Flet Eno Zeneli, drejtor i Automaster, importuesi zyrtar i Fiat Chrysler Automobiles
Si e vlerësoni vendimin e fundit të qeverisë për ndalimin e makinave të përdorura mbi 10 vjet?
Është një vendim i mirëpritur, por tej mase i vonuar. Dëmi që është shkaktuar që nga viti 2011, me heqjen e së ashtuquajturës “Doganë” për importin e mjeteve të përdorura, është shumë i madh jo vetëm në tregun e automjeteve, por edhe në shëndetin e popullsisë dhe me pasoja që do të vazhdojnë për vite me radhë. Gjithsesi, edhe pse me shumë vonesë, vendimi është për t’u përshëndetur, por nuk është mjaftueshëm.
Nëse duam të jemi si Europa, sot atje është në fuqi standardi Euro 6D dhe tek ne, me hyrjen në fuqi të kësaj nisme, jemi 10 vjet mbrapa, por të paktën kemi një kufi, sepse deri sot që flasim nuk ka asnjë kufi për importin e mjeteve të përdorura.
Si pritet të ndikojë ky vendim në tregun e automjeteve në vend?
Në radhë të parë do të ndikojë pozitivisht në formalizimin e tregut. Nga një treg tërësisht informal, me para që qarkullojnë jashtë bankave, do të kthehet në një treg ku mjetet që kanë hyrë do të marrin vlerën që i takon. Sigurisht do të stimulohet funksionimi i tregut të brendshëm dhe sidomos sektorit Leasing edhe për mjetet e përdorura, duke qenë se importi do të jetë për atë kategori mjetesh që mund të merret leasing. Për kategorinë që duan mjete shumë të lira e me moshë të madhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi muajt e fundit janë importuar aq shumë mjete sa do të ketë gjendje për të gjithë kërkesën për të paktën edhe një vit.
Cilat janë politikat e mëtejshme që ju sugjeroni që duhet të ndërmerren nga qeveria shqiptare për të nxitur tregun e automjeteve të reja në vend?
Hapi i mëtejshëm është ai që u premtua nga qeveria, ulja e TVSH në 10% për mjetet e reja, për t’i dhënë vendin e merituar në treg këtyre mjeteve, duke arritur në ato vlera ku të paktën të mund të krahasohemi me vendet e rajonit, që kanë një ekonomi të ngjashme më tonën. Kjo nismë do ta bënte më të lehtë edhe financimin me leasing për këto mjete, duke e bërë më të thjeshtë për qytetarët dhe bizneset që jo vetëm të blejnë e të përdorin një makinë të re, por edhe të kenë mundësi ta rishesin për të blerë një tjetër të re pas 4-5 vjetësh jo vetëm pa humbje, por me përfitim. Ndikimi që do të ketë në mjedis, do të jetë gjithashtu shumë i ndjeshëm duke ulur jo vetëm ndotjen, por edhe sëmundjet që lidhen me to, të cilat kanë arritur nivele tej mase të larta në vendin tonë.
Së fundmi janë shtuar automjetet që nxjerrin tym të zi kur qarkullojnë në rrugët e vendit. A vini re problematika që lidhen me cilësinë e dobët të karburantit në mjetet që vijnë për të kryer shërbim në servisin tuaj? A keni ndonjë vlerësim se pse ndodh kjo dhe si mund të ndalet?
Po, problematikën me cilësinë e karburantit e shohim çdo ditë në servis. Është një situatë e vjetër tashmë dhe zgjidhjet janë shumë të thjeshta, por duhet vullnet i fortë nga organet ligjzbatuese. Fakti që asnjë prej markave prestigjioze ndërkombëtare nuk është e pranishme në tregun e karburantit tregon që kemi një problem me këtë sektor dhe kryesisht me cilësinë e tij.
Si ka qenë ecuria e kompanisë suaj së fundmi dhe cilat janë sfidat e së ardhmes?
Ecuria ka qenë e kënaqshme. Tani mund ta themi me bindje që jemi të pozicionuar bindshëm në treg dhe gama e mjeteve që ofrojmë është e plotë, si për individët ashtu edhe për bizneset. Sidomos për markat Premium, Jeep dhe Alfa Romeo, do të kemi disa surpriza të bukura në fillim të vitit të ardhshëm. Me ndikimin pozitiv që pritet të ketë në treg hyrja në fuqi e këtij vendimi presim që edhe sfidat të jenë më të mëdha, për të qenë të gatshëm t’i ofrojmë tregut produktin e duhur në kohën e duhur, me çmimin e duhur dhe sigurisht me cilësinë e lartë të grupit FCA (Fiat Chrysler Automobiles).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.