Diskriminimi, në 2018 mbizotërojnë ankesat për largim nga puna

19/03/2019 1:00 PM 0 komente

Diskriminimi në punësim, në arsim, diskriminim për shkak të gjendjes shëndetësore, ekonomike, mosmarrje e shërbimeve nga institucionet publike (p.sh., në shëndetësi, ndihmë ekonomike) apo dhe nga bizneset janë disa nga shqetësimet e individëve të ndryshëm në Shqipëri.

Në periudhën nga 1 janar 2018 deri më 31 dhjetor 2018, Komisioneri  i Mbrojtjes ndaj Diskriminimit (KMD) ka trajtuar gjithsej 287 çështje, të cilat ofrojnë një gamë të gjerë të ankesave të parashtruara. Nga këto, 205 çështje të regjistruara në vitin 2018, si dhe 82 çështje të mbartura nga viti 2017.

Sa u përket shtrirjes gjeografike të ankesave, bashkitë nga të cilat është paraqitur numri më i madh i ankesave janë: Tirana, Korça, Fieri, ndjekur nga Berati, Gjirokastra, Elbasani, Vlora.

Sa u përket fushave nga ku ka pasur më tepër ankesa, KMD njofton në një raport të fundit se, në fushën e të mirave dhe shërbimeve kanë qenë të shumta në numër këto ankesa, pasi në këtë fushë përfshihen përfitimi i të mirave dhe shërbimeve të ofruar nga administrata publike dhe subjektet private.

“Kryesisht ankesat e paraqitura në këtë fushë kanë të bëjnë me shërbimet të cilat nuk janë ofruar nga njësitë vendore (p.sh. individë të komuniteteve në nevojë pretendojnë se njësitë vendore nuk u ofrojnë shërbimet), nga pushteti qendror si shëndetësia, administrata publike, subvencionimi i qirasë, përfitimin e ndihmës ekonomike, etj., si dhe nga subjekt private. Numri i përgjithshëm i tyre për vitin 2018, është 135, nga këto 118 kundër subjekteve publike dhe 17 kundër subjekteve private.

Nga 118 ankesat e trajtuara kundër subjekteve publike, në 80 raste ato janë drejtuar kundër institucioneve të pushtetit qendror dhe në 38 raste kundër institucioneve të pushtetit vendor. Përgjithësisht ankesat kanë pasur të bëjnë me përshtatjen e arsyeshme të banesave sociale, institucioneve publike, apo edhe përfitimin e shërbimeve publike. Kjo është dhe arsyeja pse kjo fushë përmbledh 42% të ankesave të përgjithshme për vitin 2018.”-thuhet në raportin përmbledhës së vitit 2018.

Mbrojtja nga diskriminimi në fushën e punësimit

Ankesat e trajtuara me pretendim diskriminimin në fushën e punësimit janë ankesa të bëra kundër institucioneve shtetërore, po ashtu dhe kundër subjekteve private. Kryesisht ato kanë të bëjnë me procedurat e ndjekura prej tyre në lidhje me punësimin. Numri i përgjithshëm i tyre për vitin 2018, është 123, nga këto 99 kundër subjekteve publike dhe 24 kundër subjekteve private. Nga 99 ankesat e trajtuara kundër subjekteve publike, në 87 raste ato janë drejtuar kundër institucioneve të pushtetit qendror dhe në 12 raste kundër institucioneve të pushtetit vendor. Ankesat e paraqitura në fushën e punësimit, janë drejtuar përgjithësisht drejt institucioneve të administratës publike, si rezultat i largimit nga puna. Ankesat që janë trajtuar në fushën e punësimit kanë pasur si shkak të pretenduar diskriminimi: bindjet politike, gjendjen shëndetësore, përkatësinë në një grupim të veçantë, gjendjen arsimore, moshën.

Mbrojtja nga diskriminimi në fushën e arsimit

Gjatë vitit 2018, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka trajtuar 29 çështje, në fushën e arsimit. Në 28 çështje të trajtuara në fushën e arsimit, ankuesit janë drejtuar kundër subjekteve publike dhe në 1 rast kundër një subjekti privat. Nga 28 ankesat e trajtuara kundër subjekteve publike, në 21 raste ato janë drejtuar kundër institucioneve të pushtetit qendror dhe në 7 raste kundër institucioneve të pushtetit vendor. Rastet në fushën e arsimit kanë pasur përgjithësisht shkaqe diskriminimi racën, gjendjen shëndetësore, gjendjen ekonomike dhe aftësinë e kufizuar. Pjesa më e madhe e këtyre rasteve ka të bëjë me mospranimin e integrimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e zakonshme dhe mospranimin e regjistrimit të fëmijëve të komunitetit rom/egjiptian në shkollat 9-vjeçare.

 

Vendimet e çështjeve me shkak bindjen politike

Gjatë vitit 2018 ka përfunduar shqyrtimi për 44 çështje, për shkak të bindjes politike.

Nga këto:

në 15 çështje është konstatuar diskriminim,

në 14 çështje është konstatuar mosdiskriminim,

në 1 çështje procedura e shqyrtimit është pushuar për shkak se ankuesi është tërhequr nga procedura hetimore,

në 13 çështje janë marrë vendime mospranimi,

në 1 çështje është marrë vendim pushimi, për shkak se është arritur efektiviteti dhe qëllimi për të cilin ishte nisur procedura hetimore.

në 2 çështje procedura e shqyrtimit është pezulluar32 për shkak se po hetohet nga organet e prokurorisë.

Vendimet e çështjeve me shkak gjendjen ekonomike

Gjatë vitit 2018, ka përfunduar shqyrtimi për 25 çështje në të cilat pretendohet diskriminim për shkak të gjendjes ekonomike. Në analizë të çështjeve të trajtuara me këtë shkak, vlen të theksohet fakti që një pjesë e tyre kanë patur në objekt pretendimin për diskriminim për më shumë se një shkak. Në përfundim të procedurës së shqyrtimit:

në 8 çështje është konstatuar diskriminim,
në 5 çështje është konstatuar mosdiskriminim,
në 8 çështje janë marrë vendime mospranimi,
në 2 çështje procedura e shqyrtimit është pushuar për shkak se ankuesi është tërhequr nga procedura hetimore,
në 1 çështje është vendosur pushimi pasi ka qenë i pamundur sigurimi i provave për trajtimin e mëtejshëm të ankesës,
në 1 çështje janë dhënë rekomandime për përmirësimin e situatës.

Vendimet e çështjeve me shkak gjendjen shëndetësore

Gjatë vitit 2018 ka përfunduar shqyrtimi për 11 çështje të trajtuara gjatë vitit 2018, në të cilat pretendohet diskriminim për shkak të gjendjes shëndetësore, nga të cilat:

në 4 çështje është konstatuar diskriminim,

në 2 çështje është konstatuar mosdiskriminim,

në 5 çështje janë marrë vendime mospranimi

Vendimet e çështjeve ku në objekt të tyre kanë qenë fëmijët

Gjatë vitit 2018, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka trajtuar 23 çështje) me subjekte fëmijët, ku ka konstatuar:

3 vendime mosdiskriminimi,

2 vendime diskriminimi, të cilat janë zbatuar menjëherë nga ana e subjekteve ndaj të cilëve është paraqitur.

6 vendime për mospranimin e ankesës për shkak se nuk plotëson kriteret,

3 vendime pushimi për shkak se gjatë procedurave të hetimit, u arrit efektiviteti dhe qëllimi për të cilin kishte nisur shqyrtimi i ankesës.

1 vendim pushimi për shkak se gjatë procedurave të hetimit, subjekti ankues u tërhoq nga shqyrtimi i ankesës.

1 vendim pushimi për shkak të pamundësisë së sigurimit të provave dhe fakteve për të dalë me një vendim përfundimtar.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of