Disa prej gabimeve më të shpeshta të çdo punëkërkuesi

29/11/2019 10:09 AM 0 komente

Nëse ju po shpenzoni kohë dhe energji në kërkimin e një pune të re, pse të mos krijoni një strategji ku të diferencoheni lehtësisht nga konkurrenca?

Shpeshherë janë detajet e vogla ato që bëjnë diferencën dhe që në fund të një interviste pune do të bëjnë të mundur që të jeni ju kandidati i përzgjedhur.

Lexoni më poshtë disa prej gabimeve që bëhen më shpesh nga punëkërkuesit:

Nuk i kushtoni rëndësi letrës së motivimit

Mbase ju keni dëgjur që vetëm 17 për qind e letrave të motivimit lexohen dhe ndodhta kjo është një arsye që ju bën juve që të mos i kushtoni asaj rëndësinë e duhur. Por kjo është një gjë krejtësisht e gabuar. Nuk duhet të harroni se letra e motivimit është prezantimi juaj i parë dhe ju duhet të bëni të pamundurën që ajo të jetë e shkruar në mënyrën më të mirë.

Një letër motivimi e shkruar vetëm sa për të plotësuar një kusht të tillë, mund të reduktojë mundësitë tuaja për t’u përzgjedhur në intervistë, ndaj mundohuni që letra juaj e motivimit të jetë një prej më të mirave.

Nuk i kushtoni rëndësi rrjeteve sociale

Përditësimi i profilit tuaj në LinkedIn nuk është gjithçka. Nuk duhet të harroni edhe faktin, se disa prej personave që merren me rekrutimin e punonjësve në kompani të ndryshme i kushtojnë rëndësi edhe profilit tuaj në Facebook, Twitter apo edhe llogarive të tjera që ju mund të keni në rrjetet sociale. Ndaj përpara se të vendosni të aplikoni për një vend të ri pune, sigurohuni që t’i keni të përditësuara llogaritë tuaja në rrjetet sociale.

Ju nuk kërkoni ndihmë

Ju mund të jeni vërtet një ndër profesionistët më të mirë, por kjo nuk do të thotë që ju të mos kërkoni ndihmë. Pa komunikuar me të gjithë personat që ju mund të keni kontakte, ju nuk do të jeni në gjendje të dini të gjithë mundësitë që tregu ofron dhe kështu të humbisni një mundësi të mirë. Prandaj, shpeshherë nëse ju bëni një bisedë me miqtë apo me familjarët në lidhje me karrierën tuaj, atëherë ju mund të prezantoheni me një sërë mundësish që as nuk ju kishin shkuar në mendje fare.

Ju nuk bëni prova përpara intervistës

Ju e keni përditësuar CV-në tuaj, keni shkruar në mënyrën më të mirë letrën tuaj të motivimit por nuk keni bërë asnjë provë përpara intervistës. Këshillohet që ju të bëni prova dhe të prezantoni me zë të lartë CV-në tuaj dhe çdo arritje tuajën. Nuk duhet të harroni që emocionet mund t’ju luajnë ndonjë shaka të keqe dhe të harroni të prezantoni një pjesë të rëndësishme të arritjeve.

Pyetje përgjigje

Edhe pse ju mund të mendoni se personat që merren me rekrutimin janë objektivë dhe detyra e tyre e vetme është që të bëjnë pyetje të cilave ju duhet t’i jepni përgjigje, gaboheni.  Në fund të ditës, rekrutuesit duan të punësojnë një person që t’u japë atyre besim, prandaj përveçse t’u përgjigjeni pyetjeve të bëra prej tyre, mundohuni që t’u transmetoni atyre besim.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of