Dhoma Amerikane: Taksa e pastrimit në Tiranë, barrë e konsiderueshme për bizneset

21/12/2016 3:24 PM 0 komente

Dhoma Amerikane, në materialin që ka përgatitur në takimin me përfaqësuesit e Bashkisë dhe USAID mbi taksat vendore, ka ngritur shqetësimin për barrën e lartë që është krijuar nga tarifa e pastrimit dhe pagimi i saj për çdo NIPT sekondar.

Kjo tarifë, sipas materialit të Dhomës, ka shënuar një rritje të ndjeshme dhe si e tillë është bërë një kosto e konsiderueshme për bizneset. Nisur nga kjo dhe faktin që kjo tarifë jepet në këmbim të një shërbimi është e rëndësishme që të ketë një lidhje sa më të drejtpërdrejtë midis tyre. Konkretisht, rekomandon Dhoma, nivelet treguese dhe tabela duhet të rikonceptohen:

  1. Njësitë duhet të klasifikohen mbi natyrën e tyre konkrete, d.m.th. një adresë dytësore nuk mund të marrë automatikisht kategorinë e selisë qendrore, por duhet të kategorizohet në bazë të aktivitetit që kryen.
  2. Lista e aktiviteteve duhet të detajohet në bazë të Nomenklaturës së Aktiviteteve Ekonomike duke marrë parasysh dhe duke zbatuar të njëjtat rregulla klasifikimi (aktualisht lista është jokonsistente dhe ndarja nuk është e drejtë, p.sh., një servis makinash ka të njëjtën tarifë pastrimi me një zyrë këmbimi valutor. Qartësisht ndotja e tyre është shumë e ndryshme)
  3. Vetëm për subjektet e ndërtimit ka një klasifikim të veçantë për selinë administrative. Ndërkohë ka kompani që operojnë në fusha të tjera (miniera, prodhim etj.) dhe që kanë seli administrative në qytet. Ato detyrohen të paguajnë tarifën e pastrimit sikur të zhvillonin aktivitetin e prodhimit në qytet.
  4. Kalimi nga biznesi i vogël në atë të madh ka një shumëfishim të tarifës nga 3 deri në 24 herë. Kjo sjell një presion shumë të madh te ky biznes për të mos kaluar në biznes të madh. Për këtë do të rekomandonim/sugjeronim një ndryshim në mënyrën e ndarjes dhe aplikimit të tarifës duke marrë parasysh qarkullimin e bizneseve.
  5. Gjithashtu, duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një tarifë (që lidhet me një shërbim) një ndarje e saj në baza mujore/tremujore do të ishte e mirëpritur nga biznesi.

Rekomandime të tjera të Dhomës janë:

1- Nga sektori i Asistencës dhe Regjistrimit të Taksapaguesve kërkohet që para se të bëhet ndonjë kërkesë/ankesë të paraqiten një sërë dokumentesh.

Kjo procedurë bie në kundërshtim me ligjin “Për procedurat tatimore” dhe të gjitha parimet e sanksionuara në të për të drejtat e tatimpaguesve. Për më tepër, në lidhje me tatimpagues persona juridikë, të dhënat që kërkohen lidhen me administratorin si individ. Për ta bërë dhe më të pakuptimtë këto kërkesa, shumica e dokumenteve janë/lëshohen nga organe në varësi të bashkisë.

Pyetje: për çfarë duhet certifikata familjare e administratorit për të regjistruar një biznes?

Kuptojmë se kjo procedurë ka për qëllim mbledhjen e taksave për të cilët janë përgjegjës individët, por masat për mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore përcaktohen në ligjin “Për procedurat tatimore” dhe në asnjë prej tyre nuk përmendet heqja e së drejtës për t’u ankuar/kërkuar në administratën e bashkisë.

2- Po nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore (DPTTV) në momentin e paraqitjes së një biznesi të ri për pagesën e detyrimeve tatimore i kërkohet dokumentacion për “Regjistrimin e biznesit të ri”.

Si në rastin më sipër, dokumentet e kërkuara janë në regjistrat shtetërorë (QKB) dhe të vetë bashkisë, dhe përveç shpërdorimit të letrës nuk mendojmë se ka ndonjë përfitim për Bashkinë dhe krijon procedura totalisht të panevojshme dhe në shkelje të ligjit.
Për sa më sipër, do t’i kërkonim Bashkisë të hiqte si procedurë dorëzimin e dokumenteve për të bërë një ankese/kërkesë. Nëse kërkesa është nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor apo person i autorizuar duhet të pranohet të shqyrtohet pa asnjë kusht shtesë. Në lidhje me procedurën e dhënies së aksesit në sistemin online DPTTV, regjistrimi në këtë sistem të bëhet online ose përkohësisht duke u paraqitur një person i autorizuar për tërheqjen e fjalëkalimit. Të dhënat që i duhen shtesë Bashkisë mund të merren në formën e një deklarate pa paraqitur dokumente.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of