Krerët e Industrisë Europiane dhe politikanët i përgjigjen fjalimit të Theresa May…
Liderët europianë dhe krerët e industrisë mirëpritën qartësinë e shprehur nga Theresa May gjatë fjalimit për daljen e Britanisë nga BE-ja, por shtuan se rruga që ajo ka zgjedhur do ta dëmtojë më shumë Mbretërinë e Bashkuar sesa vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, shtoi në llogarinë e tij Twitter reagimin zyrtar të bllokut: “Proces i trishtë, kohë surrealiste, por të paktën kemi një deklaratë më realiste për daljen e Britanisë. EU27 janë të bashkuar dhe gati për të negociuar nenin 50”.
Më pak zyrtar, Volker Treier, nga Dhoma Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, bëri të qartë se largimi i Britanisë nga tregu i përbashkët dhe nga bashkimi doganor do të dëmtonte dukshëm bizneset e lidhura ngushtë midis Britanisë dhe Gjermanisë.
Pa dyshim që Brexit kufizon shanset për rritje ekonomike nga të dyja anët e kanalit. Por për Britaninë, dëmi ekonomik do të jetë më i madh, tha Treier, duke shtuar se Britania ka zgjedhur që të pakësojë tërheqjen e saj ekonomike.
Të shumtë në kontinent ishin skeptikët në lidhje me aftësinë e kryeministres për të mbajtur premtimin e saj se Britania do të jetë një vend i madh i tregtisë globale. Deputeti francez i qendrës së djathtë në Parlamentin europian, Alain Lamassoure, tha se Britania ka zgjedhur që të fundosë veten.
“Është e qartë se interesi i Britanisë janë 500 milionë konsumatorët në Europë dhe jo vetëm 65 milionë në Britani. Kur May të negociojë me vende si Kina ajo mund të ofrojë vetëm 65 milionë konsumatorë britanikë. Është një lloj vetëvrasje ekonomike dhe e biznesit”,- tha ai.
Guy Verhofstadt, kryenegociatori i Parlamentit Europian për Brexit, akuzoi May-n se po përdor taktika që në fund do të dëmtojnë britanikët.