Veriu i Shqipërisë njihet për atraksione turistike mbresëlënëse si Alpet, Lugina e Valbonës, Thethi e sa e sa destinacione të tjera. Por dimensioni turistik i kësaj zone pritet të zgjerohet edhe me një tjetër destinacion të lokalizuar në kaskadën e Drinit.
Duket paksa e çuditshme që ajo që sot shërben si arteria kryesore e furnizimit me energji në vend të kthehet në një pelegrinazh turistik, por panorama që ofrohet në këtë rajon i plotëson të gjitha kushtet për integrimin, edhe në këtë drejtim.
Në kuadër të përgjegjësisë sociale, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka vendosur që të mbështesë pikërisht këtë aspekt, duke kërkuar që të ndikojë sadopak edhe në jetën sociale dhe ekonomike të zonës që ka dhënë shumë, por nuk ka marrë pas. Por cilat janë këto plane? Administratori i KESH, Benet Beci, zbardh disa prej tyre dhe argumenton se pse kompania publike ka vendosur fokusin në këtë aspekt.
KESH është një ndër kompanitë më të mëdha në vend dhe më e madhja publike që operon në Veriun e vendit, specifikisht në luginën e Drinit.
KESH, në konsultim me komunitetet vendore, ka hartuar dhe miratuar “Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Përgjegjshmërinë e Korporatës”, e cila e vë theksin te përdorimi i një pjese të burimeve në projekte të përbashkëta me Njësitë Vendore dhe organizata të shoqërisë civile për të mbështetur nisma në dobi të komuniteteve vendore.
Për një kohë të gjatë, e gjithë zona ka kontribuar me prodhimin e energjisë elektrike për të gjithë Shqipërinë, pa u kthyer komuniteteve që banojnë përreth kaskadës mbështetje për zhvillimin e zonës. Duke pasur parasysh këtë, si dhe faktin që të gjitha Korporatat moderne sot kanë një komponent të rëndësishëm të aktivitetit, nxitjen e zhvillimit ekonomik në zonat rreth rezervuarëve të hidrocentraleve, kemi vendosur të financojmë një sërë projektesh për të nxitur zhvillimin në zonë e për t’u ardhur në ndihmë banorëve të një prej zonave më në nevojë të vendit, por nga ana tjetër me potenciale të jashtëzakonshme zhvillimi.
Më konkretisht, mund të na përshkruani disa nga projektet që KESH parashikon të zbatojë në të ardhmen e afërt?
Siç kemi ndarë me banorët e zonës para pak javësh, KESH ka planifikuar të fillojë këtë vit ndërtimin e rrugës Vau i Dejës-Koman. Rruga është rreth 30 kilometra e gjatë dhe në një gjendje shumë të amortizuar. Rruga i shërben vetë KESH-it për transportin e përditshëm të punonjësve dhe të makinerive të rënda, rreth 10,000 banorëve të zonës dhe sigurisht turizmit, duke qenë një aks kryesor që përdoret për të arritur liqenin e Komanit, Alpet dhe lumin e Shalës.
Investimi është rreth 2,5 miliardë lekë, do të financohet tërësisht nga buxheti i KESH-it dhe parashikon rikonstruksionin e veprave të artit, mureve mbajtës e pritës, shtresat e plota të rrugës, mbrojtëset anësore dhe sinjalistikën e përshtatshme. Procedura e prokurimit ka filluar, investimi fizik parashikohet të nisë në prill dhe të përfundojë për një periudhë prej 18 muajsh.
Nga ana tjetër, jemi duke finalizuar një projekt për të cilin punojmë prej më tepër se një viti, për nxitjen e zhvillimit të turizmit në zonat rreth liqenit të Vaut të Dejës dhe liqenit të Komanit. Objektivi i ndërhyrjes është zhvillimi i kaskadës së lumit Drin. Ndërhyrja synon të shndërrojë zonën në një destinacion tërheqës turistik, duke e lidhur me qytetin e Shkodrës dhe Alpet Shqiptare.
Projekti konsiston në krijimin e dy poleve turistike, një në HEC-in Vau i Dejës dhe një në HEC-in e Komanit, të lidhur me një sistem transporti ujor përgjatë rezervuarit të Vaut të Dejës dhe një rrjet të vogël atraksionesh turistike.
Ndërhyrja është konceptuar në disa faza investimi publike dhe private, të cilat, të gjitha së bashku, do të krijojnë një pol të ri turistik, duke i dhënë një impuls të rëndësishëm zhvillimi bashkisë së Vaut të Dejës dhe të gjithë rajonit të Shkodrës.
Vitin e kaluar, KESH financoi studimin për të gjithë zonën e kaskadës së lumit Drin dhe identifikoi tipologjinë e ndërhyrjeve të përshtatshme. KESH aktualisht ka kontraktuar një studio projektuese holandeze që po zhvillon projektet e detajuara të ndërhyrjes dhe ka parashikuar në buxhetin e këtij viti, financimin e ndërtimit të këtyre projekteve gjatë vitit 2021.
Më konkretisht, projektet janë si më poshtë:
Lidhja ujore Vau i Dejës-Koman, e cila synon të bëjë të aksesueshëm për vizitorët dhe turistët liqenin e Vaut të Dejës. Konkretisht ndërhyrjet janë:
- Në afërsi të HEC Vau i Dejës, ndërhyrja parashikon rritjen e kapacitetit për lundrim me ngritjen e një moli të ri pranë digës së Qyrsaqit me sipërfaqe 1,290 m2, parkim për automjetet
- Në fshatin Koman parashikohet ndërtimi i një moli të ri, vendparkimi për automjetet, lidhjen me infrastrukturë rrugore, si dhe një sërë ndërhyrjesh në fshat si sheshi, shëtitorja dhe një park i gjelbëruar në breg të lumit për ta bërë më të vizitueshëm.
- Porti ekzistues i Komanit (stacioni Koman-Fierzë) do të zgjerohet për të akomoduar trafikun në rritje të trageteve dhe të varkave për në Fierzë e për në lumin e Shalës. Gjithashtu do të ndërtohet dhe një qendër e informacionit turistik, për të gjithë luginën e Drinit dhe shërbime të tjera të nevojshme për portin.
Investimi në këto projekte do të fusë liqenin e Vaut të Dejës në hartën e atraksioneve turistike të vendit, duke krijuar mundësi punësimi e shërbimesh të shtuara në zonë dhe duke nxitur investime private në fushën e mikpritjes dhe ekonomisë zinxhir që krijohet. Jam i sigurt se investimi menjëherë pas zbatimit në pak vite do të krijojë ndikim shumë të madh në zonë dhe do të kemi një panoramë shumë të ndryshme nga e sotmja.
Kaskada e lumit Drin është ndoshta vepra më e rëndësishme inxhinierike e vendit dhe fryt i një punë shumëvjeçare, si kurorëzim i një pune të jashtëzakonshme projektimi, ndërtimi e shfrytëzimi. Mijëra shqiptarë kanë punuar në tre kantieret e HEC-eve dhe mijëra të tjerë kanë punuar në shfrytëzimin e tyre për dekada, duke prodhuar energji të pastër për furnizimin e të gjithë vendit.
Në këtë kontekst, pavarësisht problemeve të vjetra të sistemit elektroenergjetik në Shqipëri, ne mendojmë se kaskada, si pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, duhet të jetë e hapur dhe e vizitueshme qoftë për vetë shqiptarët, qoftë për turistët e huaj që vizitojnë në numra të shumtë zonën.
Për këtë arsye, si tribut për njerëzit që kanë punuar, por edhe si nxitje për zhvillimin e turizmit industrial, si dhe edukimin e të rinjve me koncepte të energjisë së pastër, po përfundojmë projektin e Muzeut Kombëtar të Energjisë, i cili do të jetë pranë Hidrocentralit të Komanit.
Muzeu do të jetë i shoqëruar nga disa investime të tjera që do ta bëjnë më atraktiv, si shtegu këmbësor “i energjisë” që lidh godinën e Hidrocentralit me muzeun, një belvedere që ofron pamje të mahnitshme të digës dhe portave të shkarkimit, si dhe restaurim të brigjeve të eroduara.
I gjithë projekti do të fillojë nga zbatimi këtë vit dhe shpresojmë që në sezonin turistik të vitit 2022, vizitorët të kenë mundësinë e një përvoje unike të vizitës së një hidrocentrali në punë e sipër, por edhe të mësuarit të aspekteve historike dhe energjetike të hidrocentraleve të kaskadës.
Ju folët për një projekt me disa faza, cili janë ndërhyrjet e parashikuara në vijim?
Më tepër se një projekt, kjo është një strategji afatmesme ndërhyrjeje për çlirimin e energjive pozitive për ekonominë e rajonit. Në një fazë të dytë, janë parashikuar edhe disa ndërhyrje të tjera, si një rrjet molesh të vogla në të gjithë liqenin për ta bërë atë të vizitueshëm, si dhe një mol e disa ndërhyrje në ishullin e Sardës (Shurdhahut) për ta bërë historinë e trashëgimisë kulturore më të prekshme.
Në të njëjtën kohë do të punohet për një ide unike që për momentin quhet Parku i Energjisë së Gjelbër – do të jetë një projekt argëtimi, vizite dhe edukimi ku vizitorët do të kenë mundësi të njohin e të prekin nga afër energjitë e gjelbra, energjinë nga uji, dielli dhe era; duke e bërë Vaun e Dejës, së bashku me investimet e parashikuara nga KESH në energji diellore, një qendër të energjisë së rinovueshme në vend dhe në rajon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.