Distributorët, të përqendruar në segmentin FMCG (mallrat e konsumit që lëvizin shpejt nga raftet, përgjithësisht nga importi) e kanë marrë veten në vitin 2022, duke raportuar rritje të fortë, për të dytin vit radhazi, të ndikuara si nga përmirësimi i konsumit, por dhe nga shtrenjtimi i çmimeve.
Konsumi vjetor i popullatës, sipas INSTAT, u rrit me ritmet më të larta në të paktën një dekadë, duke arritur në 7.4%, pas zgjerimit me 4.7% vitin e mëparshëm.
Rritja e inflacionit, e cila filloi që në gjysmën e dytë të vitit 2021 dhe arriti deri në 8.3% në tetor të vitit 2022, niveli më i lartë në dy dekada, i bëri operatorët pesimistë për një frenim të ri të konsumit, siç shprehen në raportet e tyre vjetore, për shkak të rënies së fuqisë blerëse.
Shqetësimi i tyre kryesor mbeten ndryshimet demografike, si rrjedhojë e emigracionit, sidomos të të rinjve dhe plakjes graduale të popullsisë, që po jep efektet e veta si në zakonet e blerjes së popullsisë, ashtu dhe në gjetjen e fuqisë punëtore të disponueshme.
Rënia e Euros, në kahun tjetër, ka qenë një faktor pozitiv, që ka ndihmuar importuesit për të amortizuar rritjen e çmimeve të importit.
Kthimi i vendit në një destinacion turistik ka kompensuar, deri diku, rënien e konsumit nga emigracioni, sidomos në kulmin e sezonit.
Operatorët raportojnë rritje të shtuar të produkteve në rrjetet tregtuese në zonat bregdetare, ku vendin e parë e mbajnë pijet alkoolike.

“Grupi AGNA”, me dy kompanitë “AGNA” dhe “Alfa”, ka ruajtur pozicionin si distributori më i madh në vend. “AGNA” kishte qarkullim vjetor prej 17.6 miliardë lekësh, me rritje vjetore 5.4%, pas zgjerimit të shpejtë prej 13% vitin e mëparshëm. “Alfa” raportoi 12.2 miliardë lekë të ardhura, me rritje 9.6%.
“Grupi AGNA”, përfshirë dy kompanitë së bashku, qarkulloi 30 miliardë lekë në vitin 2022, me zgjerim vjetor prej 7%.
Në raportin e tyre vjetor theksohen shqetësimet që pasojat e luftës, shtrenjtimi i çmimeve dhe rritja e interesave nga Banka e Shqipërisë do të japë në konsum.
“Kohëzgjatja e konfliktit Rusi – Ukrainë, si dhe efektiviteti i përgjigjeve të qeverisë dhe Bankës Qendrore, mbetet i paqartë.
Nuk është e mundur të vlerësohet me besueshmëri kohëzgjatja dhe ashpërsia e këtyre pasojave, si dhe ndikimi i tyre në pozicionin financiar dhe rezultatet e Shoqërisë për periudhat e ardhshme”. Raporti thekson se ka pasur rritje të konsiderueshme të çmimeve nga furnitorët e huaj, e cila pritet të sjellë ulje të konsumit gjatë 2023.
Por, nga ana tjetër, nënçmimi i Euros ka bërë që jo i gjithë efekti të reflektohet në çmimet e shitjes. Emigracioni është një faktor që po ndikon në konsum.
“Pritet të ketë rënie të shitjeve të paktën në sasi, për shkak të reduktimit të konsumit nga rritja e çmimeve dhe faktorëve demografikë”, theksohet në raport. “AGNA” parashikon gjithsesi rritje të të ardhurave, teksa pas përthithjes së “ALBtelecom” me “ONE”, përveç distribucionit të shërbimeve me parapagim të “ALBtelecom”, kompania ka marrë në administrim edhe një pjesë të mirë të pikave zyrtare të “One Albania” dhe do të zgjerohet zona e mbulimit.
Në vitin 2022, Shoqëria ka zgjeruar pjesëmarrjen, duke zotëruar një shoqëri edhe në Maqedoninë e Veriut, e cila ka pasuri të paluajtshme për shitje ose zhvillim, ndërsa ka marrë miratim nga Ministria e Energjisë për investime në energji të rinovueshme.
Kompania tjetër e grupit, “Alfa”, pohon në raportin vjetor se lëvizjet e popullsisë dhe fuqisë punëtore po japin efektet e tyre për sa i përket konsumit dhe punësimit. “Alfa” pohon se filloi në vitin 2022 prodhimin tërësisht të birrës në fabrikën e “Glina” dhe nga vjeshta 2022 u rrit kapaciteti shfrytëzues i linjës, duke ambalazhuar dhe birrën “Amstel”.
Gjatë vitit 2023 do të kryhet edhe përpunimi dhe ambalazhimi i birrës “Moretti”.
Nga ana tjetër, barazimi i akcizës për prodhuesit e vegjël (kryesisht vendas) me prodhuesit e mëdhenj (kryesisht të huaj) të birrave, pati efekt negativ për industrinë vendase të birrave, gjë që u reflektua në rënie të konsumit, thekson raporti.
“Inter Distribution Service” (pjesë e grupit INFOSOFT) shënoi një rritje të fortë të të ardhurave në vitin 2022, me 20%, për të arritur një qarkullim vjetor prej 17.7 miliardë lekësh, duke ia kaluar për herë të parë lehtë kompanisë “AGNA”.
Sipas raportit vjetor, “këto rezultate kanë ardhur si rrjedhim i përmirësimit të strukturës së shitjeve, organizimit të mirë të punës, investimeve në teknologji dhe trajnimit të burimeve njerëzore.
Në të njëjtën kohë, investimet e shumta janë përdorur si mjete për njohjen e tregut, afrimit me konsumatorin, si dhe përmirësimin e infrastrukturës së shitjeve.
“Philip Morris Albania” është rritur me 20%, në rreth 13.6 miliardë lekë, duke ruajtur vendin e tretë.
Sipas raportit vjetor, rritja u ndikua nga një sërë masash të ndërmarra nga Shoqëria për të siguruar disponueshmërinë e produkteve të saj në treg (pavarësisht mjedisit sfidues në kushtet e luftës në Ukrainë, ku ndodhej një prej fabrikave kryesore të prodhimit dhe furnizimit për tregun tonë), por edhe duke shtuar aktivitetet e komunikimit me konsumatorët e rritur.
“Tobacco Holding Group” kishte të ardhura rreth 9.4 miliardë lekë, me zgjerim prej gati 17% me bazë vjetore, duke u renditur në distributorin e pestë në vend, pozicion që një vit më parë e kishte “Marketing & Distribution”.
“Marketing & Distribution” ka zbritur në distributorin e gjashtë më të madh në vend. Në vitin 2021 deklaroi të hyra prej 8.5 miliardë lekësh, me rritje prej 5.7% me bazë vjetore.
“Albania Distribution & Development” u rrit me 11%, duke raportuar të ardhura prej gati 6 miliardë lekësh.
“Kompania tregton një gamë të gjerë produktesh që përfshijnë pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, artikuj të pastrimit dhe kujdesit personal etj.
Nga viti në vit, kompania ka rritur gamën e produkteve, duke e zgjeruar portofolin e saj të produkteve”, thuhet në raportin vjetor.
“ELKA-SA” rriti të ardhurat me 12%, në 5.4 miliardë lekë. Krahas tregtimit të produkteve të ndryshme, “ELKA-SA” është eksportues dhe e angazhuar edhe në sektorin e prodhimit të patatinave, çokokremit, kruasantëve.
Në vitin 2022, shoqëria i rriti eksportet me 24% në 969 milionë lekë, ose gati 18% të totalit të të ardhurave.
Por në raportin vjetor theksohet se “stabiliteti i kursit të këmbimit do të luante një rol të rëndësishëm në aktivitetin tonë si eksportues, pasi luhatjet e shumta në ulje që ka pësuar kursi i këmbimit, kanë sjellë pasiguri në çmimet e shitjes, duke ndikuar kështu edhe tregjet ndërkombëtare në të cilat ne jemi të pranishëm prej shumë vitesh.
Sidomos në vitin 2022 ka pasur shumë luhatje të kursit, të cilat kanë ndikuar negativisht edhe në rezultatin financiar”.
“British American Tobacco” (BAT) ka rritur ndjeshëm të ardhurat me 23.5% në 5.3 miliardë lekë në vitin 2022, duke shënuar zgjerim të ndjeshëm dyshifror për të dytin vit radhazi.
Sipas raportit vjetor, kjo tendencë nuk i atribuohet vetëm shtimit të volumeve të shitjeve por edhe rritjes së akcizës.
Bazuar në kalendarin vjetor të akcizës, kjo e fundit u rrit nga 6,500 lekë në vitin 2021 në 6,750 lekë në vitin 2022.
“Primall”, që ka aktivitet kryesisht në tregtimin e cigareve, raportoi qarkullim vjetor prej 3.3 miliardë lekësh, me zgjerim 6.8%.
“Interlogistic” kishte të ardhura 2.9 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtat nivele si në vitin 2021.
“Inter Trade & Distribution” deklaroi qarkullim vjetor prej 2.5 miliardë lekësh, me rritje prej 9.5% në raport me vitin 2021.
Sipas raportit vjetor, zgjerimi ka ardhur kryesisht si rrjedhim i faktorëve të brendshëm, që kanë të bëjnë me përmirësimin e strukturës së shitjeve, organizimit të punës, investimeve në teknologji, si dhe shtimit të investimeve të kryera me fondet e furnitorëve dhe vetë kompanisë në marketing dhe promocion.
Një tjetër faktor që ka ndikuar lidhet me nivelin e ulët të kursit të këmbimit, si dhe normës së interesit.
“Interbrands” raportoi të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, me rritje 18.1% me bazë vjetore. Sipas raportit vjetor, “kanë ndodhur një sërë ndryshimesh në strukturën e produkteve të shitura.
Është vënë re gjithashtu rënie e shitjeve të produkteve dhe grup-produkteve të caktuar, si dhe rritje e shpejtë e shpenzimeve, gjë që pa dyshim do të ndikojë në rezultatin financiar”.
“Ferra”, e fokusuar në tregtimin e mallrave ushqimore, kryesisht të sheqerit, orizit, vajit, etj., dhe në aktivitete të tjera dytësore, shënoi rritje të fortë të të ardhurave me 40% në rreth 4.8 miliardë lekë, e ndikuar kryesisht nga shitjet e larta të sheqerit e vajit, që ishin me çmime më të shtrenjta.
Sipas raportit të aktivitetit, “edhe për këtë vit, aktiviteti kryesor i shoqërisë ka qenë tregtimi i mallrave ushqimore, kryesisht të sheqerit, orizit, vajit, etj., dhe në aktivitete të tjera dytësore, siç është qiradhënia e aktiveve të paluajtshme.
Një ndër arsyet kryesore të rritjes së shitjeve janë ndryshimet në strukturën e grupit të mallrave ushqimore, drejt mallrave me rentabilitet më të lartë dhe me kërkesë tregun vendas dhe në eksport.
U rritën ndjeshëm shitjet e sheqerit për eksport dhe të vajit ushqimor në tregun vendas”.
“Teuta Durrës”, që operon në dy sektorë kryesorë, paketimin dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore, ka rezultuar me të ardhura prej 3 miliardë lekësh në vitin 2022, me zgjerim 23% me bazë vjetore.
Sipas raportit vjetor, “aktiviteti i kompanisë është rritur nga viti në vit, nëpërmjet zgjerimit të gamës së produkteve të hedhura në treg dhe të rrjetit të shpërndarjes në të gjithë vendin”.
Kompania është zgjeruar edhe në tregun e Kosovës.
Në vitin 2022, kompania, sipas burimeve të saj, iu përshtat kërkesave të tregut, duke investuar në ngritjen e qendrave shpërndarëse në qytete, çka uli kostot në furnizimin e klientëve lokalë, duke shtuar të ardhurat.


LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.