Dhoma e Tregtisë, Durrës kërkon vaksinimin për prodhuesit dhe punonjësit e shërbimeve: Bizneset po kalojnë në vështirësi operimi

05/03/2021 10:31 AM 0 komente

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Durrës kërkon nisjen e vaksinimit të punonjësve për disa industri prodhimi dhe të shërbimeve. Kryetari i Dhomës, Alban Isteri në letrën dërguar komitetit Teknik të Ekspertëve thotë se vaksinimi është i domosdoshëm për këto industri, pasi po vuajnë prezencën e punonjësve në punë nga frika e infektimit nga Covid-19. Z.Isteri pohon se mungesa e fuqisë punëtorë ka ulur prodhimin dhe eksportet te bizneset e qytetit të Durrësit. Dhoma e Tregtisë kërkon që vaksinimi të kryhet te punonjësit e industrisë fason, farmacive, call center, turizmit, supermarketeve dhe transportit.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës, duke marrë parasysh situatën e krijuar aktualisht pas përhapjes së virusit Covid-19, ku shumica e bizneseve të mëdha, shoqërive me kapital të huaj dhe ata të përbashkët që operojnë në Shqipëri po kalojnë në vështirësi operative lidhur me aktivitetin, prezencën fizike të personave përgjegjës dhe të bashkëpunëtorëve të tyre, gjë e cila ka ndikuar në uljen e prodhimit, të eksporteve dhe kufizimin e aktivitetit të tyre të përditshëm, ka përgatitur dhe dërguar një kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve Për Menaxhimin e Pandemisë Covid-19 për përfshirjen me prioritet në planin e vaksinimit si kategori më të rrezikuara bizneset si: sektori fason, farmaceutik, shërbimet shëndetësore, call center, punonjësit e supermarketeve, Sektori i Transportit të Udhëtarëve, Sektori i Turizmit.

Megjithëse punëdhënësit janë përpjekur në respektimin e masave anti-Covid vaksinimi i punëmarrësve të këtyre bizneseve do të luaj një rol të rëndësishëm nëse do duam të parandalojmë përhapjen e kësaj sëmundje dhe të kemi një rimëkëmbje të ekonomisë.

Është një hap i domosdoshëm, në drejtimin e duhur në përpjekje për të zvogëluar ndikimet negative shumë-dimensionale të krizës së shkaktuar nga pandemia.

Si rezultat i këtij plani vaksinimi me prioritet për këto biznese, do të kishim një përmirësim të situatës së bizneseve dhe një ndikim pozitiv në ekonominë e qarkut Durrës”, thuhet në kërkesën e Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë, Durrës.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of