Kalendari buxhetor nuk e favorizon në kohë qeverinë. Sipas planit, duhet të ishte miratuar brenda muajit tetor, kurse tani në nëntor, Kuvendi duhet të diskutonte mbi propozimet. Ministria e Financave pranon se ka pasur vështirësi në gjetjen e rrugës së duhur të kompromisit, pasi disa ministri kanë kërkuar më shumë fonde, nga sa ishte mundësia, sidomos ajo e Transporteve dhe e Mbrojtjes.
Si plan, buxheti i shtetit vërtitet rreth shifrës 400 miliardë lekë. Thuhet me përafërsi, pasi Kryeministri Berisha ka në tryezën e tij dy variante: buxhet me borxh brenda kufirit ligjor 60 për qind dhe variant të dytë, me borxh mbi këtë kufi, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Shifra e buxhetit të parë arrin rreth 390 miliardë lekë, kurse e dyta 420 miliardë lekë, pra dy variantet. Duke pasur parasysh deklaratat e Kryeministrit, që do të tentohet të shkohet mbi 400 miliardë lekë, me një borxh publik 2 për qind mbi nivelin e lejuar ligjërisht.
Këtu është edhe dilema e madhe. Borxhi aktualisht është në kuotën e rreth 820 miliardë lekëve, ose 59.8 për qind, pra shumë afër limitit të vendosur me ligjin e menaxhimit të buxhetit në vitin 2008, ndërsa vitin e ardhshëm parashikohet të rritet me të paktën edhe 50 miliardë lekë të tjera. Gjithsesi, këta mbeten skenarë, pasi ministria parashikon që investimet t’i kryejë me 70 për qind borxh, pra me huamarrje nga burime të jashtme.
“Buxheti i vitit 2013 do të bazohet jo mbi të ardhurat nga privatizimi i ‘Albpetrol’ apo të HEC-eve, por mbi skenarët e rritjes ekonomike”, thotë ministri i Financave. Rritja e parashikuar është rreth 4 për qind, por këto janë plane ose shpresë e qeverisë, pasi FMN dhe Banka Botërore me metodologjinë e tyre, nxjerrin parashikime të rritjes jo më të lartë se 1 për qind.
Fonde për rrugë të “vjetra”
Plani i buxhetit parashikon investime vetëm në veprat ekzistuese. Sipas Ministrisë së Financave, fokusi i investimeve do të jetë tek objektet e nisura, të paktën te rrugët, ku në numër janë të paktën mbi 100 vepra. Në vlerë, pritet të miratohet një fond rreth 70 miliardë lekë, diçka më shumë se ky vit, po ku më shumë se gjysma do të realizohen përmes financimeve të huaja.
Qeveria ka edhe një problem me faturat e prapambetura në sektorin e infrastrukturës, jo vetëm në atë rrugore, por edhe tek objektet e tjera, si në shkolla, spitale, etj. Pra, në total janë gati 150 milionë euro, por për këtë pjesë, duket se Ministria e Financave nuk ka parashikuar ndonjë zë të veçantë.
Ministria e njeh faturën, d.m.th pranon situatën me borxhin ndaj firmave ndërtuese, por thotë se detyrimi i krijuar nuk lidhet me pamundësinë e shtetit për të likuiduar pagesat, por fakti se firmat kanë operuar me ritme më të shpejta nga sa e parashikon programi buxhetor.
Plani i buxhetit nuk parashikon fonde për hapje rrugësh të reja dhe se fokusi do të jetë për 2013-n tek autostrada Tiranë-Elbasan, duke vendosur shumën prej 10 miliardë lekësh. Kjo autostradë po i kushton qeverisë rreth 35 miliardë lekë, ku vetëm tuneli arrin në shumën e 8.5 miliardë lekëve.
Borxhi dhe pagat
Padyshim që për Kryeministrin e vendit, buxheti i shtetit do të fokusohet “te mirëqenia e shqiptarëve”, duke paralajmëruar se do të vijojë rritjen e pagave dhe të pensioneve, pavarësisht situatës së vështirë. Në total, shteti jep në formë subvencionimi për pensionet rreth 35 miliardë lekë dhe fatura pritet të fryhet me efektet e rritjes së pensioneve në qershor, kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet e përgjithshme elektorale.
Rritja e borxhit publik shihet me kujdes nga ministri i Financave, megjithatë, ai shton se devijimi nga programi do të synojë një stimul për ekonominë.
Gjithnjë e më shumë po shtohet doza e debatit pro rritjes së borxhit, me qëllim mbështetjen e rritjes ekonomike.
Sipas FMN-së, borxhi publik ka arritur sakaq në 64 për qind në raport me PBB-në për këtë vit, ndërsa pritet të shkojë në 65 për qind vitin e kaluar. Me garancinë që iu dha KESH-it, qeveria mund ta ketë tejkaluar. Po se cila do të jetë masa, kjo pritet të shihet, duke pasur parasysh situatën edhe me sektorin energjetik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.