Dilemat e rritjes, burimet e pashfrytëzuara të ekonomisë

19/10/2019 10:10 PM 0 komente

Prej vitesh, ekonomia e vendit është rritur nga faktorë rastësorë ose natyrorë, të pambështetur nga modele të mirëfillta zhvillimi. Për të zhvendosur rritjen nga dora e fatit te burimet afatgjata dhe të qëndrueshme, ekspertët e ekonomisë dhe bizneset evidentojnë turizmin, bujqësinë dhe manifakturën nga sektorët realë me potenciale të larta zhvillimi. Avancimi me teknologjinë dhe aftësimin e burimeve njerëzore duhet të mbështeten në kushtet e tkurrjes së popullsisë. Reformat strukturore, një tjetër levë ende e pashfrytëzuar. Ja ku duhen ndërhyrjet

 

Blerina Hoxha

Mënyra se si rritet ekonomia shqiptare brenda një viti është treguesi më i qartë se politikëbërësve shqiptarë u mungon vizioni për të zhvilluar vendin në afat të gjatë dhe me baza gjithëpërfshirëse dhe, mbi të gjitha, për të shfrytëzuar me mençuri burimet natyrore. Në gjashtëmujorin e parë, ritmet e rritjes ekonomike u përgjysmuan nga 4% në 2.3%. Ekonomia frenoi rritjen thjesht se nuk ra shi. Reshjet, ndër vite, ishin përcaktuesi më me ndikim në rritjen ekonomike dhe stabilitetin fiskal të vendit.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike vitin e kaluar u rrit me 89% dhe u realizuan 100% nga HEC-et prej reshjeve vjetore mbi mesataren historike. Rritja e prodhimit të energjisë, sipas INSTAT, kontribuoi me 50 % të performancës së përgjithshme të vitit të kaluar. Përllogaritjet më të hollësishme tregojnë se përfitues i kësaj rritje është kryesisht qeveria nëpërmjet taksave, pasi kontributi i saj në punësim dhe të ardhura te qytetarët është inegzistent.

Fenomenet natyrore si reshjet dhe përmbytjet kanë 20 vite që diktojnë fatin e ekonomisë, një herë duke e çuar atë në kolaps, kur ka thatësira dhe, një herë duke krijuar një tullumbace imagjinare të rritjes që, kur shpërthen, lë zbuluar defektet e politikave të zhvillimit.

Por, a ka mundësi Shqipëria të dalë nga faktorë rastësorë të rritjes ekonomike dhe të vihet në shinat e një stabiliteti ku përfitojnë të gjithë dhe, mbi të gjitha, të ardhurat e familjeve shqiptare të rriten? Ekspertët e pavarur të ekonomisë dhe bizneset njëzëri thonë se Shqipëria është një vend i begatë dhe burimet kryesore të rritjes ende nuk po shfrytëzohen siç duhet, ose po keqpërdoren.

 

Nikolin Jaka

Miliardat që qeveria shqiptare po çon për koncesionet me Partneritet Publik – Privat në rrugë duhen të përdoreshin si lehtësi për nxitjen e prodhimit në bujqësi dhe zhvillimin serioz të turizmit.

 

Bizneset evidentojnë burimet e reja të rritjes

Nikolin Jaka, kryetari i Dhomës së Tregtisë, është i irrituar me faktin se politika dhe institucionet nuk po i trajtojnë me seriozitet mundësitë për të shfrytëzuar burimet potenciale të rritjes. Zoti Jaka shprehet se miliardat që qeveria shqiptare po çon për koncesionet me Partneritet Publik – Privat në rrugë duhen të përdoreshin si lehtësi për nxitjen e prodhimit në bujqësi dhe zhvillimin serioz të turizmit. Të gjitha vendet e zhvilluara sot, në fillimet e tyre, i kanë shfrytëzuar burimet natyrore, si bujqësinë dhe turizmin, apo mineralet.

Këta sektorë sigurojnë rritje të eksporteve dhe shërbimeve dhe janë gjenerues të drejtpërdrejtë të punësimit dhe rritjes së të ardhurave për ekonomitë familjare. Jaka thotë se, qeveria fillimisht duhet të bëjë një diagnozë të mundësive të rritjes, duke identifikuar sektorët më potencialë dhe pastaj të orientojë burimet e financimit publik në këta sektorë. Për Shqipërinë, dihet tashmë se këta sektorë janë turizmi dhe bujqësia, por vëmendja e qeverisë ndaj tyre nuk ka qenë as me fonde dhe as me politika. Ai propozon ngritjen e një banke zhvillimi, e cila të menaxhojë financimin e projekteve në këta dy sektorë të ekonomisë nga do të varet rritja e ekonomisë në vijim.

Gazmend Toska, sipërmarrës në industrinë tekstile në qytetin e Beratit me shumë diploma në menaxhim, thotë se eksportet duhet të jenë në qendër të modelit ekonomik të vendit, pasi ato e çojnë një vend në spiralen e lartë të zhvillimit.

Shqipëria po hyn në dekadën e tretë të zhvillimit të industrisë së lehtë tekstile me material porositës. Nëse do t’i qëndronim evoluimit normal të ciklit të prodhimit, Shqipëria duhet t’i çonte eksportet e saj në një stad të ri, me vlerë përfitimi më të lartë. Zakonisht, një cikël prodhimi kërkon që të përshkallëzohet në një vlerë më të lartë brenda një periudhe 20 – 25-vjeçare.

Kjo do të thotë se fabrikat shqiptare të industrisë së tekstilit duhet të kishin mbyllur ciklin dhe të kishin kaluar në prodhime më të vështira nga ana e teknikës dhe tregut. Por kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, me forcimin e monedhës kombëtare dhe përkeqësimit të klimës së biznesit, sektori nuk ka përparuar me shpejtësinë që do të dëshironim dhe rrezikon të shkojë edhe më keq, pohon Toska. Pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi, Toska është i bindur se eksportet janë çelësi i përfshirjes së vendit në pjesën e sipërme të spirales së zhvillimit.

“Eksportet janë njëfarë mënyre si të ardhurat për një familje, ndërsa importet, shpenzimet. Sa më shumë eksporte të kemi, aq më shumë të ardhura do të kemi” – pohon ai. Të gjitha vendet e zhvilluara të Europës i kanë arritur standardet e jetesës që gëzojnë sot, duke nxitur eksportet. Për të rritur përfitimet në këtë fushë, Shqipëria duhet të mbështesë sektorin e prodhimit, sidomos në industrinë e lehtë të përpunimit, të përpunimit të tekstileve dhe të lëkurës, e cila pas pak vitesh me këtë përvojë që ka krijuar mund të kalojë në prodhimin e produkteve të nivelit më të lartë, si ato të modës dhe luksit. Sipas tij, industria e lehtë është baza që nxit dhe formëson industritë më të sofistikuara teknikisht dhe rrit në vijim vlerën e eksporteve. Në këtë stad ekonomik, nuk mund të pretendojmë të zhvillojmë në Shqipëri, në mënyrë masive, Teknologjinë e Informacionit apo robotikës, këto vijnë me kohë.

 

Të ecim me kohën, inovacioni siguron të ardhura të larta

Për ekspertin Selami Xhepa, përveç shfrytëzimit të burimeve natyrore, Shqipëria duhet të drejtojë fokusin nga zhvillimet teknologjike dhe inovative. Sipas tij, shumë shpejt sektorët me krah intensiv të punës duhet të ridimensionohen, për shkak të tranzicionit demografik që po çon popullsinë drejt tkurrës. Sipas tij, do të ishte e dobishme që të mbështeten aktivitetet e kërkim-zhvillimit dhe të mbështetet sofistikimi i bizneseve që përdorin teknologji të reja, procese prodhimi inovative që sjellin risi në tregje.

Këto janë fushat me produktivitet të lartë dhe rritje ekonomike të qëndrueshme. Xhepa thotë se tregjet e huaja mbeten objektivi parësor, pasi tregu i brendshëm është shumë i kufizuar dhe po tkurret gjithnjë e më shumë për shkak të rritjes së emigracionit. “Politika dhe burimet financiare duhen orientuar drejt industrive të vlerës së lartë të shtuar dhe të orientuara për të shërbyer tregjet e huaja” – pohoi ai. LEXO INTERVISTEN E PLOTE https://www.monitor.al/rritja-te-orientohet-nga-inovacioni-dhe-teknologjia-2/

Aktualisht, Shqipëria ka angazhimin më të dobët për angazhimin e fondeve në drejtim të kërkimit dhe zhvillimit. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, fondet për shkencën janë 620 milionë lekë, ose 0.3% të PBB, ndërsa sipas një vëzhgimi të INSTAT, biznesi privat ka zero investime në kërkim- zhvillim. Ky është niveli më i ulët në rajon dhe Europë.

 

Reformat, një tjetër burim

Për disa ekonomistë, forcat e tregut e gjejnë vetë rrugën, qeverive dhe rregullatorëve të tjerë u takon ta bëjnë më shpejt dhe të lehtë këtë rrugë ose së paku, të mos fusin shkopinj në rrota. Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, ish-ministër i Financave, thotë se avancimi me reformat strukturore siguron rritjen e qëndrueshme.

“Këndvështrimi im është që ekonomia jonë mund të bëhet më vibrante dhe më konkurruese, kur fokusi i politikave publike nuk shkon kryesisht në sektorë të veçantë por tek bazamentet juridike të shtetit të së drejtës, tek garantimi i së drejtës së pronës, gjyqësori i paanshëm dhe i pakorruptuar, ambienti i biznesit konkurrues, investime publike bazuar në strategjitë kombëtare dhe jo në projekte spontane apo preferenciale” – thotë ai.

Sa u përket sektorëve realë të ekonomisë apo sektorit financiar të saj, Malaj thotë se ata janë në një dinamizëm të paparashikueshëm. Biznesi ka ndjesi identifikuese më të shpejtë, më të madhe dhe më efektive. Ajo që mund të bëhet për sektorët në tërësi është të ulet barra për të bërë biznes, të reduktohen procedurat administrative në nivel vendor dhe qendror, të reduktohen kostot e korrupsionit dhe kapjes së shtetit, të nxitet konkurrenca, të minimizohet ndikimi i korrupsionit dhe kapjes së shtetit në akseset në tregjet preferenciale për paratë gri dhe të zeza dhe të ulet efekti negativ i tyre në ekonomi dhe politikë, shprehet Malaj. LEXO INTERVISTEN E PLOTE https://www.monitor.al/tregjet-i-identifikojne-vete-modelet-reformat-strukturore-te-shpejtohen-2/

 

Kombinimi i shfrytëzimit të burimeve natyrore me teknologjinë

Profesor Adrian Civici, ekspert i ekonomisë mendon se, duhet një platformë për zhvillim serioz dhe të qëndrueshëm të turizmit dhe bujqësisë, pa lënë pas teknologjinë. Sektori i turizmit, i konceptuar në gjithë dimensionet e tij – turizëm detar veror, malor, agroturizëm, shëndetësor, turizmi i aventurës, kulturor. Në dy vitet e fundit, ndikimi i të ardhurave nga turizmi në PBB është rritur ndjeshëm. “Ne duhet të synojmë që niveli i ndikimit të turizmit në PBB të jetë në nivelet 25-28% të PBB” – argumenton më tej.

Gjithashtu zhvillimi i bujqësisë dhe agroindustrisë, sektorë që vazhdojnë të jenë ndjeshëm nën potencialet e tyre kontribuese në PBB; zgjerimi dhe modernizimi i sektorit të energjisë, qoftë si kapacitete prodhuese, qoftë si diversifikim të burimeve të prodhimit të energjisë, qoftë si kosto e prodhimit të saj; zgjerimi i sektorëve prodhues apo të shërbimeve që aplikojnë teknologji të reja eficente, nivele të larta automatizimi e dixhitalizimi, startup e programe të inteligjencës artificiale, etj.; dhe mbi të gjitha, përmirësimin e sektorit arsimor, veçanërisht atë profesional, evidentoi ai.

Përveç ndikimit tejet negativ në ekonominë shqiptare të efekteve të emigracionit e largimit të trurit, edhe një pjesë e konsiderueshme e burimeve të punës që janë në Shqipëri, kanë ende nivele të ulëta kualifikimi e formimi profesional. Gjithnjë e më tepër, bizneset shqiptare po vuajnë si nga mungesa e stabilitetit të burimeve të punës, ashtu dhe nga cilësia e dobët profesionale e tyre. Kjo situatë po shndërrohet në një shqetësim me natyrë strukturore, çka përkthehet si ndikim negativ me efekte e pasoja afatgjata negative, tha profesori. LEXO INTERVISTEN E PLOTE: https://www.monitor.al/rritja-te-orientohet-nga-turizmi-bujqesia-dhe-teknologjia-2/

 

BURIMI: INSTAT

BURIMI: INSTAT

BURIMI: INSTAT

BURIMI: INSTAT

BURIMI: INSTAT

BURIMI: INSTAT

BURIMI: INSTAT

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of