Remitencat apo dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës kanë pësuar rënie gjatë këtyre muajve. Dërgesat e mërgimtarëve në muajin mars 2020 janë 12 milionë euro më pak. Si rezultat i pandemisë, gjatë kësaj periudhe është vërejtur edhe një ndryshim tek mënyra e dërgimit të remitencave në Kosovë.
Nga janari i këtij viti, në gjithë globin u përhap virusi Korona, i cili mori jetën e mijëra njerëzve. Por veç kësaj, pandemia preku edhe ekonominë e vendeve nga se nuk mbeti e paprekur edhe Kosova.
Kosova në situatat më të rënda u ndihmua nga mërgimtarët e saj. Por virusi COVID-19 ndikoi edhe në xhepin e diasporës kosovare.
Remitencat e vlerësuar në muajin mars 2020 janë 12 milionë euro më pak. Derisa në marsin e këtij viti remitencat janë 64 milionë, në periudhën e njëjtë kohore të 2019-ës remitencat ishin 72 milionë euro. Kështu kanë bërë të ditur nga Banka Qendrore e Kosovës.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka bërë një vlerësim preliminar të vlerës së remitencave për tremujorin e parë (TM1) të 2020. Sipas këtyre vlerësimeve, totali i remitencave në TM1 2020 është 190 milionë (185 ishte në TM1 2019). Kjo vlerë paraqet një rritje prej 3 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjatë muajve janar dhe shkurt, ka pasur një rritje rreth 11 për qind krahasuar me muajt e njëjtë të vitit të kaluar, por në muajin mars pati një rënie prej rreth 10 për qind. Remitencat e vlerësuara për muajin mars 2020 janë 64 milionë (72 milionë ishin në mars 2019)”.
Si rezultat i pandemisë, gjatë kësaj periudhe është vërejtur edhe një ndryshim tek mënyra e dërgimit të remitencave në Kosovë.
BQK ka treguar se dërgesat e parave që po bëhen nga Operatorët që Transferojnë Para (OTP), si Wester Union dhe të ngjashme është duke u rritur.
“Si rezultat i pandemisë vërehet një ndryshim tek mënyra e dërgimit të remitencave në Kosovë. Dërgesat e parave që bëhen nga Operatorët që Transferojnë Para (OTP), si Western Union e të ngjashme, po rriten”, tregojnë nga BQK.
Kurse të hyrat e parave të gatshme në xhepa nga individët, dërgimi i mallrave për familjarët siç njihet si të hyra përmes kanaleve jo formale janë zvogëluar.
“Në anën tjetër, të hyrat përmes kanaleve joformale (siç janë bartja e parave të gatshme në xhepa nga individët, pastaj dërgimi i mallrave për familjarët, etj.) po zvogëlohen. Përmes OTP-ve gjatë muajit mars janë transferuar në Kosovë 41 milionë euro, që paraqet një vlerë prej rreth 12.5 për qind më shumë se në mars 2019. Kurse përmes kanaleve joformal në muajin mars 2020, janë dërguar në Kosovë rreth 14 milionë, ose 47 për qind më pak se në mars 2019”.
Që nga viti 2014, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuar në vjetarin e Kosovës për vitin 2019, thuhet se remitencat kanë pasur trend të rritjes.
Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi 800 milionë euro.
Shuma e dërgesave nga diaspora brenda një viti konsiderohet se është edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve besohet se hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.
Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.