borxheve janë një problem. Kompanitë amerikane kanë bllokuar planet për investime për shkak të zvarritjeve gjyqësore. Drejtësia nuk po bëhet. S’bëjnë investime, sepse nuk kanë siguri, ka edhe investitorë me përvoja të këqija. Edhe pronat janë probleme, me mbivendosjen e titujve të pronësisë”,- ka deklaruar Muniz.

Presidenti i Dhomës Amerikane, Mark Crawford, ishte i pari që pak muaj më parë doli hapur dhe tha se klima për investitorët e huaj nuk është pozitive dhe shumë prej tyre janë gati të ikin e disa madje kanë dalë nga tregu shqiptar, nuk kanë të pushuar ankesat.

Një indeks i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë këtë pranverë tregoi se, Shqipëria renditet e fundit si destinacion ku gjermanët do të investonin sërish, si dhe e parafundit në rajon për atraktivitetin si destinacion investimesh.

Indeksi i Klimës së Biznesit, një publikim i Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) ka shënuar rënie radhazi për 4 tremujorët e vitit të shkuar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of