U mbajt në Beograd takimi i radhës i forumit të Investimeve me drejtuesit e Dhomave të Tregtisë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), të Shqipërisë, Maqedonisë të Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë dhe sipërmarrës të këtyre vendeve. Shqipëria në këtë takim u përfaqësua nga kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, znj Ines Muçostepa dhe përfaqësues të kompanive anëtare të Këshillit të Biznesit si: Balfin Goup, Agna Group dhe Infosoft Group.
Në takim e zhvilluar në Dhomën e Tregtisë Serbe biznesmenët e Ballkanit Perëndimor u dërguan një thirrje të përbashkët qeverive të tyre dhe strukturave politike në rajon për të bërë gjithçka që ekonomia të funksionojë në mënyrën më të thjeshtë të mundshme dhe t’i drejtohet së ardhmes dhe bashkëpunimit të përbashkët rajonal. “Jepu qytetarëve të rajonit të ardhmen, jo të kaluarën”, është mesazhi i përbashkët i të gjithë presidentëve të dhomave të tregtisë të Ballkanit Perëndimor për qeveritë e vendeve të tyre.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kërkuan heqjen urgjente të të gjitha pengesave për të bërë biznes dhe normalizimin e marrëdhënieve për të mirën e të gjithë qytetarëve të rajonit. Bosnjës dhe Hercegovinës iu kërkua të heqë vizat dhe të gjitha kufizimet e tjera mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, të cilat do të krijonin kushtet për heqjen reciproke të barrierave aktuale në të dy palët. Gjithashtu, u kërkua njohja e targave, sigurimi i automjeteve dhe të gjitha dokumenteve, të cilat do të mundësonin lirinë e plotë të lëvizjes.
Dhomat e Tregtisë të Ballkanit Perëndimor i dërguan gjithashtu një mesazh të qartë Bashkimit Evropian në lidhje me nevojën për të miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën. Dhomat e tregtisë së rajonit i kujtojnë Bashkimit Evropian se liberalizimi i vizave ishte një pikë kthese dhe shtysa më e madhe për zhvillimin ekonomik të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Që nga viti 2009, pas futjes së liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, shkëmbimi ekonomik i rajonit me BE është rritur gati dy herë e gjysmë. Parandalimi i qytetarëve dhe ekonomisë nga udhëtimet e lira është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat themelore mbi të cilat mbështetet Bashkimi Evropian.
Bashkërisht u vlerësua se nisma për heqjen e testit PCR për qytetarët për të udhëtuar në vendet e rajonit, e cila u miratua me iniciativë të dhomave të tregtisë, kishte një efekt të madh në biznesin e kompanive.
Anëtarët e Këshillit të Biznesit pritet të marrin pjesë në takime vjetore jo vetëm me Anëtarët e Bordit Drejtues të Forumit të Investimeve të 6 Dhomave të Ballkanit Perëndimor (ËB6 CIF), por herë pas here edhe me Presidentët ose Kryeministrat e vendeve të rajonit / përfaqësuesit e lartë / ministrat / grupe interesi të Komisionit Evropian për krijimin e një mjedisi biznesi më stimulues dhe më konkurrues në rajon. Anëtarët e Këshillit gëzojnë të drejtën të takohen dhe të diskutojnë se si të kapërcejnë pengesat në të bërit biznes në rajon me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë zyrtarët e lartë të qeverive në rajon por edhe të diskutojnë harmonizimin e politikave me acquis të BE-së drejtpërdrejt me përfaqësuesit e BE-së. Këshilli, si përfaqësues i sektorit privat rajonal, do të monitorojë zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit të Tregut, mbështetur nga ekipet e ekspertëve të dhomave anëtare të ËB6 CIF.
Përmes nismave dhe propozimeve të tij, bazuar në katër parimet e lirive të BE (qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit), Këshilli do të mbështesë zbatimin e Planit të Veprimit mbi Tregun e Përbashkët Rajonal.
Së bashku me Anëtarët e Bordit Drejtues të ËB6 CIF, Këshilli do të vendosë sistemin KPI (treguesit kryesorë të performancës) për çështjet më të rëndësishme, të cilat ndikojnë në aktivitetin e biznesit në kuadër të zbatimiit të Planit të Veprimit mbi Tregun e Përbashkët Rajonal (p.sh. pengesat që burojnë nga dinamikat e ndryshme në rajonin e procesi i harmonizimit me standardet dhe acquis e BE-së, krijimi i one-stop shop në pikat më të shpeshta të kalimit brenda rajonit, njohja reciproke e dokumentacionit tregtar, krijimi i një tregu rajonal të tregtisë elektronike, ulja e kostove të pagesave rajonale, lëvizja e lirë e punës , liberalizimi i tregtisë së shërbimeve, projektet e infrastrukturës rajonale, heqja e barrierave jo-tarifore, etj.).
Nga roli i tij këshillues, Këshilli do të sugjerojë masat e duhura, të cilat do të inkurajojnë dhe lehtësojnë zgjerimin gjithëpërfshirës. Zgjerimi gjithëpërfshirës është parimi i shkurtimit të barrierave në tregti dhe vendosja e mekanizmave të politikës së përbashkët kur plotësohen kushtet për harmonizimin e rregullave të përbashkëta dhe ngritjen e institucioneve, ose praktikave të zbatueshme. Objektivi është perspektiva e ekonomive të Ballkanit Perëndimor si pjesëmarrës të ardhshëm të plotë në tregun e brendshëm.
Këshilli do të jetë aktiv për organizimin e takimeve të rregullta në formën e një Platforme Biznesi BE-ËB6 me qëllim komunikimin e pengesave dhe mundësive për bizneset me vendimmarrësit e BE-së. Një dialog i tillë do të shërbente për të kërkuar zgjidhje administrative, rregullatore dhe politike, dhe të mbështesin komunitetet e biznesit në Ballkanin Perëndimor për të kuptuar më mirë Bashkimin Evropian, legjislacionin e tij dhe për t’i ndihmuar ata që të përgatiten për integrimin në Tregun e Vetëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.