Dita Botërore e Oqeaneve / Nga shëndeti i tyre, varet dhe shëndeti ynë, por hapësira blu e planetit kërcënohet nga kaq shumë rreziqe serioze. Kjo është arsyeja se pse më 8 Qershor, festohet World Ocean Day
I parë nga hapësira, planeti ynë, është Planeti Blu, Nuk duhet të jesh shkencëtar për të kuptuar origjinën e këtij pseudonimi. Sipërfaqja e Tokës, në fakt, mbulohet 70% nga oqeanet. E megjithatë dimë më shumë për Hënën se sa për territoret tona të pamata me ujë. Por sa keq, sepse nga ekzistenca e tyre varet mbijetesa jonë. World Ocean Day (Dita Botërore e Oqeaneve) kërkon t’i hapë sytë botës mbi këtë të vërtetë të thjeshtë.
Dita Botërore e Oqeaneve, kur festohet
Dita u krijua më 8 Qershor 1992 në Rio de Zhaneiro, gjatë Samitit mbi Mjedisin, por në vitin 2008 u njoh nga Kombet e Bashkuara. Qëllimi? Shpëtimi i mushkërisë blu të planetit, që çliron më shumë se 50% të oksigjenit që thithim dhe është në gjendje të përthithë një të tretën e dioksidit të karbonit të prodhuar. Oqeanet veprojnë edhe si një rregullator i klimës dhe sigurimit të ushqimit për miliarda njerëz – vlerësohet se një në pesë persona varen nga deti.
Qindra organizata nga e gjithë bota janë mobilizuar për të festuar këtë Ditë të shënuar. Manifestimi do të drejtohet nga Këshilli i të Rinjve të Ditës Botërore të Oqeaneve, i cili përbëhet nga 25 anëtarë, të moshës 16 – 23 vjeç nga 20 vende të ndryshme.
Tema e edicionit të vitit 2021
Pikërisht Jeta dhe Jetesa (Life and Livelihoods) është tema e Ditës Botërore të Oqeaneve e këtij edicioni, i cili për të dytin vit me radhë do të festohet në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë.
Dekada e shkencave të detit për zhvillimin e qëndrueshëm, e cila sapo ka nisur, ka si objektiv botëror “ruajtjen dhe përdorimin në mënyrë të qëndrueshme të oqeaneve, deteve dhe burimeve detare”, brenda vitit 2030. “Vetëm një oqean i shëndetshëm mund të sigurojë një planet të shëndetshëm për mirëqenien dhe prosperitetin e të gjithëve, të gjithëve ne” – tha zv.presidenti ekzekutiv i Komisionit Europian për Green Deal, Frans Timmermans me rastin e International Ocean Governance Forum
Katastrofa ekologjike si ajo e ndodhur së fundmi në ujërat e Oqeanit Indian, në brigjet e Sri Lankës, tregojnë se ka shumë për të bërë në përmirësimin e kushteve shëndetësore të botës sonë oqeanike. Kataklizma të këtij lloji janë vetëm maja e ajsbergut përballë ndryshimeve që po prekin ekzistencën e oqeaneve. Detet, në fakt, janë gjithnjë e më të nxehta, më acide dhe pa oksigjen. Biodiversiteti detar kërcënohet nga peshkimi i tepërt, peshkimi i paligjshëm dhe ndotja nga plastika.
Dy kërcënimet e mëdha të kohës sonë për oqeanet janë ndotja nga plastika dhe ngrohja globale. Vlerësohet se çdo vit përfundojnë në det mesatarisht 8 milionë tonë plastikë, dhe se aktualisht ka më shumë se 150 milionë tonë.
Ato do të vijnë, mbi të gjitha, nga lumenj të mëdhenj të Azisë Juglindore, Afrikës dhe Amerikës Latine, ku vendet kanë sisteme riciklimi të mbeturinave të pamjaftueshme. Sipas një kërkimi të World Economic Forum, me këtë hap në vitin 2050, pesha totale e plastikës në oqeane do të kapërcejë atë të kafshëve detare.
Tjetër kërcënim për detet është ngrohja globale, që shkakton fenomenin e “acidifikimit”. Rritja e dioksidit të karbonit në atmosferë rrit gjithashtu edhe atë në ujë. Një e katërta e dioksidit të karbonit në atmosferë tretet në ujë. CO2 në ujë shndërrohet në acid karbonik, duke rritur aciditetitn.
Ngrohja e ujërave shkakton vdekjen e koraleve (fenomeni i zbardhjes), ndryshon habitatet e kafshëve detare, duke vënë në rrezik disa specie dhe shkrin akullin e territoreve polare, duke rritur nivelin e oqeaneve dhe duke kërcënuar zonat bregdetare të banuara nga njeriu.
Burimi: Corriere della Sera