Flet Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës
Të paktën 70 banesa individuale janë dorëzuar te përfituesit në Tiranë, si pjesë e programit të rindërtimit që po zbatohet nga Bashkia.
Arbjan Mazniku, nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, tha për “Monitor” se janë të paktën 2600 shtëpi të dëmtuara në pjesën e fshatit. Këtij grupi i shtohen edhe 1600 familje të strehuara në 82 pallate, që pritet të shemben. Ai vlerëson se ka nisur rindërtimi në lagjen “5 Maji” dhe në ato hapa është edhe pjesa e Kombinatit dhe se ndoshta vera tjetër do të gjejë një pjesë të banesave të përfunduara dhe të dorëzuara te përfituesit.
Në çfarë faze është Bashkia e Tiranës sa i takon procesit të rindërtimit, sot, kur jemi një vit pas ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019, që la me mijëra familje të pastreha?
Procesi i rindërtimit është duke ecur me një ritëm mjaft të shpejtë, duke marrë në konsideratë situatën dhe vështirësitë që problemi ka në vetvete. Është një situatë komplekse, me shumë elemente vështirësie në dy aspekte.
Së pari, në aspektin e shtëpive individuale, në zonën e fshatit ku ne kemi pothuajse 2600 shtëpi që janë të dëmtuara, të cilat kanë nevojë të rindërtohen.
Janë duke u vlerësuar këto dosje rast pas rasti, por tani që ne flasim janë më shumë se 600 shtëpi në proces rindërtimi. Kemi një numër realisht të madh aplikantësh, dosje të cilat po vlerësohen dhe për ata që do të shpallen fitues nga ky proces, do të nisë sërish rindërtimi. Për një pjesë jo të vogël të objekteve, procesi po vijon dhe madje kemi një numër jo të vogël prej 60-70 objektesh të cilat janë mbaruar dhe u janë dorëzuar përfituesve.
Objektet në ndërtim janë në faza të ndryshme. Sa u përket shtëpive në zonën e qytetit kemi 82 objekte shumëkatëshe, të cilat janë vlerësuar nga studio, inxhinierët dhe është marrë vlerësimi nga Instituti i Ndërtimit. Po kështu, janë bërë dhe dëgjesat publike në Këshillin Bashkiak për to, pasi duhet të prishen.
Viti 2021 do të jetë finalizimi i rindërtimit
Dy lagje të reja i shtohen kryeqytetit
Preken thuajse 1600 familje. Këto objekte do të fillojnë shumë shpejt të shkatërrohen për t’i hapur rrugë rindërtimit ose në lagjet e reja, ose në vendet përkatëse, sipas tipologjisë dhe mundësisë që fron lagjja apo territori. Janë bërë planet dhe studimet e detajuara të dy lagjeve të reja, lagjes “5 Maji” dhe asaj të Kombinatit.
Është miratuar Masterplani zhvillimor bashkë me infrastrukturën, si dhe janë duke u bërë projektet infrastrukturore që janë shumë komplekse, të cilat lidhin lagjet e reja me aksesin e rrugëve, ujin e pijshëm, ujërat e zeza, energjinë, transportin publik, me shërbimet publike që do të rialokohen në këtë territor.
Shumë shpejt, brenda kësaj jave nisim ndërtimin e lagjes së parë. Do të bëjmë fillimin e ndërtimeve në lagjen “5 Maji” dhe një muaj më vonë do të nisim rindërtimin në lagjen e dytë në Kombinat. Tashmë janë nisur gjithë proceset për të ndërtuar apartamentet për banorët e prekur në këto zona.
A keni një afat se kur do të përfundojnë këto ndërtesa dhe kur do të kemi të strehuarit e parë brenda tyre?
Fillojnë brenda këtij muaji dhe plani i punimeve parashikon sipas dokumenteve 18 muaj për përfundimin, por ne besojmë që një pjesë prej tyre të mbarojë më shpejt. Ndoshta, një pjesë e parë e objekteve do të mbarojnë në verën e vitit që vjen dhe një pjesë tjetër, në fundin e vitit.
A keni shifra sa është fondi i alokuar për programet që lidhen me rindërtimin?
Fondi i alokuar është i ndarë në programe të ndryshme. Për Bashkinë e Tiranës, deri më sot, vetëm për DS1 dhe DS3 që vlerësohen si dëme bazike të familjeve, janë paguar 587 milionë lekë për rreth 3158 përfitues, ndërkohë që janë 6600 përfitues të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Ky fond mund të shkojë afro 900 milionë lekë që do të jenë përfitues për këtë pjesë. Vetëm për vitin korrent, nga ana tjetër, për Bashkinë janë alokuar rreth 7-8 miliardë lekë, për programin e infrastrukturës, objekteve arsimore, atë të shtëpive individuale dhe programin e shtëpive shumëkatësh.
Kemi filluar gjithashtu punën në të paktën 24 objekte arsimore, ku përfshihen shkolla, kopshte, çerdhe, ndërtesa të Qytetit Studenti dhe struktura të tjera publike. Ndërkohë, në bashkëpunim me Bashkimin Europian jemi duke punuar edhe për 14 objekte të tjera, të cilat po riparohen me fondet e BE-së. Pra kemi një numër të madh objektesh që po riparohen në Tiranë tek pjesa e programit të Arsimit.
Pandemia ka prekur shumë sektorë të ekonomisë dhe projekte në vijim. A ka ndikuar ajo edhe te programi i rindërtimit dhe konkretisht te pjesa e Bashkisë së Tiranës?
Për të thënë të vërtetën ka ndikuar shumë për një periudhë kur ishte situata e mbylljes dhe i gjithë zinxhiri i procesit dhe mundësisë për të punuar pati problematikën e tij. Mjafton t’ju jap si shembull që disa procedura prokurimi, gjatë muajve të mbylljes u bllokuan jo sepse u bllokua Bashkia, por sepse u bllokuan një seri elementësh sekondarë. Një gjë e thjeshtë ilustruese ishte pjesa e noterëve që nuk punonin gjatë asaj kohe dhe një pjesë e dokumenteve që duhen për të marrë pjesë në procedurë nuk mund të noterizoheshin.
Mora vetëm këtë si shembull, por si kjo ka pasur probleme me studiot e projektimit, me studiot inxhinierike, me mundësinë për të bërë vlerësime në terren apo lëvizshmërinë. Jo të vogla kanë qenë dhe problemet në administratë, të lidhura me raste të caktuara COVID-19 dhe kur ka një rast në një zyrë, atëherë gjithë kontaktet e afërta duhet të karantinohen. Për rrjedhojë, ndodh që një zyrë e tërë, bie fjala urbanistika apo grupi që merret me shpronësimet apo me infrastrukturën apo ai që merret me kontratat, komisioni, të karantinohen të gjithë.
Në një moment, për shembull, ne patëm një rast në komisionin që merrej me vlerësimin e dosjeve, për fat të mirë vetëm një që nuk pati probleme, por ama gjithë anëtarët u karantinuan për 14 ditë. Pra në mënyrë sistematike, protokollet për COVID kanë sjellë probleme për mënyrën sesi ka shkuar, por nëpërmjet organizmave dixhitalë, takimeve online, puna nuk ka ndaluar asnjëherë në variant alternativ. Padyshim, eficenca është normale që të mos jetë aty ku do donim ne të ishte kur gjërat janë vetëm online.
Intervistoi: Megi Fagu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.