Kredia e re e dhënë nga sektori bankar gjatë muajit dhjetor 2020 arriti vlerën e 42 miliardë lekëve.
Huadhënia u rrit me 9 miliardë lekë ose 27.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Njëkohësisht, kjo është sasia më e lartë mujore e huasë disbursuar nga sektori bankar që prej Dhjetorit 2016. Kredia e re u rrit me ritme të larta si për kompanitë private, me gati 32% dhe për individët me 41%. Rritja e lartë e Dhjetorit bëri që hendeku i kreditimit të ri me një vit më parë të ngushtohej ndjeshëm.
Sektori bankar për të gjithë vitin 2020 dha 245.6 miliardë lekë kredi të re, në rënie me 0.85% krahasuar me vitin 2019 dhe në nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit. Rënia u përcaktua nga frenimi i kredidhënies në periudhën mes muajve Mars dhe Maj, për shkak të kufizimeve drastike që u vendosën për të frenuar përhapjen e epidemisë së Covid-19.
Ana pozitive e medaljes është që hapjes së ekonomisë, kreditimi iu rikthye rritjes. Kredia e re për periudhën Qershor-Dhjetor u rrit pothuajse me 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e kredisë u mbështet pjesërisht nga skemat e garancisë sovrane të qeverisë shqiptare, por sidomos nga ruajtja e qëndrueshmërisë së sektorit bankar.
Shtrëngimi i ofertës për kredi ishte rreziku kryesor në kushtet e një krize të thellë dhe të papritur që goditi ekonominë reale. Por, masat e përkohshme që mori Banka e Shqipërisë dhe gjendja përgjithësisht e mirë e bilancit të bankave para pandemisë, me sa duket, rezultuan efikase për të shmangur një ngërç të huadhënies.
Megjithatë, vetëm statistikat e kredisë së re nuk janë gjithnjë të mjaftueshme për të krijuar një ide plotësisht të qartë të tendencave të kreditimit. Sipas ekspertëve të sektorit bankar, një pjesë e madhe e kredisë së re në fakt konsiston në blerje apo rifinancime të huave ekzistuese.
Tendenca pozitive e kreditimit konfirmohet paralelisht edhe ecuria e stokut total të kredisë për ekonominë.
Në fund të muajit dhjetor, portofoli total i huasë, i matur si tepricë, arriti vlerën e 608.6 miliardë lekëve, në rritje me 13 miliardë lekë krahasuar me muajin tetor. Me bazë vjetore, rritja e portofolit të kredisë për ekonominë ka arritur pranë nivelit të 6.6%, nga rreth 5% që kishte qenë në fund të Nëntorit.
Kredia për kompanitë private është në rritje me 10.3%, ndërsa ajo për individët me rreth 6.5%. I vetmi segment në rënie është i kreditimit të korporatave publike, ku disa prej overdrafteve të maturuara të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare nuk janë rinovuar. Megjithatë, së fundmi qeveria shqiptare miratoi një garanci sovrane për një linjë të re kredie prej 10 milionë eurosh që KESH do të marrë në një nga bankat tregtare në vend.
Rritja e kreditimit është një indikatorët e pakët pozitivë makroekonomikë për vitin 2020 dhe një sinjal optimizmi se sektori privat dhe bankat presin një përtëritje të shpejtë nga kriza pandemike. Edhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë konfirmoi pas mbledhjes së kësaj jave se skenari bazë i parashikimit është një kthim i rritjes ekonomike pozitive për vitin 2021, megjithëse rreziqet e lidhura me pandeminë ngelen ende të larta.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.