22 Prilli i këtij viti shënon 50-vjetorin e Earth Day, Dita Ndërkombëtare e Tokës. Këtë vit për shkak të emergjencës së koronavirusit dhe izolimit, ajo bëhet virtuale.
Në shumë vende, festimet dhe eventet do të zhvillohen nëpërmjet lidhjeve direkte në streaming. Edhe pse pandemia mbetet sfida më urgjente me të cilën duhet të përballemi “nuk duhet të harrojmë edhe krizën klimatike” – pohojnë organizatorët. Për të shpëtuar planetin dhe ridizenjimin e së ardhmes.
Tema e Earth Day 2020 është të veprojmë për klimën – një mision që rrezikon të injorohet edhe kur të ketë mbaruar situata e emergjencës shëndetësore. Për këtë arsye, ekspertët theksojnë rëndësinë për të mbrojtur mjedisin dhe pyjet dhe për të vëzhguar punën e qeverive, që të shqetësuara për rifillimin e ekonomisë, mund t’i bëjnë më fleksibël ligjet për mbrojtjen e mjedisit.
Dita e Tokës është një nga Ditët më të njohura dhe të rëndësishme ndërkombëtare mbi qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e mjedisit. Me këtë rast do të keni parë që edhe Google i ka kushtuar një doodle, një animim i shkurtër me bletë.
Dita e Tokës është një moment informimi mbi gjendjen e mjedisit të planetit dhe shkëmbimit të këshillave se si ta ndotim sa më pak dhe të ruajmë ekosistemet. U zgjodh 22 Prilli si datë pasi përkon një muaj dhe një ditë pas ekuinoksit “tradicional” të pranverës.
Ndër nismëtarët e Ditës së Tokës ishte senatori demokrat amerikan, Gaylord Nelson, i cili edhe më parë kishte organizuar një seri takimesh dhe konferencash për çështjet e mjedisit. Në janar – shkurt të vitit 1969, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndodhi një nga katastrofat më të rënda mjedisore, shkaktuar nga rrjedhja e naftës nga një pus i Union Oil.
Ky incident bindi Nelson që të angazhohej më shumë dhe në mënyrë të vazhdueshme me çështjet mjedisore, për t’i sjellë ato në vëmendjen e opinionit publik.
Duke parë suksesin dhe interesin rreth Ditës së Tokës, vitin tjetër Kombet e Bashkuara zyrtarizuan pjesëmarrjen në organizatë, duke i dhënë zë nismës.
Në 50 vite, Dita e Tokës ka kontribuar me vendosmëri në zhvillimin e nismave mjedisore në të gjithë botën. Kjo çoi në organizimin e të ashtuquajturit Samiti i Tokës në vitin 1992, në Rio de Janeiro, konferenca e parë botërore e krerëve të shteteve për mjedisin. Që prej atëherë, Dita e Tokës është kthyer në një mundësi për të ndarë informacione shkencore dhe për t’i bërë më të ndërgjegjshëm njerëzit, mbi rreziqet që sjell ngrohja globale dhe zgjidhjet që mund të merren për ta luftuar atë.