Tre milionë punëtorë, të ndihmuar nga 4 mijë aeroplanë dhe anije, po bëhen gati për shitjen më të madhe në botë në internet.
Dita e Beqarëve në Kinë, që mbahet çdo 11 nëntor, është ngjarja më e madhe në botë për blerjen 24-orëshe online, ku vetëm vitin e kaluar u porositën dhe u dorëzuan 1.9 miliardë produkte.
Por, për shkak të pandemisë, ku shumë vende i janë rikthyer bllokimit të dytë, pritet që kërkesa për mallra të thyejë rekorde të reja këtë vit.
Fshesat robotike me korrent (makinat pastruese) dhe kutitë e veglave pritet të jenë më të shiturat.
Sidoqoftë, markat luksoze shpresojnë të kenë rritje, pasi miliona kinezë që nuk kanë pasur mundësi të udhëtojnë jashtë për shkak të kufizimeve, pritet të bëjnë në internet ato që ekspertët i quajnë “shpenzimet e hakmarrjes”.
“Ne parashikojmë që kufizimet e vazhdueshme ndërkombëtare të shkaktojnë një ndryshim kuptimplotë në konsumatorët kinezë që blejnë produkte luksi online”, tha Michael Norris, nga kompania e hulumtimit të tregut “Agency China”.
Dita e Beqarëve në Kinë – e njohur gjithashtu si 11.11 ose Double 11 – u krijua fillimisht nga shitësi me pakicë në internet Alibaba për të festuar beqarët, një antitezë për të dashuruarit e ditës së “Shën Valentinit”.
Rivali i Alibaba për blerje në internet JD.com zhvillon një ngjarje të ngjashme, por Dita e Beqarëve e Alibaba është më e madhe për sa u përket mallrave të shitura dhe të ardhurave.
Vitin e kaluar, vlera e mallrave bruto arriti më shumë se 31 miliardë dollarë, dyfishi i asaj të së Premtes së Zezë dhe të Hënës Kibernetike së bashku, me shitjet që arritën 1 miliard dollarë në pak më shumë se një minutë tregtimi.
E mërkura do të shfaqë më shumë se 350 mijë marka vendore dhe ndërkombëtare dhe madje përfshin makina dhe shtëpi për shitje.
Cainiao, krahu i logjistikës i Alibaba, tha se po përdor më shumë se 3 mijë aeroplanë me qira dhe anije të mallrave me ngarkesa të gjata për të sjellë mallra në Kinë.
Ndërkohë, një total prej tre milionë njerëzish të Cainiao-s dhe partnerët e tij do të përfshihen në logjistikën globalisht në depot dhe portet.
Produkte pandemike
Tani në vitin e tij të dymbëdhjetë, produktet shëndetësore të tilla si vitaminat dhe pastruesit e ajrit pritet të jenë ndër produktet më të shitura në Ditën e Beqarëve, duke pasur parasysh pandeminë Covid-19. Por, për ata që kërkojnë të shpenzojnë pak më shumë, ka gjithashtu rreth 800 mijë prona në ofertë me një zbritje së bashku me më shumë se 200 mijë makina./BBC