Kredia e shpejtë e institucioneve të mikrofinancës është fenomen që shpesh është bërë objekt debatesh në vitet e fundit. Miratimi i shpejtë dhe kërkesat minimale për dokumentacion shoqërohen me kosto shumë më të lartë, në raport me kreditë e ngjashme që ofron sektori bankar. Megjithatë, suksesi i këtij produkti ka nxitur edhe bankat të bëhen më konkurruese për sa u takon afateve dhe procedurave të dhënies së kredisë konsumatore
Ersuin Shehu
Normat e larta të interesit të mikrokredisë konsumatore janë prej vitesh temë debatesh në tregun financiar. Ky fenomen ishte shtysa kryesore që edhe Banka e Shqipërisë t’iu bashkohej atyre rregullatorëve të tregut që aplikojnë një normë tavan të interesit efektiv të kredive konsumatore.
Në terma mesatarë, normat e interesit që aplikojnë institucionet e mikrofinancës janë disa herë më të larta se ato që ofron sektori bankar për produkte të ngjashme. Megjithatë, zgjerimi i shpejtë i disa prej institucioneve të mikrokredisë dëshmon se ky produkt ka rezultuar i suksesshëm.
Suksesi i një modeli të tillë, në mënyrë të tërthortë, dëshmon se tregu ka hapësira dhe nevoja të pashërbyera plotësisht nga produktet financiare më klasike dhe aktorët që i ofrojnë.
Informaliteti i lartë dhe edukimi i pamjaftueshëm financiar janë padyshim faktorë që krijojnë terren të favorshëm për kreditimin e shtrenjtë, por, nga ana tjetër, modeli i kredive të shpejta ka dëshmuar se, në këtë segment, ndoshta nevojitet fleksibilitet dhe dinamizëm më i madh nga bankat.
Mikrofinanca, interesat disa herë më të larta
Normat efektive të interesit të kredive mund të jenë shumë të ndryshueshme, në varësi të shumës dhe afatit të maturimit.
Megjithatë, për të krijuar një ide orientuese lidhur me diferencat që ekzistojnë mes sektorit bankar dhe mikrofinancës kemi ndërtuar një mesatare të thjeshtë të normës efektive të interesit për kreditë personale, të pasiguruara me kolateral. Norma Efektive e Interesit (NEI) përfshin normën emërore të interesit të kredisë, si dhe komisionet, tarifat apo të gjitha kostot e tjera të kredisë që i ngarkohen klientit.
Llogaritja është kryer, mbështetur në shifrat që bankat dhe institucionet e mikrofinancës raportojnë me bazë tremujore në Bankën e Shqipërisë, për qëllime të dhënies së një informacioni krahasues për publikun. Shifrat bazohen në deklarimet e institucioneve financiare dhe nuk janë të audituara apo të certifikuara nga ndonjë palë e pavarur.
Të dhënat e raportuara nga vetë subjektet tregojnë se diferencat mes bankave dhe Institucioneve Financiare Jo-Banka (IFJB) janë të mëdha, por, me një tendencë për t’u ngushtuar me zgjatjen e maturitetit të kredisë.
Për kreditë me maturitet deri në 12 muaj, norma mesatare efektive e interesit që aplikojnë bankat është 10.3%, ndërsa për IFJB-të ky tregues është pothuajse katër herë më i lartë, në nivelin 37.8%. Për t’u theksuar është se NEI-t që raportojnë institucionet financiare kanë diferenca të mëdha me njëra-tjetrën dhe fillojnë nga niveli 14% deri në 149%.
Ndërkohë, mes bankave, normat e interesit kanë diferenca më të ngushta dhe janë të vendosura në intervalin mes 6% dhe 14%.
Me zgjatjen e maturitetit të kredisë, NEI mesatar për sektorin bankar ka një rënie të lehtë, por me ndryshime të vogla. Në varësi të maturitetit, ky tregues ulet në një nivel mesatar 10 – 10.1%. Por, për IJFB-të, vërehet rënie e ndjeshme e NEI-t mesatar me zgjatjen e maturitetit të kredisë.
Për kreditë me maturim deri në 60 muaj, NEI mesatar bie pothuajse në gjysmën e nivelit të përllogaritur për kreditë më afatshkurtra, me maturim deri në 12 muaj. Rënia e NEI-t me zgjatjen e maturitetit të kredisë është shumë e lidhur me strukturën e kostove që aplikojnë këto institucione, ku një peshë të madhe zënë komisionet fikse.
Me zgjatjen e maturitetit, pesha relative e komisioneve në strukturën e NEI-t bie, duke bërë që kostoja totale e kredisë të jetë më e ulët.
Mikrofinanca: Jemi më të shtrenjtë, por ka arsye për këtë
Drejtuesit e institucioneve të mikrofinancës pranojnë se përgjithësisht, kreditë që këto kompani ofrojnë janë më të shtrenjta se ato të bankave, por shprehen se për këtë ka arsye thelbësore.
E para është kosto më e lartë e fondeve. Bankat e financojnë ndërmjetësimin kryesisht nga depozitat, që kanë një kosto më ulët, në raport me format që përdor mikrofinanca.
Kompanitë e mikrofinancës i sigurojnë fondet nëpërmjet instrumenteve më të shtrenjta, ku përfshihet huaja bankare, emetimi i obligacioneve nga kompania apo nga aksionerët, ose mbështetja direkte me kapital prej aksionerëve.
Element tjetër që ndikon ndjeshëm kostot është madhësia mesatare e kredisë. Biznesi me kredi në vlera mesatare të vogla ka kosto për njësi më të larta krahasuar me huadhënien në vlera mesatare më të larta tipike për bankat. Për shembull, për një kredi në vlerë prej 300 apo 400 euro, vlera emërore e interesit ka një domethënie më të madhe se interesi relativ i shprehur nëpërmjet NEI-t.
Një element po aq i rëndësishëm është kosto e rrezikut. Një kompani që jep kredi për 10 minuta dhe pothuajse pa asnjë dokument, sigurisht që merr përsipër një risk shumë më të madh se banka që kryen një analizë më të detajuar kreditore.
Kjo përkthehet në më shumë kredi të këqija, më shumë humbje nga kreditë e pakthyera dhe më shumë shpenzime për procesin e mbledhjes së detyrimeve nga klientët.
Të gjithë këta faktorë në teori e bëjnë kreditimin e mikrofinancës më të shtrenjtë. Por, pyetja është sa më shtrenjtë do të ishte çmimi i arsyeshëm për këtë model biznesi? Për këtë, natyrisht që është e vështirë të vendoset një kufi i saktë.
Por, norma tavan e interesit, e vendosur nga Banka e Shqipërisë, nga njëra anë, dhe konkurrenca në rritje në tregun e kredive të vogla nga ana tjetër, në teori, janë faktorë që mund ta ndikojnë për të caktuar çmime më të drejta në këtë treg.
Pse njerëzit marrin kredi të shtrenjta te mikrofinanca?
Kompanitë e mikrofinancës konsumatore zakonisht identifikohen si institucione që ofrojnë norma shumë të larta interesi për kreditë.
Këto norma mund të jenë shumë të ndryshueshme, në varësi të shumës dhe afatit të maturimit të kredisë, por në terma mesatarë, ato janë ndjeshëm më të larta krahasuar me normat e interesit që ofrojnë bankat.
Duke parë rritjen e shpejtë që kanë njohur këto kompani në vitet e fundit, pyetja e parë që mund të shtrojë shumëkush është: pse njerëzit marrin kredi me interesa kaq të larta, ndërkohë që tregu ofron edhe interesa më të arsyeshme, kryesisht nga bankat?
Përgjigjja e parë që të vjen ndër mend është se, të marrësh kredi në këto institucione është më e lehtë dhe kërkon më pak kohë. Por, në fakt, një pjesë shumë e madhe e klientëve të mikrofinancës shkojnë aty, sepse nuk gjejnë akses në sektorin bankar.
Këtu përfshihen individët që nuk kanë të ardhura të rregullta, apo të formalizuara, apo ata që mund të kenë ngarkesë ekzistuese me borxh të tillë që, në gjykimin e bankës, i bën klientë me rrezik tepër të lartë për t’u financuar.
Një prej drejtuesve të institucioneve të mikrofinancës thotë se kompania e tij ka mijëra klientë që kanë marrë kredi të përsëritur. Shumë prej tyre kanë edhe më shumë se 10 kredi në historikun e tyre. Sipas tij, ky kontingjent klientësh i njohin bankat si alternativë, por në shumicën e rasteve, u drejtohen mikrofinancës, sepse refuzohen prej bankave.
Një pjesë e bankave ende janë shumë të ngurta në kërkesat për miratimin e kredive konsumatore. Për shembull, sot ka ende banka që kërkojnë cash collateral për t’i miratuar klientit një kartë krediti, që përfaqëson një linjë klasike të kredisë personale.
Pavarësisht se diferencat në normat e interesit me bankat janë shumë të mëdha, në fund të fundit, institucionet financiare të kredive të shpejta sot ekzistojnë edhe në ekonomitë më të zhvilluara të botës.
Kjo tregon se kreditë e shtrenjta nuk janë një model që ekziston vetëm në vende ku edukimi dhe përfshirja financiare është e dobët, siç mund të jetë Shqipëria. Segmenti me një shkallë më të ulët të përfshirjes financiare përbën një pjesë të klientelës së këtyre instrumenteve në çdo vend, por bankierët shprehen se modeli më dinamik i biznesit iu jep këtyre fintech një avantazh edhe në segmente të tjera të tregut, siç mund të jenë më të rinjtë.
Megjithatë, në parim, një klient i shtresës së mesme, që ka të ardhura të rregullta dhe të formalizuara, në kushte normale mund të përfitojë akses në kredi nga banka dhe nuk do të kishte arsye të paguante interesa shumë herë më të larta te një institucion mikrofinanciar.
Për këtë kategori klientësh, është e rëndësishme një vendimmarrje më e informuar dhe më racionale. Në shumicën e rasteve, shpenzimet konsumatore nuk janë aq urgjente sa klienti të mos presë dot dy apo tre ditë për miratimin e kredisë bankare.
Por, nga ana tjetër, ky është edhe mësim për bankat që në këtë produkt nevojiten të përshtaten me zhvillimin e tregut. Kriteret e administrimit të rrezikut, ndoshta në disa raste, duhet të jenë më proporcionale me vlerën e ekspozimit dhe me shkallën e rrezikut që merret përsipër.
A mundet që bankat të bëhen fintech për kredi të shpejta?
Megjithëse mikrofinanca konsumatore shpesh paragjykohet nga sektori bankar, është fakt që modeli i kredive të shpejta, i sjellë nga disa prej institucioneve të mikrofinancës, është bërë një shtysë që edhe bankat tregtare të tentojnë një qasje më dinamike dhe më pak burokratike ndaj kredisë konsumatore.
Po të shohim mesazhet promocionale të disa prej bankave tregtare, nuk mungojnë produktet ku vihet theks i veçantë te shpejtësia.
Për shembull, një produkt i ofruar nga disa banka tregtare është kredia me palë të treta, ose kredia që mundëson financimin e blerjes së produkteve apo shërbimeve të tregtarëve të caktuar, që kanë marrëveshje paraprake me bankën. Për shuma të vogla dhe afate të shkurtra maturimi, deri në një vit, ka banka që ofrojnë kredi me normë interesi zero, por me komisione administrimi fikse.
Në thelb, NEI rezulton i ngjashëm me një kredi të zakonshme konsumatore, por struktura e kostove është e ngjashme me produktet e mikrofinancës, që e transferojnë një pjesë të madhe të barrës për klientin nga interesat tek kostot fikse, kryesisht te komisionet. Shumë banka gjithashtu promovojnë produkte të zakonshme të kredisë konsumatore me procedura të shpejta miratimi, për shembull, brenda 24 orësh, për shuma të kufizuara.
Me gjithë përpjekjet për të shmangur imazhin e tyre si institucione tepër të burokratizuara, është e qartë se për bankat është e vështirë të japin kredi me afate në rendin e disa minutave dhe pothuajse pa dokumentacion, siç ndodh me disa institucione mikrofinanciare.
Bankierët shpjegojnë se kjo lidhet me disa arsye. Në të gjithë botën, ekziston debati i madh se asimetria e rregullimit dhe mbikëqyrjes është një avantazh i rëndësishëm për institucionet financiare fintech (qoftë me profil ofrimin e shërbimeve të pagesave, apo të produkteve të kredisë) kundrejt bankave tregtare.
Ky avantazh ekziston edhe në Shqipëri. Natyrisht që edhe institucionet financiare jobanka janë subjekte të mbikëqyrura, të cilat duhet të veprojnë në përputhje me një kuadër të caktuar rregullativ, por ky kuadër, në rastin e bankave, është më strikt.
Duke qenë institucione që mbledhin depozita të publikut, është e natyrshme që kuadri rregullativ për bankat të jetë më kërkues.
Një çështje tjetër po aq e rëndësishme është fokusi i biznesit. Institucionet mikrofinanciare e kanë të ndërtuar aktivitetin rreth kredive të vogla dhe i gjithë modeli i biznesit orientohet te gjetja e mënyrave për të qenë më konkurrues në këtë segment.
Nga ana tjetër, bankat janë institucione më të mëdha dhe me fokus shumë më të gjerë. Mikrokreditë përbëjnë një pjesë më të vogël të portofolit të tyre, ndërsa volumet kryesore të huasë gjenerohen nga kreditë në vlera mesatare më të mëdha. Për këtë arsye, është e vështirë që bankat të angazhojnë një pjesë tepër të madhe të resurseve ekonomike, njerëzore dhe teknike në shërbim të mikrokredive.
Drejtuesit e kompanive të mikrofinancës shpjegojnë se ngritja e një modeli të tillë nuk kërkon thjesht marrjen përsipër të një rreziku më të madh, duke hequr dorë nga një pjesë e madhe e kërkesave burokratike të lidhura me aplikimin dhe miratimin e kredisë.
Ajo kërkon edhe investimin në sisteme që e mundësojnë një procesim të shpejtë, por edhe ngritjen e strukturave të posaçme për ndjekjen dhe rikuperimin e kredive. Të gjitha këto sjellin kosto të konsiderueshme. Nëse mbajmë parasysh peshën më marxhinale që mikrokredia ka në bizneset e bankave dhe çështjet e lidhura me rregullimin dhe mbikëqyrjen, për bankat ndoshta investime të tilla nuk do të ishin me shumë leverdi.
Drejtues të bankave tregtare shprehen se, ndoshta, skenari më fizibël që bankat të tentojnë një zgjerim në segmentin e mikrofinancës mund të jetë nëpërmjet filialeve të kontrolluara dhe jo duke ofruar ato vetë një profil biznesi të këtij lloji. Investimi i bankave në blerjen e kompanive fintech është një tendencë tashmë e përvijuar qartë në sektorin financiar europian dhe më gjerë.
Madje, grupe të rëndësishme bankare europiane kanë ngritur struktura të posaçme që lidhen me ndjekjen e tregut të fintech, identifikimin e kompanive me interes, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të biznesit të filialeve të blera. Nuk mund të përjashtohet që kjo tendencë të shtrihet, në një të ardhme të afërt, edhe në Shqipëri.
Vitin e kaluar, Tirana Bank hyri në negociata për blerjen e institucionit financiar NOA. Megjithëse transaksioni nuk u mbyll me sukses, ky ishte një sinjal se bankat po interesohen për të blerë kompani të mikrofinancës që janë fitimprurëse dhe kanë ngritur modele efikase biznesi, në segmente të veçanta të tregut.
Kredia konsumatore e bankave, portofoli arrin në 530 milionë euro
Viti i kaluar dha sinjale të dukshme të rimëkëmbjes së kreditimit, sidomos në segmentin e individëve. Kredia konsumatore nuk bëri përjashtim nga kjo tendencë.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, bankat dhanë afërsisht 33 miliardë lekë kredi konsumatore (përfshirë edhe overdraftet), në rritje me 53.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në fund të vitit të kaluar, portofoli total i kredisë konsumatore arriti vlerën e 64.2 miliardë lekëve, ose rreth 530 milionë eurove. Me bazë vjetore, portofoli i kredisë konsumatore është zgjeruar me 8.2%.
Për shkak se kredia konsumatore ka afate më të shkurtra maturimi, edhe amortizimi i portofolit është relativisht i shpejtë, çka bën që zmadhimi i portofolit të jetë më i ngadaltë krahasuar me rritjen e kredisë së re.
Trajektorja e portofolit të kredisë konsumatore tregon se, pas një rënieje afatshkurtër në momentin që ekonomia u përball me valën e parë të pandemisë, edhe ky produkt shënoi rimëkëmbje të shpejtë. Duke filluar nga tremujori III 2020, kredia konsumatore i është kthyer rritjes së qëndrueshme.
Edhe mikrofinanca u rimëkëmb shpejt pas pandemisë
Kredia e dhënë nga institucionet financiare jobanka shënoi rritje pozitive vitin e kaluar, duke vijuar rimëkëmbjen nga efektet afatshkurtra të pandemisë, që u regjistruan kryesisht në vitin 2020.
Statistikat nuk japin informacion për volumin e disbursimeve të reja, megjithatë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë së korporatave të tjera financiare, (klasifikim që përjashton bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit), në fund të muajit shtator 2021 arriti në 41.7 miliardë lekë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me 12.7%. Rritja e kredisë së institucioneve financiare jobanka është lehtësisht më e lartë në raport me ritmet e rritjes së portofolit të kredisë bankare. Huaja e institucioneve financiare jobanka është e orientuar kryesisht te bizneset e vogla dhe tek mikrofinancimet për konsumatorët.
Të dhënat për cilësinë e portofolit të kredisë nuk janë të përditësuara përtej tremujorit të parë të vitit të kaluar, kur raporti i kredive me probleme ishte rreth 13%, me një tendencë në rritje krahasuar me tremujorët e mëparshëm.
Në pjesën më të madhe, portofoli i kredisë së korporatave të tjera financiare u takon institucioneve të kreditimit dhe mikrofinancës.
Huaja e dhënë nga këto institucione përbën pothuajse 6% të portofolit të total të kredisë për ekonominë. Por, në numër të huave të dhëna, pesha e mikrofinancës është shumë më e lartë dhe, sipas përfaqësuesve të sektorit, ajo arrin në afërsisht një të katërtën e kredive të disbursuara nga sektori financiar në vend.
Mikrofinanca krediton nevojat konsumatore të individëve dhe aktivitetin e bizneseve të vogla dhe mikro, kryesisht në atë segment që nuk gjen akses për financim nga sektori bankar. Ky është një grup më i brishtë, me nivel më të lartë të informalitetit dhe riskut, e rrjedhimisht më i ekspozuar ndaj krizave të papritura, siç ishte pandemia.
Kjo goditje bëri që vitin e kaluar, kredia e këtyre institucioneve të pësonte rënie, për herë të parë që prej vitit 2015, ndërsa në vitin 2021 i është kthyer rritjes, por pa arritur ritmet e para pandemisë.
Që nga fillimi i këtij viti, mikrofinanca do të përballet me një ndryshim të rëndësishëm rregullator, vendosjen e një norme tavan të interesit mbi kreditë konsumatore. Kjo do të prekë veçanërisht kompanitë që kanë në themel të aktivitetit kreditë e vogla konsumatore. Detyrimi për të përshtatur strukturën e produkteve me normat tavan të interesit mund të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes së huadhënies nga këto institucione.
Vendosen normat tavan të interesit, 171.41% për kreditë e vogla me këste
Që prej fundit të vitit të kaluar, kanë hyrë në fuqi ndryshimet në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, që parashikojnë vendosjen e një norme efektive maksimale interesi për kreditë konsumatore. Normat e para u publikuan nga Banka e Shqipërisë në mes të muajit janar.
Norma efektive maksimale e interesit (NEI maksimal) për shumat deri në 200 mijë lekë, do të jetë 171.41% për kreditë me këste, 19.55% për overdraftet dhe 27.28% për kartat e kreditit. Për shumat në intervalin mes 200 mijë dhe 2 milionë lekë, NEI maksimal për kreditë me këste do të jetë 38.79% dhe për overdraftet, 16.75%.
Për produktet dhe shumat, ku numri i kredive të disbursuara në 6-mujorin e mëparshëm është më pak se 1 mijë, Banka e Shqipërisë nuk do të aplikojë treguesin e NEI-t maksimal. Për këtë arsye, ky tregues nuk është vendosur për disa nga produktet dhe shumat e parashikuara në rregullore, si për kartat e kreditit deri në vlerën 2 milionë lekë dhe për të gjitha kategoritë e kredisë konsumatore në intervalin mes 2 milionë dhe 10 milionë lekë.
Norma efektive maksimale e interesit përfshin normën nominale të interesit, komisionet e aplikuara nga huadhënësi dhe të gjitha kostot e kredisë që i transferohen klientit.
Sipas ndryshimeve në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe hipotekore”, që hynë në fuqi më 31 dhjetor 2021, NEI maksimal do të llogaritet nga Banka e Shqipërisë me bazë 6-mujore, mbështetur në të dhënat e Regjistrit të Kredive të administruar prej saj.
Nivelet e NEI-t maksimal do të publikohen në fillim të çdo 6-mujori dhe bazohen në kreditë e disbursuara në 6-mujorin paraardhës. Sipas rregullores, ky tregues ndërtohet si mesatare e normës efektive të interesit për secilin produkt dhe interval, e shtuar me një të tretën.
NEI mesatar i kredive të dhëna në 6-mujorin II 2021 për kreditë me këste deri në 200 mijë lekë ka rezultuar 128.56%, për overdraftet 14.66% dhe për kartat e kreditit, 20.46%. Për kreditë me këste me vlerë deri në 2 milionë lekë, norma mesatare efektive e interesit ka rezultuar 29.09%, ndërsa për overdraftet, 12.56%.
NEI maksimal është i detyrueshëm për t’u respektuar nga të gjitha bankat dhe institucionet financiare të licencuara për aktivitet të huadhënies në Shqipëri.
Vitin e kaluar, Shqipëria iu bashkua vendeve që aplikojnë një normë maksimale efektive interesi. Arsyeja kryesore ishte mbrojtja e konsumatorit nga normat potencialisht abuzive të interesit, të aplikuara kryesisht nga disa institucione financiare jobanka.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, normat efektive të interesit, para hyrjes në fuqi të rregullores, arrinin deri në 256% për kreditë në shuma të vogla dhe afate minimale maturimi. Vendosja e normës tavan të interesit do të ketë ndikim të konsiderueshëm sidomos në këtë segment të produkteve.
Kjo mund të ndikojë në uljen e përfitueshmërisë së institucioneve të mikrofinancës, por ndoshta edhe do të sjellë ndryshime në strukturën e produkteve, duke i orientuar drejt rritjes së shumës minimale të huasë dhe zgjatjes së maturitetit, me qëllim zbutjen e normës efektive të interesit.
Rregullorja, e cila hyri në fuqi nga fillimi i këtij viti, parashikon gjithashtu vendosjen e një kufiri të penaliteteve dhe kamatëvonesave në masën 30% të detyrimit kontraktor, i kuptuar si vlerë e kësteve të papaguara (principal + interesa).
Vendosja e këtij tavani është parë e arsyeshme për shkak të problemeve të krijuara me kreditë e këqija që kalonin nëpër një fazë të stërzgjatur të procesit të rikuperimit.
Penalitetet e larta, që i fryjnë detyrimet përtej çdo kufiri të arsyeshëm, janë identifikuar si një element që cenon të drejtat e huamarrësve dhe ushqen praktika jo etike biznesi, sidomos nga mbledhësit e borxheve të këqija.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.