Ditë të zymta për industrinë nxjerrëse shqiptare

11/01/2016 4:45 PM 0 komente

Situata e kompanive prodhuese dhe koncesioneve është me aq shumë pikëpyetje, saqë është e vështirë të konfirmosh nëse do të arrijnë apo jo kompanitë të mbyllin vitin 2016. Në letra duket shumë e vështirë. Dhe situata nga dramatike, merr nota tragjike kur fillohet dhe konsiderohen efektet sociale të një përkeqësimi eventual, ku mjafton të përmendim faktin që janë mbi 5000 familje që kanë të lidhur fatin e tyre me këtë industri, apo rënia e të ardhurave në buxhetin e shtetit

 

Nga Panajot Soko*

 

Industria nxjerrëse e hidrokarbureve në Shqipëri, nëse do ta trajtonim si një të plotë, ashtu si dhe në gjithë botën, nuk është se po kalon ditët e saj më të mira. Faktorët, ashtu siç dhe dihen botërisht, kanë kryesisht të bëjnë me zhvillimet e kohëve të fundit në tregjet e mineraleve dhe specifikisht me mineralet hidrokarbure. Megjithatë, jo e gjithë industria po kalon ditë të vështira. Dhe për këtë arsye, më lejoni ta ndaj industrinë e nxjerrjes në dy profile, profili i kërkimit dhe profili i zhvillim-prodhimit.

Për sa i përket pjesës së zhvillimit dhe prodhimit të hidrokarbureve, viti që kaloi mund të klasifikohet me plot gojën si një vit me shumë pak, për të mos thënë aspak, gjëra pozitive.

Ishte një vit ku kompanive iu është dashur të ambientohen me realitetin e ri që tregjet prodhuan. Dhe kur them realitet i ri, kam parasysh një person që e zë tërmeti në gjumë. Sapo fillon tërmeti, personi zgjohet i llahtarisur, ashtu përgjumësh përplaset me muret, mezi gjen derën, del jashtë, largohet me vrap dhe shikon nga larg shtëpinë që i lëkundet fort nga themelet. Dhe e gjitha kjo ndodh, ndërsa ai ende s’ka ardhur ende në vete, s’është zgjuar ende. Ky ishte viti 2015 për kompanitë e prodhimit të hidrokarbureve.

Volumet e kapitalit të qarkulluar patën një rënie të ndjeshme. Natyrisht që peshën më të madhe e zuri fakti që çmimi ra mesatarisht për gjatë gjithë vitit 2015, në gati 1/3 e çmimit të një viti më parë. Dhe volumet e shitura logjikisht u ulën në të njëjtën masë.

Por nuk ishte kjo pasoja e vetme. Transatlantic, kompania e prezantuar pak më herët që bleu Stream Oil & Gas, duket se u pendua që në krye të herës për transaksionin e kryer. Ajo duket dhe kompania e prekur më rëndë nga situata e krijuar. Për shkak të problemeve të mëdha financiare që ishin bashkudhëtare të aktivitetit të TransAtlantik në Shqipëri që nga dita e parë e ardhjes së tyre, ata i kushtuan pak vëmendje faktit të përmirësimit të parametrave nxjerrës të vendburimeve që ajo dispononte në Marrëveshje. Kjo u reflektua dhe në uljen e kapacitetit nxjerrës. Volumet mujore të prodhimit të fushave, në momentin që kompania mëmë nxori në shitje asetet e saj në Shqipëri, ranë në nivelin e 4500 tonë në muaj, nga rreth 6000 që ishte më parë.

Dy kompanitë e tjera, Bankers Petroleum dhe Transoil, patën një reduktim të prodhimit, këtë radhë në krahasim me planifikimin, për një arsye tjetër. Ato vendosen të hiqnin pak këmbën nga gazi, kur bëhet fjalë për hapjen e puseve të reja. Të dy kompanitë që aktualisht janë në procese shpimi pusesh horizontale, ndërmorën veprime difensive në këtë drejtim.

Bankers pezulloi punën e 2 prej 3 kontraktorëve për shpimin e puseve, ndërsa Transoil uli rendimentin e shpimit të puseve të reja në njësinë e kohës. Të dyja bashkë shpuan vetëm gjysmën e puseve të planifikuara në fillim të vitit.

Kjo masë u shoqërua dhe me një proces revizionimi dhe deklasifikimi të puseve të cilët, me rendimentin e prodhimit që ofronin, nuk justifikonin mbajtjen e tyre në punë.

Dhe të gjitha këto çuan në uljen e prodhimit të përgjithshëm.

Për sa i përket 2016, situata mendohet se do të vazhdojë të ecë drejt përkeqësimit, por me një intensitet më të ulët. Tashmë jemi në fazën kur, në analogjinë e mësipërme, personit i ka dalë gjumi, është i vetëdijshëm që ka rënë tërmet, që shtëpia është shembur, që gjithë qyteti është shembur dhe, ashtu si dhe banorët e tjerë të atij qyteti, është futur në një luftë për mbijetesë. Domethënë i duhet të gjejë fillimisht ujë, bukë, ku do të kalojë natën etj. Pra mbijetesa.

Në nivelet aktuale të çmimit, ku nafta po i afrohet kufirit prej 30$ për fuçi (të cilin mendohet se do ta prekë shumë shpejt, ndoshta brenda 10-ditëshit të dytë të janarit, apo dhe më shpejt) problemi kryesor është mbijetesa e kompanive.

Aktualisht kostoja e nxjerrjes së një fuçie nafte është shumë më e lartë sesa çmimi i shitjes së saj në treg. Pra duke marrë parasysh faktin që mesatarisht, prodhimi i një fuçie nafte për Shqipërinë shkon diku afërsisht 35$, dhe nafta shqiptare shitet mesatarisht me 70% të çmimit të ICE Brent, atëherë aktualisht kompanitë kanë një gropë financiare prej mesatarisht 13-14$ për fuçi të prodhuar. Nëse kësaj i shtojmë dhe faktin që raporti i çmimit të shitjes me çmimin e fuçisë në treg mund të përkeqësohet edhe më, për 2 arsye: 1) se teprica e naftës së hedhur në treg aktualisht, diskriminon drejtpërdrejt naftën e rëndë dhe pak cilësore si nafta shqiptare dhe për këtë arsye kompanitë, do të jenë të detyruara të ulin edhe më çmimin e shitjes në referencë të bursës; 2) sepse për shkak të situatës së ekonomisë globale, nevojat për bitum (që është produkti bazë për të cilën përdoret nafta jonë) ka rënë; atëherë e gjithë situata kthehet nga gri në pothuajse të zezë.

 

Kompanive po u “mbaron” nafta

Problemi është sesa karburant ka në serbatorët e kompanive të naftës, për të vazhduar në këtë gjendje? Dhe përgjigjja e kësaj pyetjeje vjen me një pyetje tjetër: -Sa do të zgjasë kjo situatë, për të kuptuar nëse kompanitë kanë ose jo mjaftueshëm karburant për të dalë në anën tjetër.

Që të kuptojmë një detaj të rëndësishëm, në pikën aktuale ku ka arritur situata, mbijetesa financiare e kompanive është totalisht e varur nga humori i partnerëve financiarë. Dhe me partnerë financiarë nënkuptoj aksionerët dhe kreditorët (banka ose të ngjashëm).

Tregu udhëhiqet nga dy forca madhore: lakmia dhe frika. Sot në treg ka më shumë frikë. Bankat kanë mbyllur dyert e tyre për projektet në prodhimin e naftës dhe janë skeptike për çdo projekt tjetër që është i ndikueshëm nga ky sektor. Dhe nëse frika në përmasa të tilla do të vazhdojë të mbizotërojë në treg, atëherë karburanti nuk do të mjaftojë për të dalë në anën tjetër.

Kompanitë e dinë këtë. Ato që kanë mbetur gjallë deri më sot (duke përjashtuar TransAtlantic që ka njoftuar tërheqjen) po mundohen të shkundin nga xhepat e aksionerëve të tyre dhe ato pak të holla që iu kanë mbetur, me shpresën se situata do të kthejë.

Programet e tyre për 2016 tregojnë tamam situatën në të cilën ndodhen kompanitë. Bankers ka programuar sivjet, me rezerva -, 1/4 e investimeve të përvitshme që ajo parashikonte në vitet paraardhës. Aktualisht kompania e ka pezulluar programin e shpimeve në pritje të një ringritje eventuale të çmimit në nivele optimale, pa specifikuar se çfarë ajo konsideron nivele optimale çmimi.

Ndërsa Transoil duket se e ka pezulluar përkohësisht për këtë vit, programin e saj të shpimeve horizontale. Ndërkohë që të dyja kompanitë do të vazhdojnë me programet e tyre për skarcimin e puseve me kosto të larta prodhimi, numri i të cilëve, për shkak të ecurisë së çmimit në tregje, është duke u rritur nga dita në ditë.

TransAtlantic është në një situatë pezull dhe duket se gjetja e një zgjidhjeje për fatin e kompanisë është shumë larg, për të penguar degradimin e strukturave dhe aseteve të saj.

Ndërsa Phoenix Petroleum është shumë komode në pozicionin e saj, kjo pasi niveli i përfshirjes së saj në investime është i ulët, për shkak se ky është viti i dytë i operimit nga ana e saj. Dhe duke qenë se nuk ka një stres të tillë, ajo është shumë komode në rolin e saj si vëzhgues dhe pritës deri në një qetësim dhe rikthim të situatës në nivele të kënaqshme.

Pra në një sintezë të përgjithshme, situata e kompanive prodhuese dhe koncesioneve përkatëse nuk ofron një tablo me të cilën ke dëshirë të merresh. Situata e tyre është me aq shumë pikëpyetje, saqë është e vështirë të konfirmosh nëse do të arrijnë apo jo kompanitë të mbyllin vitin 2016. Në letra duket shumë e vështirë. Dhe situata nga dramatike, merr nota tragjike kur fillohet dhe konsiderohen efektet sociale të një përkeqësimi eventual, ku mjafton të përmendim faktin që janë mbi 5000 familje që kanë të lidhur fatin e tyre me këtë industri.

Pa folur pastaj për të ardhurat në buxhetin e shtetit që edhe këtë vit do të pësojnë rënie, më specifikisht në zërin e Rentës Minerare. Kjo për 3 arsye: 1. Rënia e çmimit në tregje, 2. Rënia e përqindjes së çmimit të shitjes në krahasim me çmimin e bursës, 3. Rënia e prodhimit.

 

Ditë më të mira për kompanitë e kërkimit

Ndërsa për të gjithë profilin prodhues, kushtet aktuale përbëjnë një ëndërr të keqe, duket se kompanitë e kërkimit do të lulëzojnë sivjet. Ulja e çmimit të naftës dhe rrjedhimisht zhvlerësimi i gjithë sektorit, të paktën për ta përbën një lajm të mirë, pasi kostot e operimit të shoqërive që janë duke kërkuar naftë do të jenë më të ulëta. Dhe kjo është reflektuar dhe në vendin tonë, ku numri i interesimeve për blloqet e lira të naftës ka kapur nivele rekord. Dhe duket se tashmë blloqet shqiptare po tërheqin vëmendjen dhe të gjigantëve të industrisë, pasi edhe për ta kërkimi është fusha ku mund të mbjellësh sot në kohë të zeza dhe të korrësh nesër në kohë të bardha.

 

*analist risku i tregjeve të naftës

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of