Shpenzimet për banesë, energji elektrike dhe ujë përbëjnë një nga tre grupet me peshën më të madhe në totalin e shpenzimeve të familjeve shqiptare, duke u renditur pas shpenzimeve për ushqime.
Sipas të dhënave në Anketën e Buxhetit të Familjeve 2017, pesha e këtij grupi në totalin e shpenzimeve të familjeve ishte 10.6%. Krahasuar me një vit më parë këto shpenzime janë rritur me 7%. Në krahasim me Bashkimin Europian, shpenzimet për këtë grup janë rreth 2 herë më të ulëta.
Dibra me peshën më të lartë, Berati më të ulëtën
Dibra thyen rekordin për peshën më të lartë të shpenzimeve për këtë grup ndaj totalit të shpenzimeve, me 13.1%. Mbi mesataren kombëtare të peshës së shpenzimeve renditen familjet e kryeqytetit me 11.8% të totalit, Shkodra dhe Vlora me përkatësisht 11.6% të totalit, Kroca dhe Kukësi me 11.6 dhe 11.5%, dhe Lezha me 10.7% të shpenzimeve për banesë, energji dhe ujë. Qarqet me shpenzimet më të ulëta janë Durrësi me 10%, Gjirokastra me 9.9%, Fieri me 9.3%, Elbasani me 9.2% dhe Berati me 8%.
Shpenzimet për banesë në BE
Në 2017-n, familjet në Bashkimin Europian shpenzuan mbi 2,000 miliardë euro (e barasvlershme me 13.1% të PBB-së së BE-së) në banesë, energji, ujë dhe gaz. Kjo përfaqësonte rreth 24.2% të peshës së totalit të shpenzimeve të familjeve. Në BE, ky grup ka peshën më të lartë në totalin e shpenzimeve në familjet europiane, sipas Eurostat.
Nga të gjitha zërat e shpenzimeve kryesorë të familjeve, strehimi ishte pika që pa rritjen më të madhe të shpenzimeve gjatë dekadës së fundit.
Në BE, Finlanda, Danimarka dhe Britania e Madhe shpenzojnë pjesën më të madhe të totalit shpenzimeve të familjeve për banesë, ndërsa Malta ka peshën më të ulët të shpenzimeve.
Në shumicën dërrmuese të shteteve anëtare të BE-së, “banesa, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera” përfaqësojnë zërin më të rëndësishëm të shpenzimeve të ekonomive familjare. Në vitin 2017, pjesa e shpenzimeve familjare të përkushtuar për banesë ishte më e lartë në Finlandë (28.8%), Danimarkë (28.7%) dhe në Mbretërinë e Bashkuar (26.7%). Ata u ndoqën nga Franca (26.2%), Suedia (26.1%) dhe Çekia (25.4%).
Në anën e tjetër, Malta (10.1%), Lituania (14.8%) dhe Qipro (15.4%) kishin peshën më të ulët të shpenzimeve totale të familjeve për banesë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.