Për më shumë se një shekull, njerëzit në mbarë botën e kanë shënuar 8 Marsin si një ditë të veçantë për gratë.
Si filloi?
Dita Ndërkombëtare e Gruas, e njohur shkurt si IWD (International Women’s Day), nga një lëvizje e pune, u bë një ngjarje vjetore e njohur nga Kombet e Bashkuara (OKB).
Farat e saj u mbollën në vitin 1908, kur 15,000 gra marshuan në qytetin e Nju Jorkut duke kërkuar orë më të shkurtra pune, paga më të mira dhe të drejtë vote.
Një vit më vonë, Partia Socialiste e Amerikës shpalli Ditën e parë Kombëtare të Gruas.
Ideja për ta bërë këtë ditë ndërkombëtare erdhi nga një grua e quajtur Clara Zetkin, aktiviste komuniste dhe avokate për të drejtat e grave.
Ajo hodhi idenë në vitin 1910, në një Konferencë Ndërkombëtare të Grave Punëtore në Kopenhagë. Aty ishin 100 gra, nga 17 vende, dhe ato ranë dakord me mendimin e saj njëzëri.
Për herë të parë u festua në vitin 1911, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër.
Njëqindvjetori u festua në vitin 2011, kështu që këtë vit ne po festojmë teknikisht Ditën e 111-të Ndërkombëtare të Gruas.
Gjërat u zyrtarizuan në vitin 1975, kur Kombet e Bashkuara filluan të festonin këtë ditë.
Tema e parë e miratuar nga OKB-ja në vitin 1996, ishte “Festimi i së kaluarës, planifikimi për të ardhmen”.
Dita Ndërkombëtare e Gruas, është bërë një datë për të festuar se sa larg kanë arritur gratë në shoqëri, në politikë dhe në ekonomi, ndërsa organizohen greva dhe protesta për të rritur ndërgjegjësimin për pabarazinë e vazhdueshme.
Pse 8 Marsi?
Ideja e Klarës për Ditën Ndërkombëtare të Gruas nuk kishte një datë të caktuar.
Ajo nuk u zyrtarizua deri në grevën e kohës së luftës në 1917, kur gratë ruse kërkuan “bukë dhe paqe”, dhe katër ditë pas grevës, Cari u detyrua të abdikonte dhe qeveria e përkohshme u dha grave të drejtën për të votuar.
Data kur filloi greva e grave sipas kalendarit Julian, i cili atëherë përdorej në Rusi, ishte e diela e 23 shkurtit. Kjo ditë në kalendarin Gregorian ishte 8 Marsi, dhe kjo është data kur festohet edhe sot.
Pse njerëzit veshin ngjyrën vjollcë?
Vjollca, e gjelbra dhe e bardha janë ngjyrat e IWD, sipas faqes së internetit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Vjollca nënkupton drejtësinë dhe dinjitetin. E gjelbra simbolizon shpresën. E bardha përfaqëson pastërtinë, megjithëse mbetet një koncept i diskutueshëm.
Ngjyrat e kanë origjinën nga Unioni Social dhe Politik i Grave (Women’s Social and Political Union, WSPU) në MB në 1908..
A ka një ditë ndërkombëtare të burrave?
Ka vërtet, më 19 Nëntor.
Por fillimet e saj shënojnë në vitet 1990 dhe nuk njihet nga OKB-ja.
Njerëzit e festojnë atë në më shumë se 80 vende në mbarë botën, përfshirë Britaninë e Madhe.
Dita feston “vlerat pozitive që burrat i sjellin botës, familjeve dhe komuniteteve të tyre”, sipas organizatorëve, dhe synon të nxjerrë në pah modelet pozitive, të rrisë ndërgjegjësimin për mirëqenien e burrave dhe të përmirësojë marrëdhëniet gjinore.
Si festohet dita e gruas?
Dita Ndërkombëtare e Gruas është një festë kombëtare në shumë vende, përfshirë Rusinë, ku shitjet e luleve dyfishohen gjatë tre ose katër ditëve para 8 Marsit.
Në Kinë, shumë grave u jepet një gjysmë dite pushimi nga puna më 8 Mars, siç këshillohet nga Këshilli i Shtetit.
Në Itali, Dita Ndërkombëtare e Gruas, ose La Festa della Donna, festohet me dhurimin e luleve të mimozës. Origjina e kësaj tradite është e paqartë, por besohet se ka filluar në Romë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në SHBA, muaji mars është muaji i historisë së grave. Një shpallje presidenciale e lëshuar çdo vit nderon arritjet e grave amerikane. / BBC