Sa respektohen të drejtat e punonjësve shqiptarë dhe kush i mbron ato? Cilët janë sektorët problematikë në Shqipëri dhe për çfarë ankohen më së shumti punonjësit? Flet Arben Seferaj, kreu i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore…
Nga Deada Hyka
Kontrata e punës, për shumë shqiptarë, kanë qenë një dokument i panjohur për një kohë të gjatë, ku në shumicën e rasteve ata lumturoheshin për arritjen e gjetjes së një vendi pune, edhe pse në të zezë. Por, situata ka evoluar në Shqipëri. Për shumë kompani, kontrata nuk është vetëm një formalitet ligjor, por pjesa kryesore e negociatave ndërmjet palëve për një vend pune. Kontrata e punës dhe rëndësia e saj në negociatat e punësimit është shtuar vitet e fundit, teksa vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në respektimin e ligjit. Jo vetëm kaq, por e gjithë paketa që punëmarrësi përfiton sa u përket të drejtave të tij në punësim.
“Projekti ‘Matrica e Dënimeve’ u zhvillua me qëllimin e sigurimit të transparencës së vendimmarrjes së inspektorëve të punës. Duke pasur mundësi aksesi të dy rolet, të pavarur nga njëri-tjetri, punëdhënësit dhe inspektorët, tani mund të flasim për një proces inspektimi në transparencë të plotë dhe që ka ndikuar ndjeshëm në përmirësimin e marrëdhënies me biznesin”, – pohon kreu i ISHPSHSH, z. Seferaj.
Sipas tij, ky projekt i cili nisi këtë vit, do të garantojë masë të njëjtë sanksioni, për të njëjtën shkelje ligjore, në të njëjtat kushte, dhe ndikon edhe në përmirësimin e klimës së një konkurrence të ndershme në tregun e punës. Me qëllim përdorimin korrekt të saj, e gjithë trupa inspektuese e terrenit u është nënshtruar seancave trajnuese.
Z. Seferaj përmend edhe sektorët problematikë në respektimin e kontratave, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe punën e të miturve, që vijon të jetë në fokusin e ISHPSHSH.
Shifrat
Gjatë 2018, janë kryer 90 inspektime rastësore, krahas atyre të programuara dhe janë konstatuar 572 punëmarrës informalë gjithsej. Si rezultat i masave të marra, vetëm gjatë procesit të inspektimit janë formalizuar 537 punëmarrës ose 94% e informalëve të konstatuar.
Nga viti në vit, konstatojmë ulje të numrit të të punësuarve që punojnë pa një kontratë pune. Për këtë vit, na rezultojnë 1536 punëmarrës nga të cilët vetëm 3.7% e tyre ishin të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore ose krejtësisht në të zezë, ndërkohë diferenca ose 96.3%, edhe pse ishin të deklaruar, nuk kishin një kontratë pune të nënshkruar.
Në 5874 inspektime të kryera janë vendosur gjithsej 312 masa urgjente të pezullimit të punës, nga të cilat 277 për marrëdhënie pune në informalitet dhe pjesa tjetër për shkelje flagrante të ligjit në lidhje me kushtet e punës së punonjësve.
76.3% e ankesave janë zgjidhur plotësisht apo pjesërisht në favor të punëmarrësve, ndërkohë 23.7% e tyre nuk janë zgjidhur, por me përgjigjen e marrë, janë sqaruar mbi situatën e tyre në raport me ligjin.
Ankesat e punonjësve shqiptarë
– Për cenim të marrëdhënieve të punësimit, që zënë rreth 51.3% të rasteve të ankesave ku përfshihen, pretendime të punëmarrësve në lidhje me zbatimin korrekt të kontratës individuale të punës me punëdhënësin, apo mosrespektim i dispozitave ligjore në lidhje me orët shtesë të kryera dhe të papaguara, punës së papaguar në turnin e dytë e të tretë, në ditët e pushimit javor dhe të festave zyrtare etj,
– Mospagesë e pagave të prapambetura që zënë rreth 18%
– Ndërprerje e menjëhershme e marrëdhënieve të punësimit, që zënë rreth 10%
– Punësim i paligjshëm (mospagesë e kontributeve shoqërore e shëndetësore) që zënë rreth 2.2%
– Kushte pune të pasigurta dhe mosnjoftim aksidenti në punë, kemi vetëm 3.5% e ankesave.
– Pjesa tjetër janë kërkesa për informacion mbi të drejta dhe detyrime, të punëdhënësve apo punëmarrësve që, nga ana jonë, janë trajtuar përmes procesit inspektues në formën e këshillimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.