Dita Botërore e Ujit 2021 / Emergjenca klimatike kërcënon “arin blu”

22/03/2021 12:40 PM 0 komente

“Uji mbart kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm[…] Duke regjistruar – dhe duke festuar – të gjitha mënyrat e ndryshme në të cilat përfitojmë nga ky burim, mund ta vlerësojmë në mënyrën e përshtatshme dhe ta ruajmë në mënyrë efikase për të gjithë”.

Ky është lajtmotivi i World Water Day, Dita Botërore e Ujit 2021. Duke nisur nga viti 1993, çdo 22 Mars, Kombet e Bashkuara i kushtojnë një hapësirë të privilegjuar “arit blu” të planetit; një event ndërkombëtar për të përqendruar vëmendjen publike te burimet hidrike, duke theksuar problemet, sfidat, por edhe historitë e suksesshme, praktikat më të mira dhe projektet.

 

Një krizë hidrike në krizën shëndetësore në mbarë botën

Gjatë 100 viteve të fundit, konsumi hidrik në nivel global është rritur me 6 herë.  Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, kërkesa do të vijojë të rritet me një normë rreth 1% në vit, nën presionin demografik, klimatik dhe të zhvillimit ekonomik.

Për fat të keq, prania e burimeve me ujë të pijshëm dhe të sigurta nuk është realitet për të gjithë. Pavarësisht zhvillimit të rëndësishëm në këto vite, në nivel global, 2.2 miliardë njerëz nuk kanë ujë të pijshëm, i menaxhuar në mënyrë të sigurt; ndërsa 4.2 miliardë persona jetojnë pa shërbime higjienike (tualete) të menaxhuara në mënyrë të sigurt. Nga Cape Town deri në Flint në Miçigan, nga Afrika rurale Nën-Sahariane deri në qytetet e mëdha aziatike, kriza globale e ujit nuk tregon shenja të përmirësimi.

Aksesi në ujë është i lidhur ngushtë me çështje universale si dinjiteti, mundësi e barazi; kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia e ka theksuar edhe më shumë këtë aspekt.

“Pandemia e COVID-19 na ka kujtuar me forcë se uji dhe shërbimet higjieniko-sanitare janë ndër pikat kyçe për të luftuar sëmundjet infektive” – u shpreh zv.sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Amina Mohammed.  “E megjithatë 3 miliardë njerëz, veçanërisht në zonat rurale dhe në vendet më pak të zhvilluara, nuk kanë rubinete brenda shtëpisë për të larë duart”.

 

Sfidat në të ardhmen

Parashikimet në të ardhmen nuk janë fort pozitive. Vlera shumëdimensionale e ujit i ka bërë burimet hidrike një ndër objektivat e zhvillimit të Kombeve të Bashkuara.  Sustainable Development Goal 6 (SDG6) angazhon planetin të sigurojë akses universal në ujë të pastër dhe te shërbimet higjieniko-sanitare deri në fund të dekadës. Por “siç thekson raporti i fundit mbi progresin e UN-Water, bota nuk është në rrugën e duhur për të arritur SDG6 në 2030 – shtoi Mohammed. – Që misioni të mos dështojë, duhet që shkalla aktuale e progresit të katërfishohet”.

Urgjenca e veprimit diktohet edhe nga efektet gjithnjë e më serioze të ndryshimit të klimës. Vlerësimet aktuale parashikojnë që deri në vitin 2050, më shumë se gjysma e popullsisë në botës do të jetë në rrezik për shkak të stresit hidrik*.  “Vetëm shkretëtirëzimi kërcënon jetesën e gati 1 miliard njerëzve në 100 vende”,  shpjegoi Munir Akram, presidenti i Këshillit Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara. “Mungesa e madhe mund të zhvendosë deri në 700 milionë njerëz gjatë dekadës së ardhshme.”

“Ari blu” ka shkaktuar më shumë konflikte se “ari i zi”. Vetëm mes viteve 2010 – 2018, ka pasur 263 konflikte, sipas raportit të UNESCO-s.

Një shembull i luftës për ujin është historia e Yarlung-Tsangpo-Brahmaputra, një ndër lumenjtë më të mëdhenj në botë. Ai buron nga akullnajat e Himalajeve dhe përshkon Tibetin,  Indinë Verilindore, Butanin dhe Bangladeshin. Ndërsa lumi dhe degët e tij zbresin nga malet më të larta në botë, ata grumbullojnë një sasi të madhe energjie. Edhe pse fuqia e Brahmaputra ka mbetur kryesisht e pashfrytëzuar, ajo sigurisht që nuk lihet jashtë vëmendjes. Ndërkohë që dy kombet më të mëdha të planetit po përshpejtojnë në garën për zhvillimin e potencialit hidro-elektrik të lumit, në mungesë të marrëveshjeve mbi burimet hidrike, është rritur frika për një luftë të afërt për ujin ndër superfuqitë  aziatike.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara ngre alarmin kundër rritjes së interesit nga ana e sektorit financiar që dëshiron ta shkëmbejë ujin si një e mirë e çfarëdoshme në treg. Në fund të 2020-s, për herë të parë, u njoftua nga CMA grup, kompani globale e teknologjisë që shërben në tregjet e kapitalit, Water Index (NQH2O).

*Stresi hidrik është një gjendje, e përkohshme ose e zgjatur, e mungesës së ujit, zakonisht mungon në tokë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of