Largimi i vazhdueshëm i një pjese të madhe të krahut të punës në Shqipëri nuk është një lajm i ri dhe po vazhdon. Të rinj dhe jo aq të rinj, të kualifikuar ose jo, numri i shqiptarëve që e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit po vazhdon të rritet. Po aq të njohura janë problemet që ky fenomen po shkakton.
Nga ana e biznesit, mungesa e krahut të punës është një handikap, që nuk mund të tejkalohet. Nga ana makroekonomike, një popullsi që plaket kaq shpejt, krijon vështirësi të vazhdueshme për financat publike.
Por, siç tregon ky numër i revistës, edhe zgjidhja afatshkurtër që shume biznese kërkuan, duket se nuk po arrin suksesin e pritur. Punonjësit e huaj, të cilët prej disa vitesh po shtohen në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nuk janë zgjidhja magjike që bizneset duket se po shpresonin. Arsyet e këtyre problemeve ama nuk duhet të çudisin askënd.
Sipas punëdhënësve shqiptarë, punonjësit e huaj që po zëvendësojnë ata që po largohen kanë produktivitet edhe më të ulët, duke rritur në fakt kostot e punësimit për bizneset.
Teoria ekonomike në fakt sugjeron se pikërisht ky rezultat është ai i pritshëm. Nëse punonjësit e huaj që po vijnë në vend do të kishin produktivitet dhe aftësi të ngjashme, ose edhe më të larta, se shqiptarët që po largohen, edhe ata do synonin tregjet perëndimorë të punës.
Në thelb, produktiviteti është një mall tregu që paguhet si çdo tjetër, dhe do lëvizë drejt tregut që e vlerëson më shume. Supozimi se shqiptarët “kapriçozë” do zëvendësoheshin me të huaj “të bindur e punëtorë” – siç pretendonte dikur propaganda qeveritare – ishte përherë naive dhe aspak e bazuar ne ligjësitë e tregut.
Akoma më tej, edhe ata punëtorë të huaj produktivë nuk ka gjasa që të qëndrojnë gjatë në Shqipëri. Puna dhe kapitali lëvizin aty ku vlerëson më shumë, dhe ata që kanë dëshirën dhe ambicien për të lëvizur drejt më të mirës, do e ndërmarrin atë hap pavarësisht pasaportës së tyre. Ky fenomen nuk duhet të ishte kaq surprizë për shqiptarët.
Vala e parë e emigrantëve shqiptarë të viteve ’90 lëvizi fillimisht drejt Greqisë e Italisë, për shkak të afërsisë gjeografike dhe mundësive fillimisht të limituara. Por sot, 30 vjet më vonë, ata vetë ose pasardhësit e tyre, po lëvizin gjithmonë e më shumë drejt destinacioneve të reja në Europën Veriperëndimore dhe në Afrikën e Veriut. Ndaj, edhe kjo valë migratore drejt Shqipërisë, me shumë gjasa do jetë e përkohshme dhe pa efekte të qëndrueshme.
Emigrantët e talentuar mund të qëndrojnë në Shqipëri për aq sa mundësi më të mira nuk shfaqen ne horizont, por gjasat janë që të lëvizin menjëherë nëse ato mundësi do krijohen?
Cilat janë zgjidhjet përballë këtyre fenomeneve?
Në afatin e shkurtër, Shqipëria mund të përpiqet të thithë jo vetëm krah të pakualifikuar pune duke bërë më tërheqës dhe konkurrues universitetet e saj.
Janë disa degë universitare, sidomos ato teknike, të cilat duhet të konkurrojnë jo vetëm për studentë shqiptarë, por edhe të huaj. Ky hap ka nevojë për një reformë administrative e kurrikulash dhe, mbi të gjitha, ofrimin e mësimit në gjuhë të huaj, kryesisht angleze.
Megjithëse një pjesë e studentëve të huaj do të kërkojnë të largohen sërish, të paktën në afatin e shkurtër pjesa tjetër do jetë në gjendje të përfshihet në tregun lokal.
Ky hap nuk është më aq i vështirë saç mund të ngjante në fillim të viteve ’90. Me gjithë problemet e shumta, shumica e stafeve akademike shqiptare sot kanë eksperienca ndërkombëtare, dinë të flasin në gjuhë të huaj, dhe janë familjarizuar me shoqërinë global të arsimit.
Në afatin e gjatë ama, problemi kryesor dhe i vërtete mbetet konkurrueshmëria e munguar e ekonomisë shqiptare. Nëse tregu lokal vazhdon të mbetet jo konkurrues, nevoja e tij për krah pune të pakualifikuar do jetë përherë e limituar, dhe po ashtu do jenë arsyet e individëve të talentuar për të qëndruar gjatë në këtë vend, shqiptarë apo të huaj qofshin.
Përpjekjet e shumta për reforma strukturore në ekonominë shqiptare kanë rezultuar të pasuksesshme deri më sot. Shpresat e ri hedhura mbi sektorin e ndërtimit duken jo vetëm naive, por problematike në afatgjatë. Shqipëria ka nevojë të stimulojë konkurrencën dhe inovacionin e brendshëm. Çdo rrugë që nuk çon në këtë objektiv, është e destinuar të jetë e shkurtër dhe jo e suksesshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.