E mbajtur çdo vit më 5 qershor, Dita Botërore e Mjedisit (World Environment Day, WED) mbledh së bashku miliona njerëz, për të festuar veprimet kundër ndotjes së mjedisit, si dhe për të frymëzuar qeveritë, bizneset dhe individët, për të krijuar një botë më të qëndrueshme.
Ky vit shënon 50-vjetorin e ngjarjes, e cila drejtohet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (United Nations Environment Programme, UNEP), që nga viti 1973.
“Ne duhet të punojmë si një organ i vetëm – qeveritë, kompanitë dhe konsumatorët – për të mposhtur varësinë tonë ndaj plastikës, për të arritur zhdukjen e mbeturinave dhe për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme.” – thotë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres.
Dita Botërore e Mjedisit 2023 shënon 50 vite që nga themelimi i saj. Këtë vit, tema e WED 2023 është “BeatPlasticPollution”.
Dita Botërore e Mjedisit 2023 do të organizohet nga Bregu i Fildishtë. Fushata e 2023 mbështetet nga Qeveria e Holandës.
Festimet për Ditën Botërore të Mjedisit 2023 nisën në vendin pritës Cote d’Ivoire, ndërsa miliona njerëz përgatiten për aktivitete të ngjashme në të gjithë botën.
Vendet në të gjithë kryeqytetin, Abidjan – nga laguna historike, deri te muzeu i parë i artit modern – ishin në qendër të vëmendjes.

Le të mposhtim ndotjen e shkaktuar nga plastika
Tema e këtij viti do të fokusohet në zgjidhjet ndaj ndotjes së shkaktuar nga plastika, me fushatën #BeatPlasticPollution.
Kjo fushatë është një kujtesë, se veprimet e njerëzve për ndotjen e shkaktuar nga plastika, kanë rëndësi.
Hapat, që qeveritë dhe bizneset po ndërmarrin, për të trajtuar ndotjen, janë pasojë e këtij veprimi.
Dita Botërore e Mjedisit është platforma më e madhe, që mbron praktikën e zhvillimit të qëndrueshëm, në mbarë botën.
Me ritmin aktual të mbishfrytëzimit të burimeve natyrore, brezi i ardhshëm ka të ngjarë të mos ketë mundësi që të përdori këto burime.
Miliona njerëz në mbarë botën, marrin pjesë në këtë program, për të mbrojtur dhe ruajtur mjedisin, për të përmbushur nevojat e brezit të ardhshëm.

Fillimet e lëvizjes
Viti 1972 shënoi një pikë kthese në zhvillimin e politikës mjedisore ndërkombëtare: konferenca e parë e madhe për çështjet mjedisore, e organizuar nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, u mbajt nga 5-16 qershor në Stokholm, Suedi.
E njohur si Konferenca për Mjedisin Njerëzor (Conference on the Human Environment), ose Konferenca e Stokholmit, qëllimi i saj ishte të krijonte një këndvështrim të përbashkët bazë, se si të trajtohej sfida e ruajtjes dhe përmirësimit të mjedisit njerëzor.
UNEP propozoi një ditë të veçantë për mjedisin. Në vitin 1972, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së caktoi 5 qershorin si Ditën Botërore të Mjedisit.
Dita e parë Botërore e Mjedisit u shënua më 5 qershor 1973, me sloganin “Vetëm një tokë” (Only One Earth).
Rëndësia
Dita Botërore e Mjedisit është një platformë globale, që lufton për një mjedis më të gjelbër dhe pa ndotje.
Gjithashtu, qeverive u kërkohet që t’i japin përparësi mjedisit dhe të miratojnë ligje për të reduktuar shfrytëzimin e tij.
Mbrojtja e mjedisit është një nevojë botërore, që mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar.
Ajo bashkon organizata të ndryshme ndërkombëtare, organe dhe palë të interesuara, për të punuar për të adresuar sfidat, që kanë paraqitur një kërcënim për mjedisin.
Mjedisi ka vuajtur shumë për shkak të industrializimit. Dita Botërore e Mjedisit nxit njerëzit të zbatojnë praktika ekologjike, për të pasur një mjedis më të gjelbër dhe të pastër.
Zgjidhje për ndotjen e shkaktuar nga plastika
Më shumë se 400 milionë tonë plastikë prodhohen çdo vit në mbarë botën, gjysma e të cilave është prodhuar për t’u përdorur vetëm një herë. Nga kjo sasi, më pak se 10 % riciklohet.
Rreth 19-23 milionë tonë përfundojnë në liqene, lumenj dhe dete çdo vit. Kjo është përafërsisht pesha e 2200 Kullave Eifel së bashku.
Mikroplastika – grimca të vogla plastike me diametër deri në 5 mm – gjejnë rrugën e tyre në ushqim, ujë dhe ajër.
Është vlerësuar se çdo person në planet, konsumon më shumë se 50,000 grimca plastike në vit – dhe shumë më tepër nëse merret parasysh sasia që merret nëpërmjet frymëmarrjes.
Plastika e hedhur ose e djegur, dëmton shëndetin e njeriut dhe biodiversitetin, si dhe ndot çdo ekosistem, nga majat e maleve deri në fundin e oqeanit.
Me përparimin shkencor dhe zgjidhjet e disponueshme për të trajtuar problemin, qeveritë, kompanitë dhe palët e tjera të interesuara, duhet të rrisin dhe shpejtojnë veprimet për ta zgjidhur këtë krizë.
Kjo nënvizon rëndësinë e kësaj Dite Botërore të Mjedisit, në angazhimin për të ndërmarrë veprime shndërruese nga çdo cep i botës. / United Nations, Times of India