Materializimi i një fuzioni ekonomik mes vendeve të rajonit, është një ide, nga e cila Shqipëria do të ishte ndër vendet që do të përfitonte më pak (së bashku me Kosovën, madje ata do të rezultonin të humbur në shumë nga minigarat sektoriale që do të përbëjnë garën e madhe për të përfituar nga koncepti.
Nga Panajot Soko*
Pakkush e mendonte se Samiti i Triestes, i paramenduar në fillim si një aktivitet stinor me pak impakt në temperaturën politike të vendit, do të prodhonte një debat kaq të madh. Pritej që aktivitetet post-elektorale do të kalonin në heshtje edhe për shkak të faktit që mandati i qartë që populli i dha mazhorancës, lë pak shteg për diskutime dhe opozicion.
Por fakti tregoi që gjithë arsyetimi i mësipërm, rezultoi i gabuar. Samiti i Triestes shkaktoi zemërim dhe debat.
Zemërimi u drejtua kryesisht ndaj prezantimit që Shqipëria bëri në Samit, duke mos arritur të sigurojë asnjë financim nga fondet e vëna në dispozicion dhe duke humbur në garë të drejtpërdrejtë me shtetet e tjera të rajonit, të cilat u kthyen duarplot prej Triestes.
Përveç kësaj prodhoi dhe një debat të madh, për sa i përket konceptit të ri të prezantuar në këtë samit, mbi krijimin e një unioni doganor (për momentin) nga vendet anëtare të Procesit të Berlinit, me synim krijimin e një tregu të përbashkët rajonal në të ardhmen e afërt.
Nxitimi i Kryeministrit Rama për t’u rreshtuar, nëpërmjet një artikulli të botuar në WSJ, pro këtij koncepti, ende pa u shpallur ky si koncept dhe pa e filtruar paraprakisht në sitën e një diskutimi publik, e ndezi dhe më shumë debatin që, nxitur nga frika që prodhon e panjohura, filloi të shkaktonte një reaksion zinxhir konceptesh në perceptimin e përgjithshëm. Dhe hallkat e fundit të këtij reaksioni që iu servirën publikut nëpërmjet medias apo rrjeteve sociale, ishin nga më të larmishmet, si për nga emri që iu vu procesit (shumëkush e quajti “Jugosllavia e Re”) e deri për nga qëllimet pse po bëhej e gjithë kjo.
Megjithëse edhe në këtë rast, transparenca ka qenë një ndër pikat e dobëta që shoqërojnë procesin, do të doja të ndalesha dhe ta trajtoja nga pikëpamja ekonomike, duke marrë si kufij të konceptit ato piketa politike që, si me grep, arrita të “peshkoj” në fjalimet politike që aktorët kryesorë artikuluan gjatë parashtrimit të konceptit.
Materializimi i një fuzioni ekonomik mes vendeve të rajonit, është një ide, nga e cila Shqipëria do të ishte ndër vendet që do të përfitonte më pak (së bashku me Kosovën, madje ata do të rezultonin të humbur në shumë nga minigarat sektoriale që do të përbëjnë garën e madhe për të përfituar nga koncepti.
Ideja e bashkimit të vendeve të rajonit, bashkimit të tregjeve, është e vërtetë që do ta kthente rajonin në një zonë atraktive ekonomike për investitorët, por përfitimet nga ky bashkim nuk do të ishin të njëjta për të gjitha vendet e rajonit. Vendet me gravitet më të madh ekonomik ishin ato që do të përfitonin më shumë, ndërsa vendet e vogla do të përfitonin më pak, madje në shumë raste do të humbisnin nga ky bashkim.
KUSH PËRFITON DHE SI?
Aktualisht qendra e gravitetit ekonomik në rajon është Serbia. Të jesh qendra e gravitetit ekonomik do të thotë të kesh shifrat ekonomike dhe të kapitalit të dislokuar, popullsinë më të madhe dhe më të pasur, popullsi me “know-how”-n më të lartë dhe me moshën më të re.
37.7 miliardë USD të PBB-së së Serbisë mbulojnë më shumë se 3.5 herë PBB-në tonë dhe popullsia e saj prej afërsisht 7.1 milionë banorësh, është 2.5 herë më e madhe sesa popullsia jonë. Por edhe në terma referencialë, PBB për frymë në Serbi është 5400 USD, ose rreth 1.3 herë më e lartë sesa treguesi ynë. Vetëm eksportet serbe, në një vit, kapin shifrën e 18 miliardë USD, ose sa 170% e gjithë Prodhimit tonë të Brendshëm Bruto.
Edhe kur e krahasojmë Serbinë me vendet e tjera të rajonit, përfitojmë një tablo të ngjashme.
Për ta vizualizuar idenë, do të doja t’i referohesha astrofizikës, sepse pavarësisht se ligjësitë e saj nuk janë të njëjta me ekonominë, ato bëjnë rimë.
Nëse do ta parafytyronim në një regjim bashkëveprimi gravitacional, Serbia është planeti dhe gjithë të tjerët janë satelitët.
Dhe ashtu si në astronomi, trupi i madh, për shkak të gravitetit më të madh, tërheq gjithë prurjet nga jashtë sistemit drejt vetes, kometa apo asteroide qofshin, ashtu edhe në rast të një fuzioni të tillë ekonomik, çdo investim i huaj që do të orientohej nga rajoni ynë i unifikuar, po për shkak të gravitetit (ekonomik në këtë rast) do të pikëshënjonte Serbinë.
Për ta kuptuar, le të marrim shembullin e Shqipërisë. Në Shqipëri, zona e cila ka nivelin më të lartë të mirëqenies, pra është qendra e gravitetit ekonomik, është zona Tiranë-Durrës. Pavarësisht se është vetëm 3% e territorit, këtu gjendet tregu më i madh (70% e popullsisë), njerëzit këtu janë më të pasur. Po ashtu këtu gjen edhe numrin më të madh të njerëzve më të përgatitur profesionalisht dhe infrastruktura është më e zhvilluar.
Nëse një kompani, shqiptare ose e huaj, do të zgjidhte për të investuar në Shqipëri, natyrisht që 9 në 10 raste do të investonte brenda kësaj zone. Sepse do të zgjidhte të ishte afër copës më të madhe të tregut, aty ku infrastruktura është më e zhvilluar dhe ku njerëzit janë më të përgatitur.
Dhe për shkak të të qenët brenda një entiteti administrativ (shtet në këtë rast), nëpërmjet investimit të bërë në Tiranë do të shfrytëzonte dhe tregun e Gjirokastrës apo Kukësit. Pra Gjirokastra dhe Kukësi nuk do të përfitonin asgjë nga kjo kompani – ky investim (duke abstraguar nga taksat kombëtare për një moment) sepse vendet e punës do të ishin në Tiranë, njëkohësisht dhe taksat e kësaj kompanie do t’i mblidhte Bashkia e Tiranës. Por ato thjesht do të shfrytëzoheshin për atë treg që kanë.
Kjo vlen dhe për fuzionin ekonomik, apo Tregu Rajonal siç quhet. Qendra e gravitetit të këtij tregu do të ishte Serbia, sepse ajo ka gjithë avantazhet. Janë më shumë në numër popullsie, kanë të ardhurat për frymë më të lartat në rajon, kanë infrastrukturën më të zhvilluar dhe know-how (njohuri) më të larta.
Rrjedhimisht, investitorët do të zgjidhnin të investonin aty dhe gjithë përfitimet madhore si vendet e punës, investimin në vlerë monetare, përfitimet nga taksat etj., do të shkonin në favor të saj. Shqipëria në më të shumtën e rasteve do të ishte në praktikë një treg komplementar (bonus) që investitori do të përfitonte pa asnjë impenjim shtesë.
Dhe kjo nuk është më e keqja. Pasi në rastin e investimeve të huaja, ndajmë përfitim, dikush më shumë e dikush më pak.
Problemi bëhet serioz kur diskutojmë rreth produkteve konkurruese historike mes vendeve dhe këtu i referohem në radhë të parë produkteve bujqësore. Pa mburojën e barrierave jotarifore, prodhimi bujqësor shqiptar do të ishte totalisht i ekspozuar dhe i brishtë përballë eksporteve të pamata serbe që do të vërshonin më konkurrues se kurrë në tregun tonë. Për shkak të avantazheve që i jep hapësira e madhe në sipërfaqe dhe tradita e kulturave bujqësore të zhvilluar në vite, serbët do ta pushtonin Shqipërinë dhe do ta shkatërronin sektorin bujqësor shqiptar më shpejt se karkaleci në kohë të vet. Dhe këtu nuk do të bëhet me fjalë për garë përfitimesh, këtu bëhet fjalë për fituesin që i merr të gjitha dhe humbësi që vritet.
AVANTAZHE KRAHASUESE APO KONKURRUESE?
Në qendër të debatit teorik është hedhur dhe teza e zëvendësimit të projeksioneve zhvillimore bazuar mbi konceptin e ri të avantazheve konkurruese, në vend të konceptit aktual të avantazheve krahasuese.
Nuk mundemi dhe nuk është Shqipëria në stadin kur mund të bazojë zhvillimin e saj bazuar në avantazhet konkurruese. Jemi një ekonomi e pazhvilluar, një popullsi e papërgatitur profesionalisht, një masë modeste kapitali të dislokuar dhe një infrastrukturë ende të prapambetur. Shqipëria, duam apo s’duam, na pëlqen apo s’na pëlqen dhe për disa dekada do të konkurrojë me avantazhe krahasuese. Ky është realitet tashmë dhe duhet pranuar. Duke e pranuar dhe duke zhvilluar projeksione me këmbë në tokë, maksimizojmë përfitueshmërinë. Çdo mënyrë tjetër të menduari do të na shkaktonte më shumë dëm; pak a shumë siç na shkaktoi Kombinati Metalurgjik në Elbasan.
A jemi konkurrues
Jemi një ekonomi e pazhvilluar, një popullsi e papërgatitur profesionalisht, një masë modeste kapitali të dislokuar dhe një infrastrukturë ende të prapambetur.
CILI ËSHTË QËLLIMI I OFERTUESVE TË NJË PROJEKTI TË TILLË DHE A PËRFITOJNË ATA REALISHT?
Kryefjala e Samitit të Triestes ishte nocioni i ri “Stabilokracia”. Duket se vendet propozuese të konceptit të fuzionit ekonomik, në thelb kërkojnë të zhvillojnë një instrument të ri para-aderues, për shkak se Europa tashmë i ka pushuar programet e zgjerimit dhe me qëllim ruajtjen e stabilitetit në Ballkan (duhet thënë që për momentin europianët e çmojnë stabilitetin në rajon më shumë se demokracia apo zhvillimi, madje do të ishin të gatshëm të sakrifikonin nga demokracia dhe zhvillimi në përfitim të stabilitetit).
Duke mos polemizuar me faktin nëse është më mirë stabilitet apo zhvillim ekonomik dhe demokraci, pra duke e marrë të mirëqenë si fakt, lind një pyetje; -A do t’i shërbejë një nismë e tillë stabilitetit? Pas këtij fuzioni ekonomik, a do të ketë një përafrim emocional mes popujve të Ballkanit, a do t’i duan shqiptarët më shumë serbët, apo shtetasit e Kosovës-serbët?
Historia ka treguar që marrëdhënie të tilla të komplikuara kanë zhbërë dashurinë dhe aty ku ka ekzistuar një e tillë, jo më të forcojnë aty ku s’ka.
Le t’i hedhim sytë nga projekti i fundit i ngjashëm, Bashkimi Europian. Nëse deri përpara marrëdhënies së ngushtë, grekët i admironin gjermanët, nëse pyet sot cili është populli më i urryer në Greqi, nuk janë më turqit, janë gjermanët. E njëjta gjë ndodh dhe në Çeki, Poloni apo Itali. Nëse dikush ka besuar se krijimi i këtij Bashkimi do të ngjizë dashurinë mes serbëve dhe shqiptarëve, gabohet.
Nëse deri më sot, retorika ndarëse ka qenë në periferitë historike të diskursit publik, me hyrjen në një treg të përbashkët, ku rasti do ta sjellë që njëri do të përfitojë më shumë dhe tjetri më pak, apo njëri do të fitojë dhe tjetri do të humbasë, është e sigurt që ndasitë, të amplifikuara dhe nga background-i historik, do të dalin në plan të parë të diskursit publik duke e tensionuar situatën. Dhe në atë moment vetëm “Stabilokraci” nuk mund të ketë.
ZBEHJE E INFLUENCËS AMERIKANE…
E gjithë kjo lëvizje do të kishte patjetër dhe ndikimin e saj në gjeopolitikë. Natyrisht, që krijimi i një makromodeli ekonomik të ndryshëm nga ky ekzistuesi, do të afektonte dhe modelin politik. Natyrisht, varësia ekonomike, sjell varësi politike. Kjo do të thotë që në momentin kur ekonomia shqiptare do të varej nga aktorë të tjerë ekonomikë, si puna e Serbisë, atëherë kjo do të precipitonte dhe në varësi politike. Rritja e valencës politike sllave në Shqipëri apo Kosovë do të thotë ulje të influencës amerikane në rajon. A është BE e gatshme të përgjigjet aktualisht në një rast eventual të zbehjes së influencës amerikane. Rastet e krizave të fundit në Maqedoni dhe Shqipëri treguan që jo. BE nuk ka as kapacitetin, as mundësitë, as autoritetin dhe as forcën për të zëvendësuar SHBA-në.
Prandaj duhet fiksuar: – Kur influenca amerikane bie në Ballkan, një gjë është e sigurt, ky është një lajm i keq, posaçërisht për shqiptarët.
*Ekspert ekonomie. Opinionet janë të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të Revistës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.