Zyrtarët e ministrisë nuk mund të shprehen ende se deri ku do të arrijë zbatimi i rekomandimeve të biznesit për ligjin e ri, por thonë se në diskutime e sipër, palët mund të gjejnë mundësinë e implementimit të propozimeve, të cilat janë shumta.
Drafti “Për TVSH”-në, i publikuar për herë të parë te “Monitor” ka shkaktuar amulli në sektorin e privatit në vend, për shkak se trajton shumë çështje, sikurse lë ende të paqartë disa pjesë të tjera. Në tërësi biznesi e ka përshëndetur, për vetë faktin se ndryshimet vijnë pas 15 vitesh.
Flasin Alba Paparisto, menaxhere dhe Alban Ulqini, asistent te shërbimet fiskale në KPMG Albania
Ligji ri, i nevojshëm
Në diskutimet e para, mes biznesit dhe qeverisë (në mbledhjet e Këshillit Konsultativ), dukej se sipërmarrja private ishte e paqartë rreth shumë ndryshimeve në draft-ligj. Duke qenë se jeni njohur me projektin, mund të dimë komentet tuaja?
Për mendimin tonë një ligj i ri i TVSH-së është bërë mëse i nevojshëm. Eksperienca e deri tanishme ka treguar që ligji aktual i TVSH-së nuk është më në gjendje të rregullojë situatat komplekse që lindin çdo ditë. Kjo edhe për shkak se Shqipëria tashmë ndodhet në një stad tjetër të zhvillimit, ekonomia po bëhet vazhdimisht më komplekse dhe shërbime dhe produkte të reja hyjnë vazhdimisht në treg. Për të marrë një shembull, shumica e tatimpaguesve dhe e investitorëve të huaj janë të bindur që rregullat mbi vendin e furnizimit të shërbimeve, ashtu siç rregullohen nga ligji aktual, janë shumë të përgjithshme, të pamjaftueshme dhe burim kundërshtish dhe diskutimesh të vazhdueshme.
Gjithashtu, është bërë e nevojshme që legjislacioni i TVSH-së të përshtatet me direktivën europiane për TVSH-në. Kjo dhe për faktin që në përgjithësi vendet e rajonit tonë, përfshirë dhe ato të cilat nuk janë ende anëtarë të BE (Maqedoni, Kosovë, etj), kanë tashmë një ligj të TVSH-së të harmonizuar me direktivën europiane.
Për sa i përket projektligjit të TVSH-së, ne mendojmë se ky projektligj duket në përgjithësi në përputhje me direktivën europiane. Gjithsesi, një sërë përmirësimesh janë të nevojshme (përfshirë dhe terminologjinë e përdorur në versionin shqip). Për më tepër, është shumë e rëndësishme që projektligji final që do të kalojë në votim, të marrë parasysh jo vetëm direktivën europiane të TVSH-së, por duhet gjithashtu të përpiqet të gjejë zgjidhje për ato probleme praktike që janë shfaqur vazhdimisht gjatë këtyre viteve dhe të cilat mbeten ende të paqarta dhe të pazgjidhura. Vetëm për të dhënë një shembull, ligji i ri duhet të qartësojë çështjen e vendit të furnizimit të shërbimeve të këshillimit të furnizuara me mjete elektronike për entitete ose individë të huaj të paregjistruar për qëllime tatimore dhe pa aktivitet ekonomik në Shqipëri. Kjo ka qenë një çështje e paqartë në ligjin aktual (megjithëse deri diku e qartësuar me anë të interpretimeve të rasteve konkrete të bëra nga autoritetet tatimore) e cila, për mendimin tonë, duhet të rregullohet në mënyrë të qartë nga ligji i ri.
Sugjerimi
Ligji i ri duhet të qartësojë çështjen e vendit të furnizimit të shërbimeve të këshillimit të furnizuara me mjete elektronike për entitete ose individë të huaj të paregjistruar për qëllime tatimore dhe pa aktivitet ekonomik në Shqipëri. Kjo ka qenë një çështje e paqartë në ligjin aktual
Për herë të parë, drafti trajton rastet e shërbimit, në disa sektorë, si turizmi, apo të rishitjes (koncesionarët e makinave), cili është gjykimi juaj për këtë pjesë?
Në përgjithësi parashikimet e projektligjit të ri janë shumë më të detajuara se ato të ligjit aktual. Përsa i përket sektorëve specifike të rregulluar nga projektligji i ri, ne mendojmë se dispozitat e projektligjit duhet të pasqyrojnë praktikën më të mirë europiane dhe rajonale, por gjithashtu të marrin parasysh problematikën specifike, që ka dalë në pah këto vite në Shqipëri. Trajtimi i TVSH-së së furnizimit të shërbimeve dhe skema e faturimit për agjencitë e udhëtimit ka qenë (dhe mbetet) i paqartë dhe i parregulluar nga ligji aktual. Projektligji përfshin disa regjime specifike të TVSH-së për këtë fushë. Gjithsesi edhe parashikimet e projektligjit janë në opinionin tonë shumë të përgjithshme. Për mendimin tonë në projektligjin final duhet të përfshihen parashikime të qarta në aplikimin e TVSH-së në mënyrë që të ngushtohet hapësira e keqinterpretimeve në aplikimin e regjimeve të ndryshme. Për këtë arsye në hartimin e projektligjit duhet të dëgjohen dhe pasqyrohen sa më qartë edhe shqetësimet që kanë operatorët e sektorëve të ndryshëm (përfshirë shqetësimet e operatorëve turistik dhe konçesionarëve të makinave).
Një kategori e caktuar biznesesh ankohen se drafti nuk lehtëson procedurat e TVSH-së për kreditimin në pjesën e eksporteve dhe importeve, duke kërkuar shtyrje të afatit, pse jo heqje për disa pjesë…
Përsa i përket shtyrjes ose eliminimit të pagesës së TVSH-së (përfshirë procedurat) në rastet e importimit të makinerive dhe pajisjeve, projektligji duket se e ka deleguar kompetencën e vendimmarrjes dhe të përcaktimit të procedurës tek Këshilli i Ministrave. Për mendimin tonë, nga pikëpamja teknike kjo është një praktikë normale legjislative që i jep më shumë fleksibilitet dhe mundësi Qeverisë Shqiptare të zbatojë politikat e veta fiskale. Nga ky këndvështrim, mund të mos jetë e nevojshme që projektligji të parashikojë kohëzgjatjen dhe procedurat për shtyrjen ose eliminimin e TVSH-së së pagueshme në rastet e importit të makinerive dhe pajisjeve.
Për sa i përket rimbursimit të tepricës kreditore të TVSH-së (sidomos nga eksportuesit shqiptare të cilët janë një nga kategoritë më të interesuara), ne kemi vënë re që projektligji i ri thjeshtëzon deri diku kushtet e nevojshme për të kërkuar rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH-së. Gjithësesi, çështja duhet të rregullohet më në detaje në udhëzimin që duhet t’i bashkëngjiten ligjit të ri. Nga ky këndvështrim, është shume e rëndësishme që projektligji i ri të shoqërohet me një udhëzim të qartë që do të parandalonte disi paqartësitë dhe konfuzionin që miratimi i një ligji të ri (mjaft i ndryshëm nga ai ekzistuesi) do të krijonte.
Për më tepër, eksperienca jonë na bën të besojmë që në të dyja rastet e sipërpërmendura, qasja praktike e autoriteteve tatimore është më e rëndësishme se rregullat e shkruara. Rrjedhimisht, të parashikosh rregulla të qarta dhe të thjeshta për shtyrjen e pagesës së TVSH-së dhe rimbursimin e tepricës kreditore të TVSH-së është vetëm njëra anë e problemit, por ndërkohë çdo reformë thjeshtësuese, që lidhet me këto çështje duhet të shoqërohet me një përmirësim të praktikës së autoriteteve tatimore në aplikimin e këtyre rregullave dhe procedurave.
Sipas mendimit tuaj, a duhet të ishte më mirë një aplikim TVSH-je të diferencuar, sipas sektorëve, dhe jo unike 20%? Sot zhvillohet një debat rreth çmimeve, dhe si mundësi ‘shpëtimi’ shikohet ulja e TVSH-së…
Për mendimin tonë, kjo nuk është një çështje teknike për një çështje e politikës fiskale. Është në diskrecionin e Qeverisë Shqiptare të gjykojë dhe vendosë nëse shkalla tatimore e TVSH-së që do aplikohet për shërbime ose mallra të caktuara duhet të jetë më e lartë ose më e ulët se shkalla tatimore standarde. Kjo është në varësi të përparësive të një qeverie të caktuar. Në praktikë, një përshkallëzim i kufizuar i TVSH-së është bërë në lidhje me mallra të caktuara si p.sh. ilaçet. Nga pikëpamja teknike ne mendojmë se, duke qenë se tashmë kemi më shumë se 15 vjet eksperiencë në aplikimin e TVSH-së, duhet të jetë e mundur për autoritetet tatimore dhe operatorët ekonomikë që të administrojnë një TVSH me shkallë të ndryshme.
Në lidhje me çështjen e influencës së TVSH-së në çmimet e mallrave dhe shërbimeve ne mendojmë që ndoshta një ulje e konsiderueshme e shkallës së TVSH-së për produkte të caktuara mund të reflektohet disi (të paktën përkohësisht) në treg. Gjithësesi, ulja e shkallës tatimore mund të mos jetë një zgjidhje përfundimtare e kësaj çështjeje. Për mendimin tonë, politika e çmimeve është një çështje shumë më e komplikuar dhe nuk mund të zgjidhet vetëm me reduktimin e shkallës tatimore.
Në fund të këtij muaji skadon afati për konsultimin e draftit. A ishte e mjaftueshme koha 2-mujore që biznesi të njihet me ndryshimet?
Koha e lënë për shqyrtimin e projektligjit në vetvete nuk është aq e rëndësishme sa fakti nëse vërejtjet dhe shqetësimet e operatorëve ekonomikë merren parasysh ose jo. Për mendimin tonë, miratimi i një ligji të ri është një hap shumë i rëndësishëm që duhet të ndërmerret dhe peshohet me shumë kujdes. Në këtë këndvështrim, përfshirja e sa më shumë aktorëve është një qasje e mirë dhe veçanërisht e nevojshme. Në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme që gjatë kohës së diskutimeve mbi projektligjin ligjbërësit të marrin parasysh çdo vërejtje me vlerë që mund të marrin nga palët e interesuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.