Do të ngrihet një spital karantinë brenda 20 ditëve; Mbërrijnë 50 mijë elementë mbrojtës për personelin shëndetësor

25/03/2020 7:23 PM 0 komente

Brenda 20 ditësh do të fillojë ngritja e një strukture të re, të një spitali karantinë për rastet jo të renda.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se sot është bërë një investigim në vendin ku mendohet të jetë ky objekt, i cili do t’i nënshtrohet edhe një rehabilitimi dhe më pas, edhe një plotësimi të nevojave bazë, me mobilimin spitalor dhe me aparaturat bazike për të përballuar fluksin për ata pacientë që nuk do të jenë në gjendje të rëndë.

Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se synohet brenda 20 ditësh të fillojë përshtatja e strukturës së identifikuar, në spitalin e ri, teksa shkoi se ky spital konsiderohet skenar i katërt në rendin e skenarëve të projektuar.

Manastirliu, gjatë mbledhjes online të qeverisë, tha se sot ka mbërritur një sasi prej 50 mijë mjetesh të mbrojtjes personale për stafet mjekësore, të cilat kanë filluar të shpërndahen në të gjithë spitalet.

“Dihet se sot transportimi është një problem në të gjitha vendet, pasi kufizimi i eksporteve ka krijuar një problem të tillë. Ja dimë për nder shtetit turk që ka krijuar këtë korridor të shpejtë për transportin e pajisjeve mbrojtëse për mjekët dhe infermierët. Kemi mundësuar rritjen e stokut, çdo furnizim rrit stokun, dhe rrit sigurinë për stafet mjekësore që për ne është shumë e rëndësishme”, tha Manastirliu.

Mjetet e mbrojtjes personale për stafet mjekësore janë blerë nga qeveria shqiptare, ndërkohë që qeveria turke ka lehtësuar transportin drejt vendit tonë.

Gjatë videokonfererencës së ministrave, të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se është rritur numri i testeve për të dyshuarit me COVID-19.

“Numri i testeve nuk është sipas dëshirës. Numri i testeve realizohet në bazë të rekomandimeve të OBSH dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve. Ne testojmë me fokus ndërprerjen e zinxhirit të COVID-19. Është e nevojshme të theksoj se kemi bërë testime aq sa nevoja ka pasur. Epidemiologet po bëjnë një punë shumë të mirë në terren për identifikimin e vatrave në të gjithë vendin. Ndërsa testimi masiv nuk përjashton riskun për popullatën” tha Manastirliu.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of