Europa po përgatitet për ndërprerjen e gazit rus këtë dimër. BE ka nevojë për një plan gjithëpërfshirës për ta përballuar, shkruan The Economist
“Paqja sociale në Gjermani po rrezikohet”, deklaroi Robert Habeck, zëvendëskancelari i Gjermanisë. Shkaku: çmimet e gazit natyror. Rusia po ndalon furnizimet e Europës, në shenjë hakmarrjeje për mbështetjen ndaj Ukrainës.
Në Gjermani, e cila varet nga Rusia për rreth një të tretën e importeve të gazit, faturat e energjisë pritet të rriten. Çmimet e gazit do t’u shkaktojnë kompanive humbje të mëdha.
Zoti Habeck frikësohet se ato mund të shkaktojnë tronditje financiare. Skenari më i keq – një ndërprerje e plotë e gazit rus – duket gjithnjë e më i besueshëm.
Gazprom, kompania e gazit e kontrolluar nga shteti rus, i ka shtrënguar furnizimet për muaj të tërë. Firma kërkimore S&P Global, llogarit se në qershor, Rusia dërgoi vetëm 4.7 miliardë metra kub (mmk) në Europë, sa një e treta e nivelit në fillim të vitit 2021 (shih grafikun 1).
Flukset më të mëdha të gazit vijnë nëpërmjet degës Nord Stream 1 (NS1), që lidh Rusinë me Gjermaninë nëpërmjet Detit Baltik. (Nord Stream 2, një gazsjellës i ri që do të kalonte në të njëjtën rrugë, u anulua nga Gjermania si ndëshkim për agresionin e Rusisë në Ukrainë.)
Tani Rusia po bën shtrëngime edhe më të mëdha. Më 16 qershor, ajo uli eksportet nëpërmjet tubacionit NS1 në 40% të kapacitetit, duke dhënë si arsye pengesat teknike. Blerësit e mëdhenj europianë, si firma italiane Eni, firma austriake OMV dhe firma gjermane Uniper, u goditën rëndë: ata duhet të kompensojnë mungesën, duke blerë gaz të kushtueshëm gjetiu.
Mëngjesin e 11 korrikut, Rusia mbylli të gjitha eksportet e gazit nëpërmjet tubacionit NS1 për rreth dhjetë ditë, për arsye mirëmbajtjeje. Një turbinë jetike kishte nevojë për rregullim dhe Siemens Energy, prodhuesi i saj, e kishte dërguar në Kanada për riparim.
Por për shkak të sanksioneve kanadeze, ajo ngurronte që ta dërgonte turbinën përsëri në Rusi. Zoti Habeck i kërkoi Kanadasë që t’ia dërgonte kompletin Gjermanisë, duke anashkaluar sanksionet. Më 9 korrik, Kanadaja u dorëzua.
Kundër përgjigja e Europës
Komisioni Europian dëshiron të organizojë një përgjigje të BE-së ndaj çdo përpjekjeje të Putinit për të shkurtuar furnizimet këtë dimër, mbi të gjitha për të shmangur politikat lypëse ndaj fqinjëve që ndoqën shtetet anëtare, kur goditi për herë të parë Covid-19.
“Ne duhet të sigurohemi që në rast të një ndërprerjeje të plotë, gazi do të shkojë drejt vendit që ka më tepër nevojë”, tha Ursula von der Leyen, presidentja e komisionit, më 6 korrik. Plani i saj duhet të shpallet deri më 20 korrik. Një takim ministror mbi sigurinë e energjisë, pritet më vonë këtë muaj.
Në pritje të goditjes
Përgjigjja e BE-së mbështetet në katër shtylla: rritja e niveleve të ruajtjes së gazit, diversifikimi i burimeve të energjisë, nxitja për uljen e kërkesës dhe racionimi. Më e rëndësishmja është ruajtja. Vitin e kaluar, shumë firma nuk pranuan të blinin gaz me çmime të fryra për shkak të manipulimit rus.
Nivelet në rezervuarët e magazinimit u ulën në mënyrë të rrezikshme, por moti i butë e shpëtoi Europën. Këtë vit, një plan i miratuar nga Parlamenti Europian urdhëroi një normë mbushjeje minimale prej 80% të depove për ruajtjen e gazit deri më 1 nëntor, dhe kjo do të rritet në 90% në vitet e ardhshme.
Lajmi i mirë është se rezervuarët e BE-së tani janë pothuajse 60% të mbushur, ku janë ruajtur rreth 60 miliardë metra kub, nga rreth 50 mmk një vit më parë.
Përpara mbylljes së degës NS1, Michael Stoppard nga firma S&P Global, vlerësoi se BE-ja ishte në rrugën e duhur “për të arritur dhe për të tejkaluar” objektivin prej 80% deri më 1 nëntor.
Parashikimi i ri nga një grup institucionesh gjermane të udhëhequra nga Instituti Kiel, tregon se Gjermania mund ta përballojë këtë dimër, edhe nëse Rusia e ndërpret gazin në korrik. Në prill, mendohej se kjo do të ishte e pamundur.
Por jo të gjitha vendet e kanë ruajtur gazin në mënyrë të barabartë. Ato, në ose nën nivelin 50% (Bullgaria, Rumania dhe Hungaria) do të vuanin keq, veçanërisht nëse dimri është jashtëzakonisht i ftohtë.
Zoti Stoppard mendon se një dimër i ftohtë mund të rrisë kërkesën me deri në 25 miliardë metra kub. Edhe vendet që do t’ia dilnin, do të ishin në një pozitë të tmerrshme në pranverë.
Për sa u përket furnizimeve me energji alternative, importet e gazit natyror të lëngshëm (GNL) janë rritur në mënyrë dramatike. Çmimet e larta europiane kanë joshur cisternat përtej Azisë.
Sipas bankës Morgan Stanley, rreth 41 miliardë metra kub GNL hynë në Europë në tremujorin e parë, me 70% rritje në bazë vjetore. Gati 30% e GNL-së së eksportuar në botë, ka shkuar në Europë kohët e fundit, nga nën 20% në vitin 2021.
Nëse kjo mund të përballohet, mbetet për t’u parë. Ndërkohë, gazi natyror i lëngshëm nuk mund të arrijë drejt e në Gjermani sepse vendi nuk ka struktura rigazifikimi. Ai ka blerë anije rigazifikimi, të cilat qeveria e Habeck po i miraton me shpejtësi.
Por ato nuk kanë gjasa të funksionojnë deri në fillim të vitit 2023, mendon Jaime Concha nga firma industriale Energy Intelligence Group. Ironikisht, në tre muajt pas pushtimit të Ukrainës, rreth 15% e GNL-së që hynte në Europë për të zëvendësuar gazin rus të tubacioneve, erdhi gjithashtu nga Rusia, vëren zoti Stoppard. Ai vlerëson se Rusia ka fituar afro 400 milionë dollarë nga shitjet e gazit me tubacione dhe gazit të ngrirë në Europë.
Plani afatmesëm i BE-së është të rrisë energjinë e erës dhe diellit, si burime energjie, në mënyrë që ato të zëvendësojnë importet e gazit rus.
Por kjo nuk do të zgjidhë shpejt problemet urgjente të mungesave. Dhe si për inat të ekologëve, qymyri ndotës tashmë është i disponueshëm. Me bekimin e eurokratëve, shtetet anëtare, duke përfshirë Holandën dhe Gjermaninë, po miratojnë përjashtime mjedisore për termocentralet e qymyrit, për të prodhuar më shumë energji.
Një rol të rëndësishëm luan edhe përgjigjja e kërkesës. Çmimet e larta të gazit kanë ndikuar në uljen e një pjese të kërkesës.
Leslie Palti-Guzman nga Leviaton, një firmë e të dhënave energjetike, vlerëson se konsumi industrial në Europë ka rënë me rreth 8 miliardë metra kub në muaj, në tre muajt e fundit. Industria gjermane, e cila varet nga gazi i lirë dhe përbën 37% të përdorimit të përgjithshëm të gazit në vend, do të goditet rëndë, mendon ajo.
Së fundmi, është me rëndësi edhe racionimi i energjisë. Gjermania flet hapur për këtë perspektivë të frikshme, por shumica e vendeve e kanë shmangur atë. Tani komisioni po përgatit një “kornizë të menaxhimit të krizës”.
Ekzistojnë plane për të ndihmuar fqinjët në një periudhë të shkurtër urgjence, por jo për një krizë që mund të përfshijë të gjithë rajonin dhe të zgjasë me muaj. Sipas një propozimi, komisioni do të bashkërendojë uljet e kërkesës për gaz në të gjitha vendet anëtare.
Përtej mbrojtjes së spitaleve dhe të moshuarve, vende të ndryshme kanë përparësi të ndryshme; për shembull, dikush mund të mos pranojë të dërgojë gazin e vet për të ndihmuar një fqinj, pasi nuk i konsideron nevojat e tij urgjente.
Pa pasur një skemë të harmonizuar, thotë një burim i brendshëm, “ne do të kemi një ndalim të plotë të tregut të përbashkët brenda pak muajsh”.
Përktheu: Lira Muça
Plani afatmesëm
Plani afatmesëm i BE-së është të rrisë energjinë e erës dhe diellit, si burime energjie, në mënyrë që ato të zëvendësojnë importet e gazit rus. Por kjo nuk do të zgjidhë shpejt problemet urgjente të mungesave. Dhe si për inat të ekologëve, qymyri ndotës tashmë është i disponueshëm. Me bekimin e eurokratëve, shtetet anëtare, duke përfshirë Holandën dhe Gjermaninë, po miratojnë përjashtime mjedisore për termocentralet e qymyrit, për të prodhuar më shumë energji.